E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Heshtja dhe fshehja e Ramës rëndon më shumë skandalet e tij”

11-02-2013 / Gazeta 55

PD denoncon Edi Ramën për refuzimin e bërjes prej tij të transparencës së pasurive
 
Partia Demokratike i rikujton kreut të PS-së, Edi Rama se transparenca është detyrim i prerë ligjor. Këtë qëndrim selia blu e bazoi në faktin se prej më shumë se një muaj, Edi Rama refuzon të bëjë transparencën për, “origjinën e mbi 1 milion euro investim në pallatin në pajë pesëkatësh 900 metër katrorë sipërfaqe ndërtimi të familjes, burimi i 100 milion lekëve kredi pa interes që zonja Basha ka deklaruar në ILDKP, çmimin e vërtetë të tokës 8 mijë metër katrorë të truallit të rezidencës së tij me gjatësi themelesh 57 m në malin e Dajtit, deklaruar se është blerë me vlerën qesharake 1,3 euro metrin katror”. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi deklaroi se heshtja dhe fshehja e Ramës, rëndon gjithnjë e më shumë skandalet e tij.
“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, prej më shumë se një muaj fshihet dhe refuzon të bëjë transparencën që premtoi për disa afera  të tij korruptive personale dhe familjare siç janë: Origjina e mbi 1 milion euro investim në pallatin në pajë pesëkatësh 900 metër katrorë sipërfaqe ndërtimi të familjes. - Burimi i 100 milion lekëve kredi pa interes që zonja Basha ka deklaruar në ILDKP. - Çmimi i vërtetë i tokës 8 mijë metër katrorë të truallit të rezidencës së tij me gjatësi themelesh 57 m në malin e Dajtit, deklaruar se është blerë me vlerën qesharake 1,3 euro metrin katror. Unë jam sot këtu për ti kujtuar zotit Rama se çdo ditë heshtje dhe fshehje e tij, rëndon gjithnjë e më shumë skandalet e tij, prandaj i bëj thirrje zotit Rama që të mos fshihet, por ti paraqesë publikut që po pret me padurim faturat e parave që kanë deklaruar në tatime si dhe faturat e pagesave bërë firmës së ndërtimit nga investitorët e pallatit në pajë, vëllai i bashkëshortes tuaj i vetëpunësuar, sipas regjistrit tatimor dhe xhaxhai i saj pensionist, në rast se ato fatura ekzistojnë”, tha Vorpsi.
Ndërsa iu drejtua kryesocalistit se, “publiku po pret që ju të tregoni bankën dhe llogarinë bankare nga e cila janë bërë transaksionet e fondit të pallatit në pajë në rast se ajo ekziston”.
“Z. Rama, heshtja juaj si fije bari, mos paraqitja para publikut qoftë dhe të një fature të vetme tatimore ndërtimore bankare qoftë ajo, përforcon çdo ditë e më shumë dyshimet e forta se ju nuk keni fatura për të treguar se përse në pallatin në pajë, ju keni larë paratë e gjobave  që ju i keni vënë ndërtuesve apo paratë e krimit të organizatave kriminale me te cilat je i lidhur kokë e këmbë. Zoti Rama, Partia Demokratike ju rikujton se ligji për deklarimin e pasurive kërkon nga ju, të tregoni  çmimin e vërtetë të blerjes 8 mijë metër katrorë tokë në malin e Dajtit ku po ndërtoni sarajet verore, pasi çmimi qesharak prej 1,3 euro metrin katror apo 200 lekë, të akuzon shumë rëndë. Ju rikujtojmë se shumë më larg dhe vite më parë toka është shitur në ato zona sipas dokumenteve zyrtare, jo dy dollarë por së paku 22 dollarë, kurse ngjitur me truallin tuaj toka në kohën kur ju e keni blerë, është shitur edhe me 60 dollarë. Heshtja juaj e zgjatur zoti Rama, frika juaj nga transparenca, dëshmon se ju fshihni para tatimeve të vendit dhe LDKP-së shumën e vërtetë të parave të blerjes së truallit të sarajeve tuaja dhe kjo vetëm e vetëm se ju frikësoheni nga origjina e parave me të cilat keni blerë truallin e rezidencës suaj verore. Edhe një herë zoti Rama, Partia Demokratike ju rikujton se transparenca është detyrim i prerë ligjore. Asaj i fshihen vetëm ata që kanë frikë nga pasuria e tyre dhe origjina e saj!”, përfundon deklarata për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›