E Diel, 1 Nëntor 2026

Të mos kemi frikë të shpresojmë

magdaNga Magdalena Ramohito

Imagjinata mbjell brerjen e ndërgjegjes mbi rrënojat e mëkatarit. Ajo bën pra, që krimi të mbartë me vete ndëshkime të fshehta. Me përmbysjen e gjërave, as të ligjtë ndëshkohen, as të mirët shpërblehen: të fortët fitojnë, të dobëtit humbasin. Kjo është e vërteta.

A nuk është kjo përvoja jonë e përbashkët pas çdo përmbysje regjimesh?

Po unë desha të analizoj të ashtuquajturën përmbysje të komunizmit në vitin 1992, kur shumica e shqiptarëve pushtuan sheshe e konvikte, duke organizuar greva urie, madje tentuan edhe të konfrontoheshin fizikisht me shtetin e armatosur, sepse thellë besonin se ishte momenti për të larë ndërgjegjen e tyre përpara vetes, Zotit e fëmijëve të tyre.

Kështu, së bashku në shumicë të madhe rrëzuam/u rrëzua ajo marrëzi e krijuar nga paraardhësit tanë, të cilët u munduan deri në fund ti vendosnin asaj këmbë edhe duar, por ajo prapë sqëndronte dot dhe u rrëzua duke na zënë nën vete, pra, si të thuash, mbeti mbi shpatullat tona.

Ne festuam, qamë me lot djegës kur rrëzuam statuja e shenja të tjera që identifikoheshin me atë që rrëzuam, e ne fund fare e kuptuam se qamë për iluzionin tonë.

Ai ishte dhe mbeti një iluzion me gjithë zhvillimet e pamohueshme, sepse sot mbas 23 vjetësh ne të gjithë nuk kemi prekur ato ëndrra për të cilat mbushëm sheshet, pra ëndrra jonë nuk ishte: të fituarit të ishin më të fortët dhe të humburit të ishin më të dobëtit

Politikanët e këtyre 23 vjetëve nëpër intervista me qetësi shpjegojnë se një nga arsyet ishte mungesa e përvojës (por dihet se nuk është ajo e vetmja).

Në fakt përvoja nuk ka vlerë etike. Ajo sështë veçse një emër që njerëzit u japin në përgjithësi gabimeve të tyre. Moralistët janë përpjekur ti japin asaj një vlerë etike dhe e kanë quajtur si një lloj paralajmërimi, e kanë trumbetuar atë si diçka që na mëson rrugën, që ndjekim dhe sa duhet ti shmangemi; kurse realisht përvoja nuk mund të ketë forcë vepruese. Ajo në fakt është si një shtytje e parëndësishme në krahasim me vetë ndërgjegjen.

Në fakt është provuar gjithçka se e ardhmja jonë mund të rrjedhë siç qe edhe e kaluara dhe që, në mëkatin që ramë njëherë me neveri, do ta bëjmë edhe shumë herë të tjera me kënaqësi.

Jemi në kthesë historike, ku duam të dalim prej të shkuarës për të rilindur siç është edhe LOGOJA e partisë më të madhe fituese.

Nga njëra anë rreziku se mund të përsërisim përvojën aspak të lavdishme dhe nga ana tjetër të zbulojmë ide të reja.

Një pjesë do të ishte dakord për të parën, por shumica, pra më të dobëtit, do të parapëlqenin të dytën.

Nëse një fatkeq shpreh një ide të tijën- gjë kjo njëherë e rrezikshme, askush nuk kujdeset të kërkojë nëse ideja ka qenë e mirë apo e keqe, por menjëherë fillon e merret me vetë personin. E vetmja gjë që ka rëndësi është: të zbulohet mendimi i fshehtë i atij që flet; ndërsa e kundërta, e kundërta është e vërtetë: vlera e një ideje ska të bëjë fare me sinqeritetin e atij që e shpreh. Madje mund të rastisë që sa më pak i sinqertë të jetë njeriu që shpreh idenë, aq më shumë e vlefshme mund të jetë ideja, pse nuk ka brenda saj nevojat, dëshirat, dhe paragjykimet personale të atij që e ka shprehur.

Unë besoj se ka ardhur koha e ideve, të cilat nuk duhet të paragjykohen nga kush person propozohen. E rëndësishme është që ajo ti shërbejë të gjithëve.

Sot ka nga shumë nga ata që shpresojnë se ka shumë ide të mira dhe se ato do të bëhen realitet me një vullnet të mirë. Ka nga ata, që nuk duan fare ide por vazhdojnë: O Sali tu bëfsha ferrë, merr pushtetin dhe njëherë.

Ka nga ata që mendojnë se idetë janë një forcë e madhe, por më parë duhet bërë një pastrim i madh i gjithë institucioneve, nga ish/janë dallkaukët, dallaveraxhinjtë, ata që vegjetojnë, që nuk kanë çtë ofrojnë sepse kurrë nuk kanë ofruar ndonjë gjë për së mbari.

Pastrimi i institucioneve dhe madje pa dhimbje, krijimi i një sistemi të tillë, që të mos lejojë asnjë horr të guxojë të vendosë majën e këmbës në shkallën e parë të një institucioni, por vetë sistemi ta zërë prej xhakete e ta zbresë menjëherë poshtë.

Peter Druker, profesor i menaxhimit, thekson se: çdo element hyn në sistem për të shtuar vlerë, në të kundërt ai del automatikisht jashtë këtij sistemi.

Nëse ndodh kjo, ne duhet të shpresojmë se e shkuara nuk do të përsëritet, përkundrazi shumë gjëra do të rilindin, veçse nuk duhet të kemi frikë të shpresojmë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›