E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit kalojnë natën në bulevard

Mbi një mijë forca policie kanë rrethuar kryeministrinë, ndërsa opozita ka zbritur në shesh në mbrojtje të votës së lirë


Kryeministria, përballë së cilës opozita vendosi të vetëflijohet, përngjan më një kala të rrethuar, por që sundimtarët kanë marrë arratinë.


Asnjëherë me shumë se dje, godina e qeverisë shqiptare nuk ka qenë e rrethuar nga një masë aq e madhe njerëzish saqë zor se e ndaje dot se kush ishin protestuesit e dhe mbrojtësit e saj. Sigurisht që këta të fundit të armatosur gjer në dhëmbë kishin ardhur aty jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Fieri, Elbasani dhe Laçi.


Makina të blinduara, ushtarë të pajisur me snajperë, djelmosha të veshur kokë e këmbë me mburoja dhe policë që ngjanin si të tillë vetëm për hir të uniformës, ishin armata e njerëzve që kishin detyrën të mbronin kryeministrinë.


Ky gardh njerëzish ishte pararoja e sigurt e kryeministrit. Dyert e këtij institucioni ishin kyçur që pas orës 14:00. Administrata u kish lënë vend trupave të armatosur, ku nëse rruga të binte përgjatë këtij bulevardi të dukej se vendi ishte në prag të këtij shtetrrethimi.


Situata nuk ishte e thjeshtë për policët, pasi më shumë se 70 mijë njerëz kishin zbarkuar në dyert e kryeministrisë me një kërkesë të vetme: Hap kutitë e votimit. Këta nuk ishin njerëz të armatosur apo djem me muskuj, por qytetarë të thjeshtë, pleq, gra, burra dhe përfaqësues të opozitës.


Për të mbajtur distancë nga institucioni i qeverisë, protestuesit kishin ngritur kangjella provizore. Ndërkohë, mbi kokat e tyre qëndronin të palëkundur punonjësit e gardës së republikës dhe ata të policisë, të cilët vëzhgonin çdo gjë, pa harruar edhe të filmonin.
Rënia e natës duket se largoi një pjesë të protestuesve, por "bërthama" e tyre, e cila përbëhej nga deputetët e PS-së dhe 202 grevistët e urisë qëndroi aty.


Çadra, shtretër portative, dyshekë dhe batanije janë shtëpia e re e popullit opozitar. Asnjë prej tyre nuk ka ndër mend të lëvizë që aty pa arritur qëllimin e kërkuar, hapjen e kutive dhe transparencën e një procesi zgjedhor me shumë pikëpyetje. Protestuesit qëndruan gjatë natës në shesh, por edhe qindra forca policie vazhduan mbikëqyrjen e tyre dhe të godinës së kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›