E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, macja e zezë e bizneseve”

24-03-2013 / Gazeta 55

Reagon Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë

Zëvendësministrit i Ekonomisë, Eno Bozdo, ka deklaruar se kreu i PS Edi Rama është delja e zezë e biznesit vendas.  Në një konferencë për mediat zëvendësministri i METE ka reaguar në lidhje me shkrimin e kreut të Partisë Socialiste në blogun e tij.
Sipas tij, këto ditë kryeministri Berisha vijoi të prezantojë zgjidhje konkrete dhe realiste për të krijuar vende pune, duke investuar në infrastrukturë, rrugë, porte, energji e sisteme vaditëse,fabrika etj.
“Vetëm në rrugët e të gjitha kategorive që nga projektimi nga hedhja e betonit, deri tek linjat e transmisionit të energjisë apo montimi i tubacioneve janë punësuar direkt 45 mijë Shqiptarë vetëm në një vit. Dhe akoma më shume vende pune janë krijuar nga rritja ekonomike dhe infrastruktura e re”, deklaroi Bozdo.
Ndërsa më pas zëvendësministri Bozdo vuri në dukje se Edi Rama i detyroi deputetet e tij të votojnë kundër çdo fondi që krijoi këto 45 mijë vende pune.
“Zoti Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër fondeve për ndërtimin e 10 mijë kilometrave rrugë. Zoti Rama i detyroi deputetet e tij të votojnë kundër ndërtimit të 16 impianteve të vaditjes. Zoti Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër ngritjes së terminalit të pasagjerëve në Durrës. Zoti Rama i detyroi deputetët e tij të votonin kundër të gjitha uljeve të taksave dhe reformave të përmirësimit të klimës së biznesit. Zoti Rama i detyroi deputetët e tij të votonin kundër të gjitha koncesioneve dhe është zotuar ti anulojë ato”, theksoi ai. 
Ndër të tjera, duke bërë kështu, u shpreh Bozdo,  “zoti Rama nuk bëri gjë tjetër veçse votoi kundër hapjes se çdo vendi pune për punëtorët e ndërtimit, për punëtorët e autostradave, kamionistët, punëtorët e porteve, punëtorët e fabrikave dhe sipërmarrësit, sepse e vetmja punë për të cilën Rama ka merak, është si të jetë i punësuar vetë në Partinë Socialiste”.
Ndërkohë sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Rama bëri të pabërën kur tha se rrugët nuk krijojnë vende të reja pune.
“A mendon zoti Rama se ne nuk duhet të vazhdojmë të ndërtojmë rrugë të reja? A mendon ai në të vërtetë se infrastruktura nuk hap vende pune? A do t’ua thotë publikisht këtyre 45 mijë shqiptarëve që u punësuan direkt në këto projekte, apo dhjetëra mijëra të tjerëve që do të punësohen në te ardhmen, apo do të fshihet prapa blogjeve dhe ideve që i vijnë nga dhoma e tij e ndenjes, ngjyrë manushaqe?”, pyeti ai.
Në fund të deklaratës së tij, zëvendësministrit i METE vlerësoi se është fare e qartë se zoti Rama nuk ka idenë më të vogël se si krijohen vendet e punës dhe klima e favorshme për zhvillimin e bizneseve.
“Në fakt prej tij nuk pritet më shumë. Nëse do ta dinte se si krijohen vendet e punës, nuk do të nxirrte të ashtuquajturin plan për rritje taksash, plan i cili krijon papunësi dhe e ka shndërruar Edi Ramen në macen e zezë të biznesit shqiptar. Partia Demokratike do të vijojë të investoje në infrastrukturë për të krijuar sa më shumë vende pune, duke e bërë jetën e çdo qytetari akoma më të mire”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›