E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE MA NDEZIMAGJINATËN MITI I SIZIFIT?

 

Se u dënua nga perënditë të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu? Se “lidhi” me zinxhirë Vdekjen? Se i hipi në kokë të vinte në provë gruan e tij që pas vdekjes të mos i bëhej varr? Se u dënua pa gjyq, pa gjyqtarë e pa dëshmitarë, si Prometheu nga Perënditë? Se shkëmbi u bë pronë e tij? Se...

Po. Këto pyetje e të tjera të lindin e të “ndezin” imagjinatën kur lexon një mit, një qenie mbinjerëzore, e aq më tepër kur je para veprimeve imagjinare. Këtej lind një pyetje e natyrshme:

Ç’mesazhe na vijnë nga Sizifi?

Është i njohur fakti që dituria, shkenca, arti, filozofia, psikologjia…nuk kanë lindur në vend bosh. Filozofët e lashtësisë, Thalesi, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Konfuci, Buda... të nisur nga e drejta zakonore, arritën te ligjet; nga Perënditë, te konceptet abstrakte; Zeusin e zëvendësuan me Qenien; Perëndeshën e së Drejtës, Themis, me Drejtësinë, Dhiqis... Ata qenë bij të kohës së vet, dhe si të tillë, zakonet e të drejtën zakonore të shoqërisë fisnore i zëvendësuan me ligje që janë bazament për një shtet. Shoqërisë i duheshin Sokratë që të ngriheshin kundër shkollës së vjetër të besimit, politikës mbytëse, kundër veseve të shoqërisë, duke quajtur domosdoshmëri, krijimin e një morali të ri. Edhe neve na duhet një moral e një mendim i ri, për të “shuar” “njollat” e egërsisë primitive që na vijnë hera-herës nga thellësitë e shekujve. Kjo, se bota njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që brezat qëndrojnë mbi supet e njëri-tjetrit. Ky është një nga mesazhet e Mitit të Sizifit. Se Sizifi nuk e ngrinte shkëmbin në të njëjtin vend, por gjithnjë 1mm, 1cm, 1dm... më lart. Dhe shkëmbi i Sizifit është simbol i diturisë; që po t’i “besojmë Homerit, Sizifi është njeriu më i ditur dhe më i kujdesshmi midis të vdekshmëve. (Albert Kamy, “Miti i Sizifit”, f.98). Ngjitja e shkëmbit gjithnjë e më lart na kujton ecjen e dijeve, të shkencës, pra të shoqërisë në spiraloiden progresive...

E tillë është ecja e shoqërisë njerëzore ndër shekuj: ajo u ngjit nga rrugët e mushkave e të kuajve. me e pa karrocën e drunjtë, te rrugët e hekurta elektrike, e deri te avioni reaktiv; nga gjeometria euklidiane te ajo e Llobaçevskit dhe e Rimanit, pa të cilat nuk do të kishim fluturimet kozmike; nga mekanika njutoniane, te Mekanika Kuantike; nga pushtetet absolute të monarkëve, te shteti me katër pushtete, që rrotacioni i pushtetit nuk është rrotacion shteti; nga...

Shkëmbi i Sizifit mbi supe gjithnjë lart, simbolizon brezat të pashkëputur e të mbështetur në praktikë e në teori te njëri-tjetri. Edhe këtu na vjen mesazhi: arritjet e ditëve tona kanë në përmbajtje edhe të djeshmen, edhe të pardjeshmen e largët që e harrojmë shpesh. Diktatura hoxhjane mohoi arritjet e periudhës së mbretërisë konstitucionale zogolliane; demokracia e deformuar deri në njëfarë shkalle, mohoi edhe ato anë racionale që prunë brezat në shekuj e në mjaft raste, shpërdoroi mundin dhe djersën e tij. Mesazhi që na vjen nga ngritja e shkëmbit në një mm, një cm... më lart, na nxit të mendojmë se demokracia që kemi sot, ka në përmbajtje edhe opozitën e pozitën e viteve ’20-’24; social-demokracinë e pas ’24-ës që mori arratinë pas rënies së Qeverisë së Nolit; atë opozitë herë të heshtur e herë me zë, madje në mjaft raste “bori” të periudhës e diktaturës; ka në thelbin e vet kërkesën e deputetëve të ’45-ës , të Sejfulla Malëshovës, Musine Kokalarit... për demokraci e pluralizëm. Mesazhi duhet t’u kujtojë pushtetarëve të sotëm se ftesa për në NATO, rruga bashkëkohore Durrës-Morinë janë arritje e të gjithë shqiptarëve dhe jo e një grushti politikanësh, qofshin këta edhe mazhorancë.

Sizifi u dënua nga perënditë se nuk dinte të sillej me to, se ishte treguar i pabesë ndaj Jupiterit dhe nuk ia mbajti sekretin (Jupiteri kish shtënë në dorë Eginën, vajzën e Azopit dhe Sizifi ia tregoi të atit të vërtetën, me kusht që t’i jepte ujë Kështjellës së Korinthit); se lidhi me zinxhirë Vdekjen; se... Dhe dënimi iu dha pa gjyq, pa gjyqtarë e pa dëshmitarë.

Nuk është një mesazh ky i dënimit të Sizifit, Prometheut…. për nxjerrje “sekreti”, për gjyqe, gjyqtarë e dëshmitarë? Pse? Se sekreti dhe e kundërta e tij, transparenca, kanë bërë udhë nëpër shekuj e janë lidhur ngushtë në periudha të tëra historike. Në hapësirat e sekretit e të tolerancës kanë bërë udhë demokracitë e diktaturat. Dënimet makabre të shkencëtarëve mbi turrat e druve në Mesjetë se nxorën në dritë “sekretet” e lëvizjes së yjeve e të planetëve, të rrotullimit të Tokës rreth Diellit, të qarkullimit të gjakut në organizmin e njeriut; internimet, burgimet dhe prerje jetësh se bënë transparente “sekretet” e të “thënave të perëndive”, janë tregues të qartë të asaj egërsie që na vjen nga thellësitë e shekujve. “Sekreti” ka qenë dhe vazhdon të jetë mjet i rëndësishëm te monarkitë absolute, diktaturat, diktatorët e neo-t…për të mbuluar prapësitë, përvetësimet e demagogjinë e tyre të shfrenuar. Ndërsa transparenca gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të jetë, syri dhe veshi demosit e i demokratëve në çdo kohë, dritëlëshuese për ta parë të vërtetën ashtu siç është. “Sekreti iu nevojit Zeusit për të patur monopolin e zjarrit; Jupiterit për të dhunuar familjen; 500 duarve që u ngritën për të dënuar Sokratin me kupën e helmit, se grisi fasadën primitive të shoqërisë athinase, drejtësisë, politikës, vetëm se kërkoi qëndrim të civilizuar e objektiv ndaj universiteteve e gjithë realitetit. “Sekreti” u nevojitet atyre që kërkojnë “natë” në Gërdec; për t’i krijuar errësirë kostos së rrugës Durrës-Morinë, hyrjes së “Zogut të Zi”; për të mos dhënë llogari për aktivitete të jashtëligjshme; për...

“Perënditë zeusiane” i dënonin “të pabindurit” pa gjyq, pa gjyqtarë e pa dëshmitarë. Dhe mesazhi është i qartë: “Për perënditë, për zotat”, për diktatorët e të gjitha kohëve, tempulli i Drejtësisë është i padëshirueshëm. Nuk na vjen ky mesazh edhe në ditët tona? Pse po priren pushtetet ekzekutive për t’i rrudhur hapësirën pushtetit të drejtësisë, pse u derdh kaq shumë helm për Sollakun, pse nuk u dëgjua zonja Rama nga një pjesë deputetësh, pse nuk u aprovua asnjë kandidaturë e propozuar nga President i Republikës për Gjykatën e Lartë? Pse...? Se Tempulli i Drejtësisë që është strukturuar për të dhënë drejtësi e për të bërë transparencën e çdo gjëje, ka nevojën e gjyqtarëve, prokurorëve e dëshmitarëve profesionistë me moral e të paanshëm.

Po ç’vend zë Sizifi në Tempullin e Drejtësisë?

Në kundërshtinë me Themis, që për këdo ka “të thënën e perëndisë”, si normë e strukturë ligjore e padiskutueshme dhe lindjes së një norme të re Dhiqis, Sizifi është në anën e kësaj të fundit. Si përfaqësues i një morali dhe një koncepti të ri të drejtësisë, ai i përket njerëzores, arsyes e veprimtarisë së saj në pragun e shthurjes së shoqërisë fisnore primitive. Ndaj në vetëdijen e tij s’ka vend agresiviteti, por arsyeja, puna e padobishme, por lodhja e mundimshme për të ngritur “shkëmbin” gjithnjë e më lart.

Arsyeja sizifiane na vjen sot si mesazh për të prapsur e rrudhur egërsinë primitive që shfaqet hera-herës deri në Parlament, nga lider e nga ata që preferojnë t’i puthin edhe këmbën zhele, kryetarit të tyre. Të fyesh e të shfrysh zemëratën zeusiane deri në familje do të thotë, veç të tjerash, të shfaqësh mentalitetin e psikologjinë e kalimit të familjes “kope” në monogami, që u bë një nga bazat e mbijetesës së shoqërisë njerëzore.

Shkëmbi mbi supet e Sizifit është pronë e tij dhe te ngjitja gjithnjë e më lart ai gjen lumturinë. Është ky një mesazh që na vjen nga era e djersës së ndershme që njerëzit i bën të ngrihen mbi supet e tyre. Asgjë nuk lind nga hiçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›