E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Rezistencë, deri në hapjen e kutive

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi mbrëmë në protestë se transparenca nuk duhet të pengohet përmes pushtetit. Rama ftoi qytetarët për rezistencë dhe sakrificë


TIRANË - "Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin përmes transparencës, po kërkojmë që transparenca të mos pengohet përmes pushtetit. Gjithçka që kemi për t'i thënë pushtetit nis e mbaron tek fjalia, "Hap kutitë ose largohu".


Hap kutitë jo për të kuptuar populli që ke vjedhur votat, sepse këtë shqiptarët e kanë kuptuar pikërisht ditën kur i mbylle forcërisht kutitë nga tmerri i daljes në dritë të votave të vjedhura.


Hapi ato kuti për të nxjerrë që aty armën e korrupsionit që vrau zgjedhjet e shkuara në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos vriten dot më nga e njëjta armë". Kështu i është drejtuar dje kryetari i PS-së, Edi Rama, para mijëra protestuesve, kryeministrit Sali Berisha vetëm pak metra larg nga zyra e tij kryeministrore.


Përmes një fjalimi të mbajtur mbrëmë gjatë protestës, kryetari i opozitës, Edi Rama, ka bërë me dije se protesta është për të gjithë ata që duan një Shqipëri për të mirëqeverisur nga të zgjedhurit e popullit.


"Sot Shqipëria është në udhëkryqin mes një mbretërie të pashpallur, ku pushteti i një oborri grabit votat, rrëmben pasurinë e përbashkët, shkel liritë e të drejtat e njerëzve, duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes, dhe një republike kushtetuese ku qeveria është e njerëzve, me njerëzit e për njerëzit", - tha mbrëmë Rama.


Kryetari i PS-së i ka kthyer përgjigje edhe përpjekjeve të vazhdueshme të mazhorancës për ta cilësuar opozitën si penguese të integrimit të Shqipërisë në BE. "Kujt na thotë se ne po pengojmë integrimin europian të Shqipërisë, u themi se kjo është një betejë për Shqipërinë Europiane.


Kujt na thotë se ne po pengojmë liberalizimin e vizave, u themi se kjo betejë është kundër të këqijave, që e kanë penguar liberalizimin e vizave deri sot, nga korrupsioni tek paaftësia e qeverisë për t'u hequr kufijtë e lëvizjes shqiptarëve.


Ndërsa kujt na thotë të shkojmë në gjykatë, u themi se njerëzit e lirë nuk shkojnë në gjykatë për të fituar të drejtën të marrin frymë dhe transparenca e zgjedhjeve nuk është çështje gjykate, po çështje jete a vdekjeje e organizmit të demokracisë", - tha Rama.


Kryetari i PS-së ka sqaruar se opozita nuk kërkon të marrë pushtetin përmes transparencës, po kërkon që transparenca të mos pengohet përmes pushtetit. Në këto kushte Rama ofroi edhe kompromisin. "S'duam të na dorëzoni neve pushtetin në tavolinë, po t'i dorëzoni popullit armën me të cilën e mbajtët pushtetin.


Pa e nxjerrë që aty dhe çmontuar njëherë e mirë atë armë vrastare për lirinë e zgjedhjeve, në Shqipëri nuk mund të ketë më liri zgjedhjeje për qytetarin, që paskëtaj ose duhet të nënshtrohet ose duhet të largohet", - tha ai.


Rama ngriti pyetjen: "A ka arsye në botë për ta toleruar një pushtet që, në mes të Europës, në vitin 2010, i poshtëron rrogëtarët e shtetit duke i sjellë në një festë cinike si ajo e nesërmja me lista dhe duke i hipur në autobusë si delet që rrezikojnë të theren po u ndanë nga kopeja?". Kryetari i opozitës shtoi se në adresë të PS-së kishin ardhur më qindra mesazhe, ku administrata është detyruar që të marrë pjesë sot në "festën" e PD-së.


"Megjithëse kanë njëqind e një arsye për të protestuar sot e nesër bashkë me ne, për cenimin e dinjitetit në punë dhe rrënimin e ekonomisë së tyre familjare, duhet të hipin në autobus për të marrë pjesë në një koncert të turpshëm festiv prej regjimesh antidemokratike, që shpikin festa sa herë ka protesta.


Turp Sali Berisha që u ringjalle shqiptarëve fantazmën e tribunës festive të 1 majit dhe kohën e zymtë të tubimeve të lumturisë kolektive, që dikur i organizonte Partia jote e Punës për të manifestuar fuqinë e diktaturës së proletariatit, ndërsa sot i organizon pushteti yt i korruptuar për t'i bërë një karshillëk primitiv popullit opozitar!",- tha Rama.


Kryetari i opozitës ka folur gjatë edhe për rrënimin ekonomik. "Kriza e ekonomisë shqiptare nuk është as pjellë e krizës financiare globale, as fantazi e shfrenuar e opozitës, po pasojë e dhimbshme e një politike shkatërruese, që ka qëllim të vetëm të mbajë në karrige Sali Berishën",- tha ai.


Kryetari i opozitës theksoi se sot gjysma e fuqisë punëtore të Shqipërisë është rrugëve, e papunë, dhe se Berisha ka shkaktuar humbjen e mbi 100 mijë vendeve pune në më pak se një vit.


"Vrasja e Gërdecit, rënia e tunelit të Kalimashit, përmbytja skandaloze e Shkodrës, janë shembuj ulëritës të kapjes së shtetit për interesat e oborrit të një pushteti që po mbyt Shqipërinë në një det padrejtësish e pisllëqesh ku përpëliten çdo ditë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi", - tha ai. Rama sqaroi se kjo nuk është luftës mes dy palesh, por mes dy botësh.


"Motra dhe vëllezër, të rezistojmë në këtë bulevard të dëshmorëve të kombit dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, secili sipas kohës e mundësisë së vet, duke ikur e ardhur, pa u ndalur deri në hapjen e kutive, për të shpëtuar demokracinë e të ardhmen duke shkëputur fatin e zgjedhjeve nga kthetrat e pushtetit të korrupsionit.


Kjo është një betejë e vështirë aspiratash të mëdha dhe ne jemi gati ta çojmë përpara me çdo sakrificë të madhe që do të nevojitet", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›