E Diel, 1 Nëntor 2026

Stimulimi për një borxh miqësor

24-03-2013 / Nga Robert J. Shiller

Disa forma të stimulimit miqësor të borxhit mund në fund të fundit t’i joshin votuesit, në rast se ata mund të binden se rritja e taksave jo domosdo nënkupton vështirësi apo centralizim të shtuar të vendimmarrjes. Nëse dhe kur njerëzit e kuptojnë se kjo nënkupton nivel të njëjtë mesatar të pagave pas tatimit, plus përfitimet nga vendet e tjera të punës dhe të prodhimeve shtesë të shpenzimeve qeveritare (siç janë hekurudhat e reja), ata mund të pyeten me të drejtë se pse fare e kanë provuar stimulimin në ndonjë mënyrë tjetër

Me pjesën më të madhe të ekonomisë globale dukshëm të kapur në kurthin e një krize të gjatë dhe të dhembshme të nxitur nga kursimet, ka ardhur koha që të pranojmë se ky kurth është i gjithi i shkaktuar nga vetë ne. Jemi vetë ne ata që e konstruktuam atë nga sjelljet e pafat, derisa mendoheshim se si ta menaxhojmë borxhin publik në rritje. Njerëzit i kanë zhvilluar prej vitesh sjelljet e bazuara në përvojat e vetë familjeve apo miqve të tyre: kur kanë probleme me borxhe, atëherë kursejnë dhe kalojnë nëpër një periudhë të shtrëngimeve derisa pesha (borxhi karshi të ardhurave) të reduktohet. Me këtë nënkuptohet se nuk do të ketë më dreka jashtë shtëpie për një kohë, nuk do të ketë vetura të reja dhe as rroba fringo. Kjo duket si një mënyrë e zakontë – madje edhe vlerë morale – për t’iu përgjigjur halleve financiare. Mirëpo, derisa një afrim i tillë ndaj borxhit funksionin mirë për një familje të vetme në telashe, ai nuk funksion fare edhe për një ekonomi të tërë, pasi që shtrëngimi i shpenzimeve vetëm sa e përkeqëson problemin. Ky është një paradoks ekonomik: shtrëngimi i rripit bën që njerëzit të humbin vendet e tyre të punës, për shkak se të tjerët nuk i blejnë prodhimet e tyre, kështu që pesha e borxhit rritet, në vend se të bjerë. Ekziston një mënyrë për dalje nga ky kurth, mirëpo vetëm në rast se bazohet në diskutimin e asaj se si ta ulim proporcionin e dallimit ndërmjet borxhit dhe GDP-së pa kursime – që nënkupton taksa më të larta dhe shpenzime më të ulëta – dhe drejtohemi nga stimulimi miqësor i borxhit: që do të thotë rritje edhe më e madhe e taksave dhe e shpenzimeve qeveritare në të njëjtin proporcion. Në këtë mënyrë, proporcioni borxh-GDP bie, për shkak se emëruesi (prodhimi ekonomik) rritet, jo për shkak se numëruesi (shuma totale që qeveria ka marrë hua) ka shënuar rënie.
Një lloj i tillë i stimulimit të mençur përballet me paragjykime të forta. Për fillestarët, njerëzit i shohin taksat si shkelje të neveritshme të lirive të tyre, mu ashtu siç burokratët zemërngushtë do t’i shpenzojnë pashmangshëm të ardhurat e shtuara te nëpunësit dhe programet e padobishme dhe joefektive qeveritare. Mirëpo, puna shtesë jo domosdo përfshin vetëm nëpunësit qeveritarë, edhe qytetarët mund të kenë një zë në atë se si duhen drejtuar shpenzimet. Njerëzit po ashtu besojnë se rritjet e taksave realisht nuk mund të jenë vetëm mjete të përkohshme në një krizë ekonomike dhe se duhet të shihen si një hapje e pykës, e cila duhej shmangur në çdo mënyrë. Historia tregon, megjithatë, se rritjet e taksave, nëse përcaktohen shprehimisht si të përkohshme, më vonë në të vërtetë dalin të jenë krejt e kundërta. Kështu ndodh pas luftërave të mëdha, për shembull. Duhet vërtet t’i marrim në konsideratë çështjet e tilla, kur tentojmë të kuptojmë se pse, për shembull, votuesit italianë e mohuan muajin e kaluar ekonomistin e matur, Mario Monti, i cili u imponoi atyre kursime, duke ua rritur tatimet mbi prona. Italianët e kanë shprehi të mendojnë se rritja e taksave shkon kryesisht për pagesën e investuesve të pasur, e jo të shërbimeve qeveritare, si për rrugë dhe shkolla më të mira. Politikat “keynesiane” të stimulimit përshkruhen zakonisht si shpenzime deficitare, jo si shpenzime të financuara nga taksat. Stimulimet nga shkurtimet tatimore duken si pothuajse të ndërtuara mbi mashtrim, për shkak të ndikimit që kanë në konsum dhe pasi që shpenzimet e investimeve duken se u kërkojnë individëve të harrojnë se do të tatohen më vonë për shpenzimet publike të së sotmes, kur qeveria ta paguajë borxhin me interes. Sikur individët të ishin racionalë dhe mirë të informuar, ata do të mund të konstatonin se nuk do të duhej të shpenzonin më shumë, me gjithë shkurtimet tatimore, pasi që shkurtimet nuk janë reale. Nuk duhet të mbështetemi në marifete të tilla për të stimuluar ekonominë dhe për reduktuar proporcionin e borxhit karshi të ardhurave. Problemi fondamental ekonomik që aktualisht i shkakton telashe pjesës më të madhe të botës është kërkesa e pamjaftueshme. Bizneset nuk investojnë sa duhet në plane dhe pajisje të reja, apo në krijimin e vendeve të reja të punës, në të shumtën e rasteve për shkak se njerëzit nuk shpenzojnë sa duhet – apo nuk pritet që të shpenzojnë sa duhet në të ardhmen – për ta mbajtur ekonominë në këmbët e veta. Stimulimi miqësor i borxhit mund të shihet si asgjë më shumë se sa një vendim kolektiv i marrë nga të gjithë ne për të shpenzuar më shumë me qëllim të startit të ekonominë. Nuk ka të bëjë fare me marrjen e borxhit apo mashtrimin e njerëzve lidhur me taksat e ardhshme. Nëse u lihet vendimeve individuale, njerëzit nuk do të shpenzonin më shumë për konsum, por ndoshta ne do të mundë të votonim për një qeveri që do të na bindte të gjithëve ta bëjmë një gjë të tillë kolektivisht, duke krijuar kështu kërkesë të mjaftueshme për ta vënë ekonominë në shtegun e duhur për një kohë të shkurtër. Thënë troç, stimulimi “keynesian” jo domosdo nxit më shumë borxh qeveritar, siç duket të supozojë vazhdimisht diskursi popullor. Në vend të kësaj, stimulimi ka të bëjë me vendimet kolektive për të siguruar kthimin në binarë të shpenzimeve totale. E pasi që është një vendim kolektiv, shpenzimi në mënyrë të natyrshme përfshin lloje më të ndryshme të konsumit se sa që do t’i kishim bërë në mënyrë individuale – le të themi, hekurudha më të mira, në vend të më shumë darkave jashtë shtëpisë. Mirëpo kjo që do të duhej të ishte në rregull, veçanërisht nëse të gjithë do të kishim vende pune.
Stimulimi i balancuar i buxhetit ishte mbrojtur për të parën herë në fillim të viteve ‘40 nga William Salant, një ekonomist në administratën e presidentit Franklin Roosevelt, dhe Paul Samuelson, atëbotë një profesor i ri i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts. Ata argumentuan se, për shkak se çdo stimulim qeveritar kërkon taksa më të larta herët apo vonë, rritja mund të vijë po ashtu menjëherë. Për një person me të ardhura mesatare, taksat më të larta nuk nënkuptojnë të ardhura më të ulëta pas tatimeve, për shkak se stimulimi do të ketë ndikim të menjëhershëm në rritjen e të ardhurave. Dhe kështu askush nuk do të dalë i mashtruar. Shumica besojnë se stimulimi i balancuar buxhetor – që nënkupton rritjen e taksave në kohëra të ankthit ekonomik – është politikisht i pamundur. Mbi të gjitha, presidenti francez, Francois Hollande, u zmbraps pas presionit të ashpër politik nga premtimet e tij në fushatë që të implementojë stimulimin miqësor të borxhit. Mirëpo, duke e pasur parasysh mungesën e alternativave të mira, nuk duhet të supozojmë se shprehitë e këqija të mendimit nuk mund të kapërcehen kurrë, dhe duhet ta mbajmë të hapur vazhdimisht në mendje mundësinë e politikave më të mençura. Disa forma të stimulimit miqësor të borxhit mund në fund të fundit t’i joshin votuesit, në rast se ata mund të binden se rritja e taksave jo domosdo nënkupton vështirësi apo centralizim të shtuar të vendimmarrjes. Nëse dhe kur njerëzit e kuptojnë se kjo nënkupton nivel të njëjtë mesatar të pagave pas tatimit, plus përfitimet nga vendet e tjera të punës dhe të prodhimeve shtesë të shpenzimeve qeveritare (siç janë hekurudhat e reja), ata mund të pyeten me të drejtë se pse fare e kanë provuar stimulimin në ndonjë mënyrë tjetër.

Autori është profesor i ekonomisë në Universitetin Yale dhe bashkëkrijues i indeksit Case-Shillet të çmimeve të shtëpisë amerikane. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›