E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama dhe paditjet e Kryeministrit

 

Qëlloi që këto dite pushimesh, të ndjek disa kronika nga Kuvendi i Shqipërisë, të shoh disa emisione lajmesh dhe të lexoj mjaft artikuj nga media shqiptare, mundësi që për fat të keq e kam të rrallë, pasi në Essen të Gjermanisë, ku punoj dhe jetoj prej vitesh, një gjë të tillë nuk mund ta bëj në mënyrë konstante. Sot, Kuvendi dhe politika shqiptare në përgjithësi mund të akuzohen në shumë drejtime po për monotoni, në asnjë mënyrë.

Në kronika e lajme përjetoj një Kryeministër të dashur e të qeshur. Kjo ndodh pothuajse në tërë takimet e tij të panumërta me të huajt. Mirëpo, duket që sapo shkel sallën e Kuvendit ai shndërrohet në tjetër njeri... Imagjinoni që presidenti Bush, zonja Merkel, apo zoti Sarkozi të komunikojnë me anëtarët e Parlamentit në atë mënyrë, ku “libri i shtëpisë” zë një vend kryesor!

Pa dashur të hyj në analiza të problemeve a të mbaj krahun, nëse vajza e Kryeministrit, apo nëna e motra e deputetit i kanë aftësitë më të mëdha për të bërë karrierë politike, do të desha të dal shpejt në temën e këtyre radhëve.

Në një intervistë të tij në Xhafzotaj, kryeministri Berisha tha se, “kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës nuk guxon të futet në një laborator informatike, sepse ka alergji të tmerrshme nga IT-ia”, se “e vetmja gjë që ai bën është të kapë e të vërtisë 2-3 topa” dhe se, “ka qenë një ndër basketbollistët më të dobët të vendit, që padiste gjithë ditën shokët e tij dhe trajnerët”... Në fillim u përpoqa të gjej lidhjen midis IT -së, hedhjeve në kosh dhe paditjes se shokëve dhe trajnerit nga Edi Rama. ...Paditje?!

Di ndonjë gjë konkrete Kryeministri? ...Thjesht një provokacion?

Nuk dua të filloj me frazën standard, “...se nuk desha t’i dal në mbrojtje Edi Ramës”.

Pikërisht këtë dua të provoj në këto pak radhë. Se me Edi Ramën kemi luajtur se bashku për rreth një dekadë. Pastaj nuk jemi parë më për pothuaj 20 vjet. U takuam në fakt për pak minuta, para 8-9 vitesh, gjatë një ndeshjeje të përfaqësueses sonë jashtë shtetit. Mbas ndeshjes nuk mundëm të takoheshim ashtu siç e lamë. U humbëm midis ngutjes për të arritur aeroportin dhe pamundësisë për të çarë midis dhjetëra-mijëra shikuesve. Sigurisht që e kam ndjekur nga larg karrierën e mëtejshme të tij si ministër, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si politikan. Gjithnjë i suksesshëm. Pra, unë e kam njohur Edin vetëm gjatë kohës kur ai ishte sportist, kohë kur Kryeministri thotë se ka qenë një ndër basketbollistët më të dobët të vendit. Por Kryeministri nuk ka kompetencë për ta gjykuar lojën e tij si basketbollist. Trajnerët e zgjodhën Edin disa herë në formacionin e parë të Dinamos, një prej ekipeve më të mira të kohës. Më tej ai u përzgjodh disa herë edhe në Ekipin Kombëtar të Basketbollit. Me masën dhe dinamizmin e tij, Edi ka qenë lojtar shumë i vlefshëm për ekipin. Cilësia e tij më e madhe ishte shpirti luftarak dhe aftësia për të nxitur e mbështetur shokët e skuadrës kur loja nuk ecte mirë. Këto cilësi të tij e bënë që ai të luante në formacionin e parë të një prej skuadrave më të mira të vendit dhe në Ekipin Kombëtar.

Por Kryeministri thotë që ai padiste shokët dhe trajnerin. Kurse unë them që ajo kohë ka qenë një dhuratë për mua dhe bashkëlojtarët e tjerë që patëm mundësinë të kalonim një kohë të bukur së bashku. Nuk ndodh rëndom të punosh me një njeri që ka aq talent dhe aq karizëm, që ka aq humor dhe gatishmëri për të të mbështetur. Shakatë dhe historitë në të cilat Edi ishte protagonist janë kult dhe pjesë e takimeve që i kujtojnë ende sot shokët e atëhershëm.

- “...padiste gjithë ditën shokët e tij dhe trajnerët”... ndoshta e marr shumë seriozisht një thënie të tillë. Mbase jam i parrahur me triqet politike. Paditje trajnerit dhe shokëve?! Nga Edi Rama?! Më kujtohen shëtitje dhe biseda me një djalë 22-23-vjeçar që kishte pjekurinë e një 40-vjeçari. Kemi folur orë, ditë, net e javë të tëra përgjatë aktiviteteve e grumbullimeve të ndryshme. Jo vetëm unë, por dhe të tjerë që ai i paskësh paditur. Kurrë nuk dëgjova gjë në lidhje me “paditjet”, as për vete dhe as për të tjerët.

Më kujtohen takime e biseda të tij me trajnerin e ri të Federatës Franceze të Basketbollit dhe basketbollistë të Kombëtares Italiane ku kam qenë i pranishëm dhe vetë. Gjithmonë në mes të tyre dallonte ky djalë i ri që për ta përfaqësonte brezin e ri të Shqipërisë, që ngutej për ndryshime.

Mund të vazhdoja këtu edhe me dhjetëra shembuj të tjerë.

Edi nuk e ka mediokritetin e nevojshëm për të qenë paditës. Për këtë Kryeministrit i duhet të kërkojë dikë tjetër.

Edi, shok i vjetër! Në rast se do të më lejohej një dëshirë e hapur nga këto radhë, do të doja të mbeteshe si në kohën kur ishe sportist. Kështu do të fitoje çdo fushatë!

Po kujt ia them këto? Qytetarët e Tiranës nuk mund të kenë gabuar tre herë rresht.

*(Mjeshtër Sporti, basketbollist i Dinamos dhe i Ekipit Kombëtar në vitet ‘80)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›