Ritakimi me Çesk Zadenë
Ne cep të skenës së Teatrit të Operës, Bujar Llapaj, jep e merr me partiturat. Janë nota që kompozitori çesk Zadeja i ka hedhur këtu e 46 vjet më parë për baletin “Delina”. I kthyer nga Kanadaja posaçërisht për (ri)vënien në fillim të marsit të këtij baleti, e gjen në sallën e provave. Sapo ka mbaruar punën me orkestrën dhe tashmë përpiqet të kalojë ca pjesë në piano. Mundohet të mos e humbasë sensin e humorit edhe pse orët e gjata të punës reflektohen. Gjithçka duhet të jetë gati për shfaqjet datave 5, 6, 7 mars. “Delina” është i katërti balet që rimerret për t’u sjellë në kohë e që e risjell Bujar Llapajn në rolin e dirigjentit. Pas largimit në vitin 2002 nga Shqipëria drejt Kanadasë, e ka fituar tashmë rolin e dirigjentit të parë për orkestrën “West Coast Symphony” në Vancouver. Pas baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, takohet sërish me Agron Aliajn(në këtë balet dikur ishte protagonist, tashmë koreograf) për një tjetër bashkëpunim. Politikat kulturore dhe projektligjet për teatrot në vitin 2000 u bënë nxitja e parë që Llapaj të largohej fillimisht nga opera e më tej nga Shqipëria. Me hapa të vegjël, nxitimthi përshkon skenën që të mos humbasë kohë. Një pse?, që nënkupton rifreskimin e këtyre vlerave nis bisedën. “Sepse duhet të themi se ne jemi shqiptarë, kjo është kultura jonë muzikore e shpirtërore, me të cilën është për t’u krenuar. Nuk e them për patriotizëm, por me bindje të plotë duke e krahasuar me atë që krijohet në botë. Krahasuar me to, muzika që kanë krijuar kompozitorët tanë të shekullit të shkuar është muzikë me vlera të padiskutueshme dhe mund të luhet kudo nëse ekziston një dëshirë e tillë jo vetëm nga institucionet, por edhe nga individët”, shprehet Llapaj. Ai i luan vepra të tilla edhe me orkestrën që drejton në Kanada apo qoftë edhe në projekte të tjera. Tregon se vetëm dy javë më parë luajti me një fëmijë të vogël kohën e tetë të koncertit për violinë të Pjetër Gacit dhe do të luajë në dhjetor të këtij viti simfoninë e çesk Zadesë. “Unë jam rritur me këtë muzikë që fëmijë, e kam studiuar në shkollë dhe e njoh cilësinë e tyre. Duke qenë në kontakt me krijimtarinë aktuale që bëhet andej, kjo më bën kurajoz të propozoj vepra shqiptare në bordin e orkestrës me të cilën punoj. Por mendoj se promovimi i kësaj muzike nuk u takon vetëm institucioneve ekzekutuese. Ajo duhet të jetë pjesë e programit mësimor, duhet t’i bëhet reklamë e madje të prodhohen edhe disqe”. Bashkëpunimin e tij me Teatrin e Operës për kompjuterizimin e këtyre partiturave e sheh jo vetëm në anën teknike(ai mundet të punojë një program të posaçëm në kompjuter), por edhe në atë cilësore. “Unë nuk jam thjesht shkrues, por edhe redaktues i këtyre partitura për t’i bërë në mënyrë profesionale”, shprehet ai. E ndërsa për sa i përket anës koreografike baleti “Delina” do të vijë i rikonceptuar (në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e "Norës" së Andrea Skanjetit dhe me legjendën e Doruntinës), muzika mbetet po ajo thotë Llapaj. “Muzika është ajo që ka bërë çesk Zadeja, nuk është shtuar as hequr asnjë notë. Vlera e kësaj muzike mbetet, sepse është profesionale dhe në çdo moment t’i ndien që është shqiptare ndonëse nuk ka folklorizëm”, thotë ai. Njerëzit kanë ndryshuar në këtë hark kohor e për të i vetmi ndryshim do të jetë interpretimi. Në fakt, ne kthehemi e rikthehemi tek emrat e kompozitorëve të vjetër. Mungon krijimtaria bashkëkohore? “Periudha të tilla ndodhin në historinë e çdo vendi. Unë prej tetë vjetësh nuk jam në kontakt të drejtpërdrejtë me krijimtarinë e këtushme, por mendoj se krijim ka. Problemi qëndron se sa shkon ai te publiku. Ne do t’u kthehemi kompozitorëve të dikurshëm dhe veprave të tyre, sepse ajo periudhë në këtë fushë mund të quhet si Rilindje. U nxit dhe u mbështet krijimi për arsye të caktuara që na shërbejnë sot. Shkëputja e madhe nga komunikimi me botën dhe ritakimi me të nuk erdhi normalisht. Në botë krijohen të gjitha dhe nuk të shan njeri për këtë lloj muzike. E kundërta ndodh te ne. Ne themi kjo bën e kjo tjetra jo”. Si i sheh ai politikat kulturore në krahasim me kohën kur ai vetë ishte pjesë e jetës artistike shqiptare? “Ashtu siç ndodh kudo, ka artistë që punojnë, përpiqen të rrisin nivelin e të tjerë që mbajnë një diplomë të varur në mur. Pikëpyetjen në këtë rast nuk mund ta ngresh ndaj shtetit. Po të krahasosh trajtimin financiar të institucioneve në përgjithësi dhe veçmas të Teatrit të Operës me kohën kur kam qenë unë, është thuajse dyfishuar. Trajtimi i instrumentistëve si individë nuk është vetëm shteti, ndoshta duhet të kishte agjenci menaxhimi, të cilat mundësojnë mbledhjen e projekteve si shtetërore ashtu edhe private e në këtë mënyrë stimulojnë cilësinë”, shprehet dirigjenti. Për të, politikat tona kulturore çalojnë në eksportimin e artit. Por sigurisht që ai bën diferencën për sa i përket mënyrës se si institucionet artistike funksionojnë kundrejt artistëve dhe publikut. Ai vetë si dirigjent është në dijeni se ç’do të bëjë me orkestrën e tij një vit më pas, kur do të realizojë prova e madje edhe në çfarë sallë do të jenë ato. Në Shqipëri kjo gjë është thuajse e pamundur. “Moskorrektesa është një e mangët që na karakterizon. Unë ndihem i fyer, sepse pasi mbërrij në Tiranë mësoj se koncerti që kishim caktuar më 12 mars me drejtuesin artistik të Orkestrës së RTSH-së, Oleg Arapi, me praninë e një këngëtareje kanadeze nuk do të realizohet. Për këtë gjë unë as nuk isha vënë në dijeni. Këto janë detaje të pakonceptueshme, por edhe pjesë e imazhit tonë”, shprehet Llapaj. Ndërkohë që aktiviteti i tij shkon në rritje, kthimet në skenën shqiptare do të jenë veçse me raste. “Personalisht, edhe mund ta doja kthimin, por njeriu është qenie që jeton në shoqëri dhe familje. Ka momente ku primare është karriera, por në këtë moment jam më i lidhur me familjen. Djali im ka filluar vitin e parë në universitet dhe unë duhet t’i qëndroj pranë. Ky është një investim për mua”, përfundon dirigjenti bisedën për të vazhduar në skenë me vepra.
#