“Edi Rama, fushatë terrori ndaj gjyqtarëve, pengon zbardhjen e organizatorëve të 21 janarit”
Reagon Mesila Doda, deputete e PD
Partia Demokratike akuzoi dje kreun e PS-së Edi Rama se ka ideuar ditët e fundit një “fushatë të pa principtë” kundër gjyqtarëve të procesit të 21 janarit.
Deputetja e PD-së Mesila Doda në një konferencë për shtyp, theksoi se fushata e Ramës është kthyer në një sulm dhe terror të egër ndaj trupës gjykuese. “Një fushatë krejtësisht e pazakontë dhe e pa principtë ka nisur kundër gjyqtarëve të rrethit Tirane pas vendimit të fundit për ngjarjet e 21 janarit fushatë kjo, e ideuar dhe e organizuar nga vetë kryetari i opozitës Edi Rama. Ky sulm dhe terror i egër mbi gjyqtarët, përveçse është në kundërshtim me cdo standard demokratik ne vendet Europiane ku gjykata duhet të lejohet të kryej e qetë detyrën e saj dhe të mos bëhet objekt e presioneve dhe kërcënimeve, bëhet me qëllim për të penguar zbardhjen e plotë të procesit të 21 janarit. Ne kemi kërkuar zbardhjen e ngjarjes, gjetjen e organizatoreve, ideatorëve, sponsorizuesve dhe të gjithë hallkave të tjera që çuan në momentin dramatik të 21 janarit dhe i përmbahemi plotësisht kësaj kërkese legjitime. Nuk mund të ketë asnjë justifikim të përdorur nga Edi Rama që të pengojë zbardhjen e plote të kësaj ngjarjeje”. Ndër të tjera, PD i bëri thirrje kreut të PS që të mos përdorë vendimet e gjykatave për të tensionuar klimën politike në vend.
“Do kërkoja nga Edi Rama të mos përdor vendimet e gjykatave për të tensionuar artificialisht klimën politike në vend”.
Doda nënvizoi gjithashtu se integrimi evropian i vendit mbetet aspirata më e madhe për shqiptarët ndërsa u bëri thirrje deputetëve socialistë të votojnë 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli.
Sipas saj kryesocialisti Rama duhet të heqë pengesën ndaj kolegëve të opozitës që ata t`i votojnë 3 ligjet në Parlament. “Në një moment kur ka rënë çdo alibi për mosvotimin e tre ligjeve po tentohet që të krijohen justifikime te reja që të zëvendësojnë kauzën e dikurshme të qarkut të Fierit për të cilën tashmë nuk kujtohen më as vetë socialistët. Nuk ka justifikim që mund të pengojë rrugën e shqiptarëve drejt Europës. Qytetarët e Shqipërisë mund të shohin modelin që opozita afron 4 muaj para zgjedhjeve, që është modeli i bllokimit të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe ai i sulmit, dhunës mbi institucionet e një pushteti tjetër. Prioriteti i Shqipërisë dhe aspiratë e 90 për qind të shqiptarëve mbetet integrimi i vendit dhe marrja e statusit të vendit kandidat. Duke marrë parasysh këtë aspiratë të madhe kombëtare, këtë detyrim madhor për klasën politike shqiptare do kërkoja nga kreu i opozitës Edi Rama të hiqte pengesën ndaj kolegëve tanë të opozitës dhe të votonim tre ligjet e mbetura ende pezull me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Doda në një konferencë shtypi.