Berisha e Topalli urojnë besimtarët nga Shkodra
SHKODER - Kreu i qeverisë dhe kryetarja e Parlamentit urojnë nga Shkodra besimtarët myslimanë, në ditën e Bajramit. Paraditen e djeshme ata kryen vizitë në Myftininë e Shkodrës, ndërsa disa orë më vonë u pasuan nga dy grupe të përfaqësuesve të PS-së. Berisha dhe Topalli u pritën nga krerët e Myftinisë së Shkodrës si dhe titullarët e fesë katolike dhe asaj ortodokse. Në fjalën e tij përshëndetëse, Berisha ka vlerësuar kontributin e të gjithë komuniteteve fetare në forcimin e harmonisë dhe të respektit të ndërsjellë. “Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për udhëheqësit e të gjithë komuniteve fetare në vendin tonë, për punën e madhe që kanë bërë në rindërtimin e besimeve fetare, për mesazhin e shkëlqyer që përcjellin në Shqipëri dhe mbarë botën, për bashkëjetesen dhe tolerancën fetare, dëshmi e shpirtit të madh të shqiptareve, të kombit shqiptar”, u shpreh Berisha. Ndërsa Topalli u shpreh se “jemi gjithmonë në harmoni. Ky bashkëpunim, ky relacion i jashtëm është një modul të cilin ne shqiptarët duhet ta përcjellim edhe përtej kufijve”. Gjatë takimit të organizuar me krerët e lartë të shtetit dhe drejtuesve fetarë në Myftininë e Shkodrës, mësohet të jetë biseduar rreth investimeve të shumta që qeveria ka bërë dhe do të bëjë në të ardhmen për këtë qark. Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe çështja e kthimit të pronave komuniteteve fetare, të cilën ato e konsiderojnë si “thembrën e Akilit” për mbijetesën e tyre në këtë periudhë të vështirë financiare që po kalojnë. r.d