Edi Rama: Shqiptarët po ikin se nuk kanë punë, ne do garantojmë punësimin
-Ngrihen 21 grupe pune që do të punojnë për programin e ri të PS-së
Partia Socialiste ka prezantuar sot pasdite në Hotel Tirana rrugën që do të ndiqet drejt realizmit të plotë të programit të saj politik. Takimi ishte me 21 grupet e punës të ngritur tashmë nga Asambleja Kombëtare që do të merren me shpërndarjen e programit në bazë, diskutimet mbi të dhe rifreskimin e tij me propozime të reja. Socialistët duket se e kanë marrë seriozisht punën me këtë program duke e parë atë si alternativa që do ti sjellë nesër në qeverisjen e vendit. Në fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se ky do të jetë një program i politikës së re, pasi sipas tij sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një politikë të re. Rama tha se ky është programi që mund të nxjerrë vendin nga katrahura ekonomike. Sot dua tu kërkoj ndihmë të gjithë atyre që kanë diçka për të thënë për çdonjërën nga temat e programit. Unë dua të dëgjoj shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm ekspertët, edhe përtej kufijve, Greqi e Itali në të gjitha trevat tona- tha Rama. Më tej kreu socialist shtoi se janë ngritur 21 grupe pune për të detajuar më tej programin. Kjo politikë ka dështuar, po falimenton Shqipërinë. Tu japim njerëzve më shumë besim. Shqipëria është një katrahurë territoriale. Zhvillim pa vizion, dhe pa projekt kombëtar po bën kërdinë në çdo fushë. Plani i Përgjithshëm Kombëtar duhet të nisë tani. Sfidën e hartimit të këtij plani ta ndajmë me njerëzit e zakonshëm, tha Rama.
Ai u fokusua tek zhvillimi territorial duke thënë se me anë të programit të PS-së, do të shërojmë plagët e rënda territoriale dhe si do ta kthejmë territorin në një hapësirë të re zhvillimi. Ai e pranoi se ky program është rruga e PS-së për në zgjedhjet e vitit 2013. Kur PS të hyjë në zgjedhje, qytetarët duhet të kenë një program të qartë. Rruga e programit tonë ka nisur me ambicie dhe do jetë një proces i gjatë e i detajuar, tha kryesocialisti.
Një pikë e rëndësishme e programit të socialistëve, sipas kreut të saj, do të jetë autonomia vendore, e cila ka qenë dhe mbetet prioritet i kësaj partie. Duke folur mbi atë çfarë përmban programi Rama tha se ai vë gishtin në plagë për korrupsionin në shëndetësi, fenomen që sipas tij është kthyer në një plagë të vërtetë për këtë sektor kaq të rëndësishëm. Shërbimi shëndetësor në vend sot është i zhytur në korrupsion. Ne do të punojmë për një sistem shëndetësor të të gjithë qytetarëve, ka theksuar Rama.
Më tej Rama foli dhe për taksën progresive ku sqaroi se me këtë taksë do të rregullohet sistemi i shpërndarjes të të ardhurave. Sa më i pasur aq më shumë duhet të paguash dhe sa më i varfër të jesh aq më shumë duhet të ndihmosh për një ndarje sa më të pa barabartë.
Ai gjithashtu tha se i kushtohet rëndësi çështjes së pronës dhe lirisë së medias. Lideri i opozitës ka komentuar edhe të dhënat e procesit të censusit duke deklaruar se ato janë dekurajuese për shqiptarët. Të dhënat e censusit tregojnë se sa shqiptarë kanë lënë vendin nga mungesa e punës. Në programin tonë kemi bërë një premtim ambicioz për 300 mijë vende pune, tha Rama.