E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama ka frikë nga verdikti i qytetarëve, humbjen e vet dëshiron ta mbulojë me akuza banale”

29-05-2011 / Gazeta 55

Reagon PD-ja: Hipotezat e Ruçit për rivotim kryekëput mashtruese

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pas deklaratave të bëra nga kreu i grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi duke e cilësuar hipotezën e tij për rivotimin në Tiranë si kryekëput absurde, qesharake dhe mashtruese.
Nëpërmjet një konference për shtyp zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj përgënjeshtroi akuzat e bëra nga kryetari i grupit të PS-së, Rucit duke deklaruar se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha që ka marrë 81 vota më shumë se rivali i tij, nuk ka asnjë arsye ligjore dhe morale të kërkojë të mbysë zërin e qytetarëve, që i kanë dëshmuar atij mbështetjen më të madhe.
“Edi Rama ka një histori të gjatë të mospjesëmarrjes në procesin ligjor, të justifikimit të humbjes duke mos njohur votat që hidhen kundër tij, të akuzave, alibive për ta përbaltur këtë proces, në të gjitha rastet kur rezultati nuk është në favor të tij”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj.
Më tej ajo shtoi se të gjitha akuzat e artikuluara nga selia rozë u hodhën vetëm për të përbaltur procesin zgjedhor. Ky zotëri, u shpreh ajo, e zgjidh problemin duke ndërmarrë një seri akuzash absurde, vetëm e vetëm për të përbaltur procesin zgjedhor.
Duke ironizuar deklaratën e bërë nga socialisti Gramoz Ruçi, zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj theksoi se zëri i Gramoz Ruçit shtron problemin e mospërputhjes së tabelave të rezultateve, dhe për këtë mospërputhje, nuk ka paraqitur asnjë ankesë në Komisionin Zonal të Tiranës, ndonëse ligjërisht ka patur 72 orë afat. Gjithashtu ajo shtoi se, përveç kësaj, ai nuk paraqiti për këtë çështje, as edhe një ankesë të vetme, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse kishte 72 orë të tjera afat sipas ligjit, për të paraqitur çdo ankesë që dëshironte pranë këtij komisioni.
“Partia Demokratike u bën me dije qytetarëve shqiptarë se në përputhje me Kodin Zgjedhor, çdo forcë politike ka pasur të drejtën ligjore të paraqesë çdo ankesë, si para KZAZ-së së Tiranës ashtu edhe pranë KQZ-së, për çdo problem që kishte të bënte me procesin zgjedhor”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj.
Ndër të tjera ajo theksoi se  që nga data 23 maj deri më sot, Edi Rama në Kolegjin Zgjedhor dhe KQZ, ka paraqitur jo më pak se 5 ankesa disa prej të cilave absurde, që dje u detyrua t’i tërheqë sërish vetë duke mos paraqitur dot asnjë ankesë të vetme për mospërputhjen e të dhënave në tabela. Më tej në vijim të kësaj deklarate për mediat, Mustafaraj bëri me dije se, në qendrat e votimit, forcat politike kanë përfaqësim të balancuar, por mesa duket Edi Rama sërish do të ndërmarrë, sulmet për korruptimet e komisionerëve të PS, për të justifikuar humbjen e tij në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ajo nënvizoi se Rama do të ndërmarrë tashmë sulmin ndaj komisionerëve të tij për korrupsion, ashtu siç bëri për të justifikuar humbjen edhe në vitin 2009.
“Partia Demokratike thekson se pretendimet e sotme të Edi Ramës, të cilat nuk i paraqiten KQZ-së, dëshmojnë se ai ka frikë nga shqyrtimi i çdo tabele, sepse do ta fundosë atë më thellë, dhe humbjen e tij dëshiron ta mbulojë me akuzat banale për korruptimin e komisionerëve. Partia Demokratike ka ftuar qytetarët shqiptarë t’i shtrojnë një pyetje zotit Rama. ‘Pse Partia Socialiste nuk i ngriti këto probleme në afatin kohor të ankimimit në KZAZ dhe KQZ, prej 144 orësh, apo pritët që në emrin tuaj t’i ngrejë Partia Demokratike?’”.
Përmes zëdhënëses së selisë blu Partia Demokratike thekson se pretendimet e fundit të Ramës, të cilat nuk i paraqiten KQZ-së, dëshmojnë se ai ka frikë nga shqyrtimi i çdo tabele, për shkak të frikës nga humbja në këtë betejë.
“Ne kemi besim se shqiptarët dinë të lexojnë mirë, përpjekjet e Edi Ramës, i cili për dy vite me radhë, kërkoi rinumërimin e votave, për zgjedhjet e vitit 2009, edhe pasi Gjykata për mungesë faktesh e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë”, deklaroi me tej zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj.
Në përfundim të kësaj deklarate për mediat, duke u fokusuar tek kreu i socialistëve Rama, ajo ritheksoi se që nga data 8 maj deri më sot, Rama nuk shqipëron qoftë edhe një herë të vetme, fjalën rinumërim votash, ndonëse nuk ka asnjë vendim gjykate për zgjedhjet vendore të vitit 2011. Ai nuk guxoi dot ta shqipërojë këtë fjalë, sepse e di që çdo proces vetëm thellon humbjen e tij në zgjedhjet e 8 majit, theksoi në fjalën e saj zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›