Krematoriumi, del në shitje impianti i mbetjeve në QSUT
Del në shitje impianti i mbetjeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Burime zyrtare pranë kësaj qendre shprehen se komunat apo bashkitë mund ta përdorin për të djegur mbeturinat e veta, ndërkohë që kanë mundësi ta instalojnë dhe larg qendrave të banuara. Nëse asnjë prej këtyre institucioneve nuk tregon interes, iceneratori do të shitet për skrap. Sipas Ministrisë së Mjedisit, ky icenerator funksiononte jashtë ligjit dhe pa leje mjedisore. Ndërkohë, në shkurt të këtij viti në QSUT u vu në funksion autoklava për djegien e mbetjeve spitalore me avuj, por kapacitet e saj janë të kufizuara. Inceneratori, i cili shërben për djegien e mbeturinave më të rrezikshme spitalore, ka qenë vazhdimisht një rrezik për banorët e zonës. Ky impiant ndodhet brenda QSUT-së dhe është vetëm 20 metra larg pallateve të qytetarëve. Por, sipas një rregulloreje të Ministrisë së Shëndetësisë, duhet që ky impiant për djegien e mbeturinave të jetë 5 kilometra larg zonave të banuara. Vetëm në QSUT prodhohen 2554 kg mbetje spitalore në ditë, nga të cilat 383 kilogramë janë të rrezikshme.