Edi Rama: Prisni surpriza më 14 Mars

Tiranë, 28 Shkurt NOA Më 14 mars, do të ketë surpriza të këndshme të cilat do të befasojnë shumë dashamirës të muzikës, sepse ajo ditë që njihet si Dita e Verës në Tiranë do të kremtohet me plot aktivitete.
Këtë premtim e ka bërë sot, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndërsa mori pjesë në një aktivitet me rastin e 200 vjetorit të lindjes së kompozitorit të famshëm Frederik Shopen.
Ndër të tjera Kryebashkiaku Rama u shpreh për të pranishmit shumë i kënaqur dhe krenar që kremtojmë bashkë me të tjera kryeqytete të Europës 200 - vjetorin e Frederic Chopin, Vitin e Chopin, si viti i muzikës.
Njëkohësisht Rama shfrytëzoi rastin tu them të gjithë atyre që janë më të prirur nga rroku se nga klasikja, që ta presin me padurimin e merituar këtë 14 mars.
Këtu z.Rama paralajmëroi se do të kemi një shpërthim të muzikës rrok brenda dhe rreth e rotull Bllokut, ku do të vijnë grupe rroku nga Europa dhe të gjithë të rejat e të rinjtë e kryeqytetit janë të ftuar të vijnë, me të reja e të rinj nga jashtë kryeqytetit, për të festuar deri në orët e vogla të mëngjesit.
Dy shekuj me Shopen
Romancieri, pianisti dhe kompozitori me famë botërore Frederic Chopin (1810-1849) shënon këtë vit 200 vjetorin e lindjes.
Skena ndërkombëtare e muzikës, këtë vit e ka shpallur Viti Chopin, vitin e fenomenit unik në historinë e muzikës piano, vlerat e paçmueshme dhe të bukura të të cilit dëgjohen me kënaqësi në të gjithë botën.
Edhe kryeqyteti shqiptar i është bashkuar kremtimeve për Vitin 2010, të shpallur si Viti Chopin, me një sërë aktivitetesh të planifikuara nga Bashkia e Tiranës.
Kështu, organizimet me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur polak nisën në sheshin para Gardës së Republikës me homazhet e rastit, për të vijuar më tej me Bandën e Qytetit e cila luajti pjesë të kompozuara nga Chopin, ndërkohë që aktiviteti kulmoi me pjesëmarrjen e shumë të ftuarve në këtë event, ku spikati prania e Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, Ambasadores Polake, Ambasadores Franceze, përfaqësuesve të Shoqatës F. Chopin, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, nxënësve muzikantë por edhe mjaft të ftuarve të tjerë.
Veprimtaritë u shoqëruan me një koncert në natyrë, ku artistë të rinj të talentuar, por dhe emra të njohur të skenës shqiptare luajtën pjesë të kompozitorit të njohur, si më poshtë:
· F. Chopin Polonaise ouvre posthume sol
· F. Chopin- Mazurca-re
· F. Chopin Valcs-op.posthum-mil
· F. Chopin Polonaise-re
· F. Chopin Studio Revolution
· F. Chopin Grande Polonaise
Gjatë koncertit u zhvillua edhe ceremonia e homazheve dhe vendosjes së luleve tek busti i Chopin-it.
Organizimet e Bashkisë së Tiranës vijuan me vendosjen e emrit Frederic Chopin, sheshit para Gardës së Republikës.
Përfaqësues të pushtetit vendor dhe të Ambasadave të sipërpërmendura zbuluan pllakën e mermertë, në nderim të këtij emri të shquar të muzikës botërore .
Në përfundim të ceremonisë, Banda e Qytetit luajti himnet kombëtare të Shqipërisë, Polonisë dhe Francës, ndërkohë që përfundimi i aktivitetit u shoqërua me një koktej në lokalin brenda Akademisë së Arteve.
e.r/NOA