Edi Rama e Selim Muça,bojkotojnë njëri-tjetrin
Aristir Lumezi
Partia Socialiste nuk ka marrë pjesë dje në urimet për festën e Fiter Bajramit. Ndryshe nga festimet e mëparshme, dje në selinë e Komunitetit Mysliman, asnjë nga drejtuesit e lartë të selisë rozë nuk është parë për të dhënë urimet e saj komunitetit dhe drejtuesve të tij. Ftohja duket se ka ardhur pas një iftari të shtruar nga kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, ku drejtues të Komunitetit Mysliman nuk kanë marrë pjesë. Në Iftarin e shtruar nga Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht Kryetar i PS-së, ishin prezentë kryepeshkopi i kishës ortodokse, Anastas Janullatos, kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Reshat Bardhi, ndërsa nga komuniteti mysliman ka pasur një pjesëmarrje në nivele të ulëta, tre drejtorë administrativë të tij. Duket se kjo prezencë e ulët e Komunitetit Mysliman shqiptar ndaj ftesës së Edi Ramës, ka ndikuar në urimet e djeshme, ku PS është përfaqësuar me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe deputeti i qarkut të Tiranës, Eduard Shalësi, i cili ende nuk ka bërë betimin si deputet, për shkak të bojkotit që grupi parlamentar socialist i ka bërë Kuvendit. Burime zyrtare nga selia rozë thanë dje se përfaqësues i PS-së në urimet për festën e Fiter Bajramit ishte deputeti socialist i Tiranës, Eduard Shalësi, i cili shprehu urimet e socialistëve të gjithë myslimanëve për këtë ditë të shënuar tyren. Por mungesa e përfaqësimit të PS-së në nivel të lartë në komunitetin mysliman, ku nuk kanë munguar krerët e partive të tjera, por dhe diplomatët e huaj, ka rënë në sy në një ditë të tillë feste. Në fakt drejtuesit e PS-së janë treguar të kujdesshëm në përfaqësimin e tyre në festime të tilla, duke i dhënë rëndësi me prezencën e tyre, duke ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve fetare urimet për këto komunitete. PS është prezantuar në nivelet më të larta të saj në festime të tilla, ku përveç kryetarit, në urime kanë marrë pjesë dhe kryetari i grupit ose Sekretari i Përgjithshëm. Në festimet e Kurban Bajramit, në dhjetor të vitit të shkuar, Rama sërish ka munguar, ndërsa urimet në emër të socialistëve janë bërë nga kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi. “Në ditën e Kurban Bajramit, në emër të Partisë Socialiste, formulojmë urimet më të përzemërta, për të gjithë myslimanët shqiptarë kudo që ndodhen. Urimet më të mira, Gëzuar festën e Kurban Bajramit, lumturi, begati, gaz dhe hare për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet fetare”, ka qenë urimi i fundit i socialistëve i artikuluar nga Gramoz Ruçi pas vizitës në selinë e komunitetit mysliman shqiptar dhjetorin e kaluar.
“Institucioni ynë është i depolitizuar, s’paragjykojmë askënd”
Muça: Nuk shkova në iftarin e Edi Ramës se isha sëmurë
TIRANE - Selim Muça, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar sqaroi dje për “Panorama” se shkaku i mungesës së tij mbrëmjen e së shtunës në iftarin e shtruar nga kryebashkiaku Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste ishin problemet shëndetësore të tij. Muça pohoi se megjithëse ishte ftuar për iftar rreth një javë më parë nga të tjera institucione, menjëherë sapo kishte marrë ftesën e Ramës i kishte vendosur t’i anulonte të gjitha. Muça tha se ishte ftuar për iftar nga Edi Rama nëpërmjet shefes së kabinetit të tij, e cila e kishte telefonuar dhe i kishte komunikuar ftesën. Për këtë qëllim ai kishte konfirmuar mungesën mbrëmjen e së shtunës në ftesat e tjera dhe për të mos anuluar ftesën e Ramës kishte konfirmuar praninë e tij atje. “Por pak kohë para se të vinte orari për të shkuar atje, ndërsa po më priste një koleg me të cilin do shkonim bashkë, pata probleme shëndetësore. Më dërguan me urgjencë në Spitalin Ushtarak ku mora mjekime, serum dhe oksigjen. Vetëm në orën 21:30 mbarova me mjekimet, ndërsa kishte shkuar vonë, pasi iftari kishte mbaruar”, tha Muça, i cili shtoi se përfaqësues të KMSH-së kishin qenë atje. I pyetur nëse mosprania e tij në iftarin e shtruar nga Rama ishte bojkot i paramenduar, Muça pohoi se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Sipas tij, feja myslimane dhe institucioni që ai drejton është i depolitizuar. Po kështu i pyetur nëse Rama duke u përgjigjur në të njëjtën mënyrë nuk u vizitoi dje Komunitetin Mysliman, Muça pohoi faktin se veç kësaj nuk kishte marrë asnjë urim në telefon apo kartolinë prej Bashkisë së Tiranës, apo Partisë Socialiste, tha se një gjë e tillë ishte zgjedhje personale e Ramës dhe se ai nuk e paragjykonte aspak. “I vetmi funksionar socialist që u pa dje në KMSH ishte Eduard Shalësi, i cili erdhi në cilësinë e deputetit të Tiranës”, përfundoi Muça. fa.ma.