E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama dhe nevoja për Gramoz Ruçin

29-05-2011 / Gazeta 55

Pas një muaji karantinë, humbja e zgjedhjeve e ka vënë në dyshim pushtetin e Edi Ramës brenda PS-së. Ai ka rinxjerrë në skenë Gramoz Ruçin, stekën përfaqësuese të diktaturës, duke ndalur rotacionin e parashikuar me Erion Veliajn. E majta gjendet në prag të shkërmoqjes, prandaj synimi i vetëm politik mbetet bashkimi i të gjitha segmenteve të ish-bolshevikëve si dhe të brezit të dytë të Bllokut    


Gramoz Ruçi doli sërish dje. Çuditërisht, pas zërave se ai kishte ngrënë dru, aq sa u bë edhe për në spital, Gramoz Ruçi doli sërish dje, në mbështetje të kauzës së Edi Ramës. Dalja e tij, ndërsa mund të lexohet e komentohet si një ndjesë që Edi Rama i ka kërkuar, për urdhrin për dhënies dru Gramzo Ruçit, kurrsesi nuk mund të lexohet e komentohet si një dalje thjesht dhe vetëm për të prodhuar ndonjë lajm. Sepse, sepse, ai vetëm lajm nuk prodhoi dje, kur për pretendimet e PS-së, më parë se të bënte zhurmuesin, duhet të konsumonte të paktën të drejtën e ankimimit në KQZ, apo në Kolegjin Zgjedhor. Por, këtë Gramoz Ruçi, si edhe PS-ja nuk e ka bërë. Sigurisht ai dje doli, jo për të amplifikuar zhurmën e radhës, për mospranimin e radhës të humbjes së zgjedhjeve të radhës nga Edi Rama. Ai (Gramoz Ruçi), doli dje, për të treguar se sërish është aty, në krye të kupolës drejtuese të PS-së, i rehabilituar sërish nga Edi Rama. Këtë mesazh, dëshiroi, tentoi dhe përcolli dje Edi Rama, nëpërmjet Gramoz Ruçit. I ardhur në krye të PS-së me investimin dhe mbështetjen e bllokmenëve të mbetur, apo edhe të trashëgimtarëve të tyre, Edi Rama pasi likujdoi politikisht një pjesë të tyre në zgjedhjet e qershorit 2009 (shembulli më i mirë është Skënder Gjinushi, të cilit i është harruar edhe emri edhe logoja e partisë), kishte menduar se në zgjedhjet e majit të këtij viti, ti bënte dhuratë vetes, këputjen e vargonjve të bllokmenëve, që e mbajnë ende peng. I fundmit që i kishte mbetur, si “bllokmen pengmarrës”, ishte Gramoz Ruçi. Ndaj edhe Edi Rama, i sigurt se në datën 9 maj 2011, nuk do të kishte më nevojë për Gramoz Ruçin, me një “lëvizje gishti”, i përcolli atij një mesazh, bashkë edhe me dhunën fizike brenda, për ta shmangur nga punët drejtuese të PS-së. Sigurisht, Edi Rama kishte gati edhe “lojtarin rezervë”, i cili as më shumë e as më pak, është Erion Veliaj. Duket, Edi Rama i cili, “i kishte bërë hesapet pa hanxhinë”, shpejt kuptoi, se Erion Veliaj, nuk është as i zoti, sa të kapërcejë kangjellat e KQZ-së dhe jo më të pretendojë se mund të zëvendësojë Gramoz Ruçin. Ndaj edhe Edi Rama mori kthesën menjëherë. Duke kuptuar se bllokmenët e mbetur, por edhe trashëgimtarët e tyre, janë investim i rëndësishëm për mbajtjen e tij (Edi Ramës) në krye të PS-së, ndërsa një pjesë të tyre i ndërseu të kapërcenin kangjellat e KQZ-së, pjesën tjetër, ku Gramoz Ruçi është një përfaqësues i tyre, i rehabilitoi, pas drudhënies në formë mesazhi, duke qenë i detyruar kështu, të lëpijë atë që kishte vjellë. Nga dje, Gramoz Ruçi nuk do të shihet thjesht dhe vetëm si një gjynahqar që e rrahin, sa e bëjnë për në spital. Por ai do të jetë tashmë ‘truri”, që do mbysë “zërat kundër” në PS, ndërsa për ironi të fatit (por, jo të Gramoz Ruçit), ata që dhunuan fizikisht Gramoz Ruçin, do të jenë ushtarët e tij (Gramoz Ruçit), të gatshëm për të “mos bërë dy”, urdhrat e ish-viktimës së tyre. Backgroundi i Gramoz Ruçit eshtë kusht më se i mjaftueshëm, që për deri sa Edi Rama ka ende nevojë për atë, edhe të gjithë të tjerët në PS (përfshi edhe Erion Veliajn) ta kuptojnë se, me hir apo me pahir, edhe ata duhet të kenë nevojë për atë (Gramoz Ruçin)..., për të mos pasur nevojë për mesazhdërguesit-ushtarë të Gramoz Ruçit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›