E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: “Nëse Zoti nuk do ta falte gjithçka, bota nuk do të ekzistonte”

18-03-2013 / Gazeta 55

Turmë e pafundme në Engjëllin e parë të Tënzot të Atit të Shenjtë

Një turmë e pafundme, mëse 150 mijë vetë, për lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje në mesditë nga Papa i ri, Françesku. I mbushur përplot, Sheshi i Shën Pjetrit, por jo më pak edhe Rruga e madhe e Pajtimit e rrugët anësore. Besimtarët prisnin aty që në orët e para të mëngjesit. E Papa u foli të gjithëve vetëm në gjuhën italiane: “Vëllezër e motra, mirëmëngjes!”. Pas takimit të së mërkurës së kaluar, tani mund t’ju përshëndes përsëri të gjithëve! E jam i lumtur që po e bëj këtë të dielën, ditën e Zotit! Kjo është e bukur dhe e rëndësishme për ne, të krishterët: të takohemi të dielën, të përshëndetemi, të shkëmbejmë dy fjalë, si tani, këtu, në Shesh. Një Shesh që, falë mediave, ka përmasat e mbarë botës. Në këtë të Diel të pestë të Kreshmëve, Ungjilli na paraqet episodin e gruas, që ka shkelur kurorën, të cilën Jezusi e shpëton nga dënimi me vdekje. Të prek thellë sjellja e Jezusit. Nga goja e tij nuk dëgjojmë fjalë përbuzjeje, fjalë dënimi, por vetëm fjalë dashurie, mëshire, që të ftojnë për pendesë, kthim në rrugën e Zotit. “As unë nuk po të dënoj: shko e tani e tutje mos mëkato më!”. Eh, vëllezër e motra, fytyra e Zotit është ajo e një ati plot mëshirë, që ka gjithnjë durim! A keni menduar ju për durimin e Zotit, durimin që ka për secilin nga ne? Eh, kjo pra është mëshira. Durim. Gjithnjë: Zoti na duron, na kupton, na pret, nuk lodhet duke na falur, nëse dimë të kthehemi tek Ai me zemër të penduar. E madhe është mëshira e Zotit.
Më pas vijoi: “Në këto ditë munda të lexoj librin e një kardinali, kardinalit Kasper, teolog i zoti, eh? Teolog i mirë, që flet për mëshirën. Më bëri mirë, ky libër, por mos kujtoni se po i bëj reklamë librave të kardinajve të mi, eh? Nuk është kështu! Por gjithsesi më bëri mirë, shumë mirë… Kardinali Kasper thoshte se fjala mëshirë ndryshon gjithçka. Është fjala më e mirë, që mund të dëgjojmë: ndryshon botën. Pakëz mëshirë e bën botën më pak të akullt e më të drejtë. Kemi nevojë ta kuptojmë mirë këtë mëshirë të Zotit, të këtij Ati të mëshirshëm, që ka shumë durim… Kujtojmë Izainë Profet, që pohon se edhe po të ishin mëkatet tona të kuqe si flaka, dashuria e Zotit do t’i bënte të bardha, si dëbora.
Më pas Papa brohoriti: “Është e bukur, kjo histori e mëshirës.! Më kujtohet, kur isha akoma ipeshkëv, në vitin 1992, erdhi në Buenos Ajres Zoja e Fatimës; e u kremtua një Meshë e madhe për të sëmurët. Shkova për të rrëfyer në këtë Meshë. E aty nga fundi i Meshës, u ngrita, sepse duhet të krezmoja. Tek unë erdhi një grua në moshë, e përvuajtur, tejet e përvuajtur, përtej të tetëdhjetave. E pashë e i thashë: “Gjyshe - pse tek ne kështu u themi të moshuarave - gjyshe, deshët të rrëfeheni? . “Po”, më tha. “E nëse nuk keni mëkate?...”. E ajo: “Të gjithë kemi mëkate”… “Po ndoshta Zoti nuk i fal…”. “Zoti fal gjithçka”, ma drodh, krejt e sigurtë. “Po si e dini ju, zonjë?”. “Në se Zoti nuk do të falte gjithçka, bota nuk do të ekzistonte prej kohe”. Ndjeva dëshirën ta pyesja: “Më thoni, zonjë, ju keni studiuar në Gregoriana?”. Sepse kjo është dija, që jep Shpirti Shenjt, dija shpirtërore, e cila çon tek mëshira e Zotit. Të mos e harrojmë kurrë këtë fjalë: Zoti nuk lodhet kurrë duke falur, kurrë! “Ndonjë problem, Atë?”. “Eh, problemi është se ne na duket e lodhshme të kërkojmë falje! Nuk duhet të lodhemi kurrë, kurrë. Ai është Atë plot dashuri, që fal gjithnjë, që e ka zemrën plot me mëshirë për ne të gjithë. E edhe ne duhet të mësohemi të jemi të mëshirshëm me të gjithë. Të kërkojmë ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, që e mbajti në krahë Mëshirën e Hyjit bërë njeri”. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti pëzemërsisht të gjithë shtegtarët: “Ju falënderoj për pritjen e për lutjen. Lutuni për mua, jua kërkoj këtë. Një përqafim të ri besimtarëve të Romës e ju të gjithëve, si dhe gjithë atyre, që janë bashkuar me ne përmes mjeteve të komunikimit. Zgjodha emrin e Pajtorit të Italisë, Shën Françeskut të Asizit, e kjo e fuqizon lidhjen time me këtë tokë ku, siç e dini, zë fill familja ime. Po Jezusi na thirri të bëjmë pjesë në një familje tjetër: në Kishën e tij, në këtë familje të Zotit, duke ecur së bashku në udhën e Ungjillit. Zoti ju bekoftë, e Zoja ju ruajtë; e mos e harroni këtë: Zoti nuk lodhet kurrë së faluri! Jemi ne, që lodhemi duke kërkuar falje.Të diel të gëzuar. Drekën e mirë!”.
Papa Françesku në famullinë e Shën Anës, në Vatikan: “Mesazhi më i fortë i Jezusit, është mëshira”/Dje paradite Papa Françesku shkoi në famullinë e Shën Anës, në Vatikan, për të kremtuar Meshën e së Dielës së pestë të Kreshmëve. Ungjilli i liturgjisë së sotme paraqiti episodin e gruas, që kishte shkelur kurorën, të cilën farisenjtë e skribët donin ta mbysnin me gurë, në sa Krishti e fal. Jezusi i thotë: “Shko e mos mëkato më”. Papa e nisi homelinë kështu: “E bukur, kjo. Më parë, Jezusi vetëm, mbi mal, duke u lutur. Lutej, vetëm. Më pas, përsëri në Tempull. E gjithë populli e ndiqte pas. Jezusi ishte në mesin e popullit. E pastaj, në fund, e lanë vetëm, me një grua. Kjo vetmi e Jezusit, tha Papa, është vetmi e frytshme: vetmia e lutjes me Atin e vetmia me gruan, është pikërisht mesazhi i sotëm i Kishës, mesazhi i mëshirës me këtë grua”. Ka një ndryshim ndërmjet popullit, pohoi Papa. Ishte tërë populli, që shkonte tek ai, e ai u ul e nisi t’i mësonte ata; ishte populli ai, që dëshironte t’i dëgjonte fjalët e Jezusit. Po ishin edhe ca të tjerë, që nuk donin fare të dëgjonin. E pikërisht këta shkuan me gruan, e donin ta dënonin. Edhe ne, shpjegoi Papa Françesku, besoj se jemi ky popull që, nga njëra anë dëshiron ta dëgjojë Jezusin, por nga ana tjetër, i pëlqen t’i shtrojë në dru të tjerët, apo jo? T’i dënojë të tjerët. Po mesazhi i Jezusit është mëshira. Për mua, mesazhi më i fortë i Zotit: mëshira. Ai vetë ka thënë: “Nuk erdha për të drejtët; të drejtët shfajësohen vetë”. Jezusi erdhi për mëkatarët. Mendoni, vijoi Papa Françesku, thashethemnajën, që shpërtheu pas thirrjes së Mateut, tagrambledhësit: “Po ky po na shkon me mëkatarët!”. Por në se ne jemi si ai farizeu para elterit, që thotë: “Të falënderoj, o Zoti im, se nuk jam si të tjerët, e as si ky, që rri te porta, si ky publikani…”, kjo do të thotë se nuk e njohim fare zemrën e Zotit, se nuk do ta kemi kurrë gëzimin ta ndjejmë këtë mëshirë. Nuk është e lehtë t’ia besosh veten mëshirës së Zotit, sepse është një greminë e pakuptueshme. Po duhet ta bëjmë. “Oh, Atë, po ta njihje jetën time, nuk do të më flisje kështu!”. “Pse? Ç’ke bërë?”. “Oh, s’kam lënë gjë pa bërë”. “Epo mirë! Shko te Jezusi: Atij i pëlqen, nëse ia tregon këto gjëra! Ai i harron. Ka aftësi t’i harrojë, aftësi të veçantë. I harron, të puth, të rrok e të thotë: “As unë nuk po të dënoj. Shko e tash e mbrapa mos mëkato më”. Vetëm këtë këshill të jep. E në se, një muaj më pas do të jemi përsëri në këto kushte, vijoi, rikthehemi tek Zoti. Ai nuk lodhet kurrë duke falur: kurrë! Jemi ne, që lodhemi duke kërkuar falje. T’i kërkojmë, prandaj, hirin, që të mos lodhemi duke i kërkuar falje, sepse ai nuk lodhet kurrë duke falur. T’ia kërkojmë këtë hir!
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›