E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: “Dashuria e krishterë nuk është thjesht filantropi, as ideologji, por dhurim i plotë i vetvetes”

29-05-2011 / Gazeta 55

Të jeni dëshmitarë të dashurisë së Zotit, duke e shtrënguar fort lidhjen me Mësimet e Kishës: kjo është porosia që Ati i Shenjtë u dha sot paradite, pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, duke i pritur në audiencë, në Vatikan, me rastin e 60-vjetorit të themelimit. Papa i nxiti besimtarët laikë t’i mbrojnë vlerat e padiskutueshme me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare.b Në fillim të takimit, Benediktin XVI e përshëndeti, në emër të pjesëmarrësve, kardinali Oskar Rodríguez Maradiaga, i rizgjedhur kryetar i Karitasit Ndërkombëtar. “Dëshmimi i dashurisë së Zotit dhe lidhja e ngushtë me Kishën”: ky - theksoi Papa - është tipari themelor dhe forca e Karitasit Ndërkombëtar. E më pas, vuri theksin mbi ndihmesën që jep organizmi për një vizion të drejtë antropologjik, të ushqyer nga doktrina katolike e të impenjuar për të mbrojtur dinjitetin e çdo jete njerëzore. Pa një bazë të fortë transhendente, pa lidhje me Zotin krijues, vërejti Papa, rrezikohemi të biem pre e ideologjive të dëmshme. E më pas ripohoi se Karitasi Ndërkombëtar duhet ta luajë rolin e vet, si forcë që thellon bashkimin ndërmjet Kishës universale e Kishave të veçanta, ashtu si dhe unitetin e të gjithë besimtarëve në ushtrimin e dashurisë së krishterë. Njëkohësisht - vijoi Ati i Shenjtë - është i thirrur të japë ndihmesën e vet për ta bërë të pranishëm mesazhin e Kishës në jetën politike e shoqërore, në plan ndërkombëtar. Në sferën politike - pohoi Benedikti XVI - besimtarët, e posaçërisht laikët, gëzojnë liri të madhe veprimi: Por askush – sqaroi Ati i Shenjtë - nuk mund të pretendojë të flasë zyrtarisht në emër të mbarë laikatit e të të gjithë katolikëve, mbi çështje të hapura për diskutim të lirë. Nga ana tjetër - vërejti Papa - çdo katolik, madje çdo njeri, është i thirrur të veprojë me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare për të mbrojtur me vendosmëri ato vlera, të cilat shpesh i kam quajtur “të padiskutueshme”, që nuk mund të shiten, e as të blihen. Ja pra, pse Karitasi Ndërkombëtar është i thirrur të punojë për edukimin e njerëzve të aftë për t’ua hapur zemrën të gjithëve, në mënyrë që secili, duke respektuar plotësisht lirinë e vet e duke kryer ndershmërisht detyrat e veta personale, të kontribuojë kudo e kurdoherë për të mirën e përbashkët e, posaçërisht, për të mirën e njerëzve më nevojtarë. Pastaj Papa foli gjatë për tiparet dalluese të Karitasit Ndërkombëtar: Të jesh në zemër të Kishës; të jesh në gjendje, në një farë mënyre, të flasësh e të veprosh në emër të saj - theksoi Papa - do të thotë të marrësh mbi vete një përgjegjësi të rëndësishme në këndvështrimin e jetës së krishterë, si personale, ashtu edhe komunitare. E shtoi: vetëm mbi bazën e impenjimit për ta pranuar e për ta jetuar plotësisht dashurinë e Zotit, mund të mbrohet dinjiteti i çdo njeriu: Në Enciklikën time të parë “Deus Caritas est”- vijoi Benedikti XVI - desha të pohoj se dëshmia e dashurisë së krishterë është zemra e Kishës së kohëve tona. Përmes kësaj dëshmie, Kisha arrin tek miliona burra e gra dhe u krijon mundësinë ta njohin e ta prekin me dorë dashurinë e Zotit, që është gjithnjë pranë njeriut nevojtar. Për ne të krishterët - shtoi akoma Benedikti XVI - Zoti vetë është burim bamirësie, e bamirësia nuk kuptohet vetëm si filantropi e papërcaktuar, por si dhurim i vetvetes, deri në flijimin e jetës, po të jetë nevoja, për të ndihmuar të tjerët, duke ecur kështu në gjurmët e vetë Jezu Krishtit: “Karitasi Ndërkombëtar – shpjegoi më pas Papa - ndryshon nga agjencitë e tjera shoqërore, sepse është organizëm kishtar, që bën pjesë në misionin e Kishës. Këtë - tha Benedikti XVI - e deshën gjithnjë papët, e këtë duhet ta pohojë me forcë edhe asambleja juaj. Duke kujtuar se Karitasi Ndërkombëtar përfshin Karitaset e ndryshme kombëtare, që i ndihmojnë ipeshkvijtë në ushtrimin e veprimtarisë bamirëse, Papa vuri theksin mbi përgjegjësinë e veçantë kishtare të ipeshkvijve e të Kishës, që duhet t’i prijnë çdo veprimtarie bamirëse. Selia e Shenjtë - vijoi Papa - e ka për detyrë ta ndjekë nga afër punën e Karitasit e edhe ta kontrollojë, që si veprimtaria e tij humanitare, ashtu edhe ajo e dashurisë së krishterë, siç theksojnë edhe dokumentet përkatëse, të jenë në përkim të plotë me Selinë Apostolike e me mësimet e Kishës dhe të mbarështohen në mënyrë transparente. Pikërisht ky tipar dallues - përfundoi Benedikti XVI - është forca e Karitasit Ndërkombëtar e, njëkohësisht, edhe burimi, që i siguron veprimtarisë së tij fryte të begata.
Papa: Muzika e Listit është himn besimi në Zotin/Në përfundim të koncertit mbajtur në Vatikan nga Orkestra Filarmonike Kombëtare Hungareze, Grupi Koral Kombëtar dhe tenori István Horvath, që interpretuan tre kompozime të famshme të Listit e të Zoltan Kocsis, që Hungaria deshi ti ofronte në shenjë nderimi Papës e mirënjohjeje ndaj Selisë së Shenjtë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI falënderoi për këtë dhuratë të bukur e kujtoi fjalët e vetë Listit, i cili, kur kompozoi Meshën Solemne, pati shkruar: “Mendoj se muzika e kësaj Meshe është më shumë lutje, se kompozim, ose më mirë, e luta më parë, e pastaj e kompozova”. Në përfundim, Ati i Shenjtë falënderoi Presidentin hungarez dhe grupin që e shoqëronte, për koncertin dhe për fjalët e mira, që i drejtoi në fillim të shfaqjes. Listi - kujtoi Papa - është një nga pianistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, kompozitor gjenial, e jo vetëm i muzikës për pianoforte, por edhe i muzikës kishtare e simfonike, siç e dëgjuam edhe në këtë koncert. Në pjesët, që ndoqëm, ndjehet fort shpirti listian, përmes zërit të seksioneve të ndryshme, që formojnë shoqërimin orkestral. Të gjitha instrumentet së bashku formuan një harmoni të vetme muzikore. E ndjemë fort këtë harmoni, që buron nga takimi me bukurinë e që të ngjall një gamë të vërtetë ndjenjash: nga gëzimi festiv i marsheve, tek meditimi i pjesës së dytë e deri tek atmosfera muzikore e lutjes, për të cilën na ftuan tingujt e Ave Marisë.
Më pas, Papa kujtoi edhe Psalmin XIII, krijuar kur Franc List jetonte në Romë; periudhë në të cilën kompozitori gjenial e jetoi fenë me gjithë forcën e shpirtit, aq sa të krijonte disa nga kryeveprat e muzikës kishtare. Është Psalm i kënduar nga një njeri, që jeton çaste të vështira, i rrethuar nga armiku, i harruar nga të gjithë, në sa Zoti duket tejet larg. E lutja kthehet në ankth, në ndjesi braktisjeje. Prej këndej shpërthen britma, edhe muzikore, “E deri kur, o Zot?”, që përsëritet katër herë nga tenori e nga kori. Është britma e njeriut dhe e njerëzimit, që e ndjen fort peshën e së keqes mbi botë. Këtë ndjesi të barrës së rëndë të së keqes e të ankthit na e përcjell mrekullisht muzika e Listit - kujtoi Papa e shtoi: por këtu muzika shndërrohet; tenori e orkestra i lartojnë një himn besimi Zotit, që nuk tradhton kurrë, nuk braktis kurrë, nuk të lë kurrë vetëm. Në përfundim Benedikti XVI kujtoi fjalët e vetë Listit, i cili, kur kompozoi Meshën Solemne, pati shkruar: “Mendoj se muzika e kësaj Meshe është më shumë lutje, se kompozim, ose më mirë, e luta më parë, e pastaj e kompozova”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›