E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, kryetari pa rivalë

Arben Rrozhani

-Afro dy muaj pas uljes në kolltukun e kryeministrit të vendit, Edi Rama do të shkojë sërish drejt sfidës personale, kësaj radhe për mbajtjen e postit të kreut të partisë së parë në bashkëqeverisje. Sipas kalendarit të zgjedhjeve në PS, 26 shtatori do të jetë dita kur kryetarit të partisë i mbaron mandanti 4-vjeçar dhe duhen bërë zgjedhje të reja nga forumet. Do të jetë Asambleja Kombëtare e PS-së që duhet të mblidhet brenda 15 ditëve dhe të vendosë thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të vendosë për kandidaturat për kryetar dhe caktimin e datës së votimit.

Këto do të jenë zgjedhjet e dyta sipas parimit “një anëtar një votë” që kryen anëtarësia socialiste që kur Edi Rama mori drejtimin e partisë dhe të pesta ku ai është kandidati, ndërsa mandati i ardhshëm i tij do të jetë i katërti në krye të partisë më popullore në vend.

Përtej statistikës, votimi i ardhshëm për kreun e PS-së, nuk do të shpëtojë të mbetet thjesht një statistikë për kreun aktual të PS-së, partinë që ai drejton dhe politikën në vend.

Nga një dekadë më parë kur ai garoi përballë ish-kyetarit asokohe kryeministër, Fatos Nano, karriera e Ramës në PS ka patur ndalesa, por jo kthime pas. I humbur në sfidën e parë përballë kryeministrit Nano dhe ish-presidentit Meidani, Rama fitoi vetëm pas dy vitesh përballë këtij të fundit, ndërsa ish-kryeministri kishte humbur zgjedhjet dhe ishte nisur për pensionin e pakthyeshëm politik. Dy vite më vonë ai do të fitonte edhe gjysmën tjetër të mandatit përballë një kandidati anektodik si Shkëlqim Meta, i njohur për protestën te selia e PS-së me moton “duam formularin” përballë Fatos Nanos në vitin 2001. Pas zgjedhjeve të kontestuara të 28 qershorit 2009, ku PS-ja mbeti sërish në opozitë, edhe pse partia më e votuar, Rama u detyrua të jepte sërish dorëheqjen, duke respektuar statutin e partisë, por e fitoi garën përballë një rivali të shtuar në garë, duke fituar shumicën absolute të votave.

Risia e kësaj gare, ku ai do të marrë mandatin e katërt për katër vitet e ardhshme në krye të partisë është se ai vjen si kryeministër dhe fitues i një gare që i bëri “plaçkat” e pensiot politik politikanit më të vjetër të të djathtës, kryeministrit në ikje, Sali Berisha.

Zgjedhjet brenda partisë do të jenë thjesht një angari më shumë për kryeministrin që do të nisë pas dy javësh qeverisjen në një vend me 1001 probleme të lëna nga qeverisja në ikje e Sali Berishës. Dhe si të tilla nuk meritojnë as vëmendje dhe as konsumim energjie politike dhe elektorale. Kreu i PS-së është fitimtari i zgjedhjeve të 23 qershorit që i dhanë fund ciklit tranzitor 23-vjeçar të dy “dinosaurve” të politikës së vjetër Nano-Berisha, duke vulosur daljen edhe të të dytit jashtë vendimmarrjes në emër të shqiptarëve. Ish-kreu i PD-së (de jure) do të jetë një deputet i thjeshtë në Kuvend dhe te SHQUP-i ku ka rrëmbyer selinë e re të partisë ka lënë një forcë politike të katandisur në opozitën më mjerane, që mund të krahasohet vetëm me atë që doli pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997. Rreth tij janë disa parti aleate, që do të donin, për hir për përfitimeve personale, që të ishin pjesë e qeverisjes së re dhe që nuk kanë as moral dhe as kapacitete politike që të bëjnë opozitarizëm, përveç deklaratave bombastike të tipit Mediu-Ndoka.

Ai është kryeministri i ardhshëm që bashkoi në një front opozitar koalicionin më të madh në historinë e PS-së, duke marrë mbi 1 milion vota, që e kthyen 23 qershorin, në një votë plebishitare kundër Berishës që konsumoi edhe tetë vite të tjera në kurriz të të mirave materiale të vendit dhe pasurisë së shqiptarëve. PD-ja e mbetur pas kësaj vote është shndëruar në një sh.p.k., që përgjatë muajit gusht kishte pikësynim të vetëm të rrëmbente një aset publik si Shtëpia Qendrore e Ushtrisë për ta përdorur si seli partie dhe për privatizonte me VKM-ra dhjetra prona të tjera publike që ishin në inventarin e ministrive.

Me një kostum të tillë kryefitimtari, Edi Rama, do të duhet ndoshta ta kalonte këtë sfidë, me një rikandidim statistikor, duke kursyer një garë me rivalë të sajuar të tipit Maqo Lakrori dhe me votime “një anëtar një votë”, që gjithsesi nuk do të shpëtojë pa u bërë. Sigurisht pa lënë atë shijen e hidhur që la votimi pararendës për kryetarin e emëruar të PD-së, Basha, sepse këtë radhë bëhet fjalë për kryetarin që e ka merituar votën dhe besimin e familjes socialiste, të rikthyer në pushtet pas tetë viteve të vështira në opozitë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›