“Edi Rama është në nivelin më të ulët të besueshmërisë”

Genc Pollo, fundjavë aktive me strukturat e Partisë Demokratike në Berat
Ministri dhe kryetari i grupit të punës për PD-në e Qarkut të Beratit, Genc Pollo ka zhvilluar në fundjavë një mori takimesh me strukturat e Partisë Demokratike në Berat.
Gjatë takimeve me kryetarët e seksioneve dhe grup-seksioneve të qytetit të Beratit, por edhe të disa komunave përreth, si komuna Velabisht dhe komuna Sinjë, Genc Pollo ka kërkuar angazhimin e plotë dhe të gjithanshëm të strukturave të PD-së si pjesa më aktive dhe si pararojë e mbarëvajtjes së punës gjatë fushatës elektorale.
Nga ana tjetër, në këto takime ministri dhe deputeti Pollo ka dëgjuar më vëmendje edhe shqetësimet dhe pretendimet e strukturave të PD-së, duke marrë angazhimin se të gjithë së bashku duhet dhe mund të bëjnë më shumë që punët të ecin më mirë, me të vetmin qëllim: fitoren e zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Gjatë fjalës së tij me kryetarët e seksioneve dhe grup-seksioneve të bashkisë së Beratit, Genc Pollo u ndal në atë se Partia Demokratike në Berat do të përsërisë fitoren e vitit 2009, ku në total u përfaqësua me 3 mandate deputetësh, një rast i rrallë ky për këtë parti në Berat.
“Partia Demokratike, tha gjatë fjalës së tij ministri Pollo, ka arsye dhe motive të mëdha për të fituar mandatin e tretë qeverisës, duke parë punët e saj të rëndësishme që ka bërë për vendin në përgjithësi dhe për Beratin në veçanti”.
Më tej, Genc Pollo ka theksuar edhe atë se qeveria e Kryeministrit Berisha e ka pasur prioritet në këto vite qeverisjeje Beratin, ndaj, edhe përtej problematikave që mund të ketë pasur, arsyet e fitores në 23 Qershor janë shumë herë më të mëdha.
Gjatë fjalës së tij me strukturat e Partisë Demokratike në komunën e Velabishtit dhe komunën e Sinjës, rrethi Berat, Genc Pollo theksoi vendosmërinë e tij dhe të të gjithë shqiptarëve se më 23 Qershor arsyet për të votuar për PD-në janë shumë herë më të mëdha se sa për të votuar ndonjë forcë tjetër politike. “Falë reformave të mëdha të kësaj mazhorance, tha Genc Pollo, Shqipëria i shpëtoi krizës ekonomike që kapi gjithë eurozonën. Ndërsa opozita, nga ana e saj, bllokoi statusin e Shqipërisë për në BE vetëm për arsye politike, ndaj më 23 Qershor nuk mund të fitojë një opozitë që vetëm bllokon”.
Në fund të fjalës së tij ministri Pollo, duke iu referuar edhe takimeve problematike të fundit të kryesocialistit Edi Rama ka thënë se, “Edi Rama është në nivelin më të ultë të besueshmërisë në partinë e tij, ndërsa në popull, në elektorat, kjo besueshmëri është edhe më e ultë”.