Tjetër pehlivanllëk socialist, për të ndalur leximin e rezultatit të 8 majit

Paralajmërimet për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor të 8 majit, janë një tregues mjaft i qartë i rikthimit të kauzës së dështuar të socialistëve, për t’u shfajësuar në sytë e opinionit publik me idenë se ata fituan, edhe pse humbën bashkinë e Tiranës si dhe u renditën 140 mijë vota pas koalicionit “Aleanca për Qytetarin”
Kanë nisur sërish pretendimet e Partisë Socialiste për mos pranim të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Edhe pse është një kauzë e vjetër kjo e Partisë Socialiste, të ngjason më tepër me një lojë e cila ndiqet rregullisht pothuajse çdo cikël apo periudhe kohore që zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Megjithëse këto zgjedhje u cilësuan nga ndërkombëtarët si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, kryesocialisti Rama ka nxjerrë sërish pretendimet e radhës duke mos u pajtuar aspak me ligjin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të ligjit nxori fitues kandidatin e mazhorancës Lulzim Bashën për Bashkinë e Tiranës, kreu socialist Rama duket s’do të marrë parasysh asgjë me nismën që ka marrë duke e çuar këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor. Por sërish Edi Rama ka vënë kushte të tilla që nuk e lejojnë Shqipërinë të ecë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Pak ditë më parë Rama deklaroi se nëse kolegji zgjedhor nuk do i japë atij Bashkinë e Tiranës, ai nuk e do njohë këtë vendim, por me pak fjalë do veprojë sipas kokës së tij. Ai do ndërmarrë protesta në të gjithë Shqipërinë dhe do të ngre popullin në këmbë. Lind pyetja për çfarë do t’i bëjë Rama të gjithë këto? A janë të të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve protestat? Çfarë i kanë sjellë protestat e organizuara nga kreu socialist shqiptarëve? Ato veçse kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe u kanë trazuar jetën qytetarëve shqiptarë. Deklaratat e pabaza të kryesocialistit Rama bien ndesh dhe në kontradiktë me ato çka Rama deklaron çdo ditë nëpër media. Nga njëra anë ai ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve dhe i ka cilësuar si tepër të rëndësishëm partnerët ndërkombëtarë dhe nga ana tjetër ai po tenton t’i shpërfill ata, duke mos zbatuar asnjë rekomandim të tyre të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë luajtur një rol shumë konstruktiv, duke u bërë thirrje palëve politike për dialog politik. Gjë të cilën Rama nuk dëshiron ta bëjë. Me qëndrimin e tij Rama po tenton kështu të mos marrë parasysh as votuesit shqiptarë të cilët kanë bërë zgjedhjen e tyre në 8 maj dhe as këshillat dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për qetësi dhe pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Kolegji Zgjedhor. Pretendimet e Ramës duket se do të rinisin sërish kauzën e para dy viteve me pretendimet e hapjes së kutive të zgjedhjeve të 29 qershorit të 2009-ës, ndërsa tani ato rifillojnë me një cikël të ri, me protesta për mos hapjen e tyre pasi siç dihet Rama i trembet të vërtetës së tyre.