Alternativa “Berisha”: 250 mijë vende të reja pune brenda 4 viteve të ardhshme

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e fabrikës së bimëve mjekësore në Maminas. Mbështetje të plotë për investitorët, me synim rritjen e numrit të të punësuarve në mbarë vendin. Deklarata: “Alternativa e Ramës, e gënjeshtërt”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Maminasi, në Durrës, ku mori pjesë në inaugurimin e një fabrike të bimëve mjekësore, se krahas alternativës së demokratëve, për punësim, rritje ekonomike dhe integrimin e Shqipërisë, qëndron edhe një alternativë tjetër, ajo e Edi Ramës, alternativa e mashtrimit, e Shqipërisë së gënjeshtërt.
Kreu i qeverisë akuzoi kryesocialistin se kërkon taksën progresive për shkatërrimin e vendeve të punës dhe shkurajimin e investimeve. “Flet për taksa, por të pyesni ju, Presidentin e Xherdës, se si arriti të zmadhojë biznesin e tij, absolutisht një nga faktorët kryesorë ka qenë ulja e taksave, sepse të dashur punëtorë, kontributet shoqërore, para 6 vitesh nuk kanë qenë 15 për qind për sipërmarrësin, kanë qenë 30 për qind dhe ky 15 për qind u hoq dhe i dha Xhavitit mundësinë për të investuar. Tatimi mbi të ardhurat personale nuk ka qenë 10 për qind, por ka qenë 23 për qind. Zbritja në 10 për qind i krijoi mundësi që ato fonde ti përdorë për ju, për të investuar, për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e fabrikës. Pra ideja e taksës progresive, është ideja e shkatërrimit të vendeve të punës, është ideja e dekurajimit të investimeve. Sepse në qoftë se ti sipërmarrësit i heq interesin për të investuar edhe ai nuk ka interes për të punësuar. Përkundrazi në qoftë se për një rast do të kalohej në taksën progresive, akti i parë që do të ndodhte do të ishte shkurtimi i madh i punëtorëve në sipërmarrjet shqiptare. A mund të përfytyroni ju një politikan, i cili thotë se ‘gjykata është një kasaphanë dhe unë do ta zëvendësoj atë me Zyrën Cakulli në Këshillin e Ministrave?’. Zotëri, sado të drejte, sado të ndershëm, sado të kristaltë të jemi ne politikanët, kurrë mos e dhëntë Zoti që politikanët të marrin në dorë drejtësinë dhe të mendosh se mund të zëvendësosh një trupë gjykuese apo gjykatat, me një zyrë që hap me gjobëvënës në kryeministri, siç kishte ndër mend zoti Rama. Kjo është të mendosh se si të ecësh në kundërshtim me të gjitha rregullat e një shoqërie të lirë, e një biznesi të lirë, e një ekonomie të lirë. Alternativat tona janë realiste, me shifra konkrete. Ka një alternativë tjetër, e cila bazohet në dy shtylla, alternativa e mashtrimit, e Shqipërisë së gënjeshtërt. Shqipëria nuk është parajsë, është shumë larg të qenit e tillë. Shqipëria nuk është bulevard, as kopsht me lule, por Shqipëri e gënjeshtërt nuk është. Shqipëria është një realitet i vlerësuar jo nga një, por nga personalitetet më të shquara të fushës së zhvillimit të ekonomisë, është një realitet i konsideruar histori e vërtetë suksesi. Është e konsideruar e tillë, sepse shqiptarët më shumës e të gjithë të tjerët me mund dhe djersen e tyre, në një hark kohor të shkurtër ia kanë dalë të ecin me shpejtësi drejt mëkëmbjes, ia kanë dalë të zgjidhin problemet madhore”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se katër vjeçari i ardhshëm, është mandati i veprave të mëdha; fabrika të reja, investime të reja.
“Të vazhdojmë këtë proces zhvillimi në 4 vitet që vijnë, për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, në një vend evropian, të bëjmë gjithçka për të marrë statusin dhe hapur negociatat gjatë 4 viteve në BE, çka do të thotë shumëfishim i madh i investimeve direkte, nga mbarë Evropa në Shqipëri, do të thotë shumëfishim i investimeve të BE, në infrastrukturën e Shqipërisë, do të thotë një perspektivë e madhe e re për shqiptarët”, theksoi ai.
Në fjalën e tij, Berisha premtoi krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës si objektivin madhor të qeverisë gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, premtimet janë realiste, ndërsa renditi si komponentë të gjenerimit të vendeve të punës, ndërtimin e HEC-ve, bujqësinë dhe turizmin. “Ne i kemi premtuar shqiptarëve se do të krijojmë gjatë 4 viteve të ardhshme 250 mijë vende pune të reja. Askush nuk duhet të çuditet. Ky është një premtim shumë realist. Ne e bazojmë këtë sepse gjatë 4 viteve që shkuan, që ishin vitet e kulmit të krizës në Evropë dhe më gjerë, bizneset tona që paguajnë taksa në organin tatimor janë rritur me 30 për qind. Dhe në qoftë se marrim xhiron e tyre, ajo është rritur shumë më tepër. Është rritur me 30 për qind punësimi në biznesin jo bujqësor dhe këtë 30 përqindësh, gjatë 4 viteve që vijnë, ne do të bëjmë gjithçka për ta rritur edhe më tej. Ne jemi realistë. Me këtë paketë të re që ne vendosëm, ne i çlirojmë të ardhura biznesit. Biznesi nuk do të paguajë TVSH, nuk do të paguajë tarifa doganore, por do të investojmë me një kosto 20-30për qind më të ulët sesa investonte më parë. Dy javë më parë takova një kompani të madhe, e cila do të investojë një nga HEC gjigante. ‘Kjo, më tha, është një lehtësim për ne, kjo na kursen ne rreth 100 milion euro’. Pra ne po i krijojmë biznesit mundësi që të rritet me së paku 30 për qind në 4 vitet që vijnë dhe kjo rritje nuk po them se do të krijojë 60 mijë apo 80 mijë vende pune, por një gjë është e sigurt që do të krijojë mbi 40 mijë vende pune. Ne e bazojmë premtimin tonë për punësimin tek turizmi. Sot në turizëm, sipas të gjitha statistikave janë të punësuar 150 mijë shqiptare. Ne besojmë dhe jemi të sigurt se në 4 vitet që vijnë, nga 4,7 milion turistë, ne do të arrijmë të marrim 6 milion turistë minimumi. Pra ne do të shtojmë në sektorin e turizmit, se paku edhe 30 mijë punëtorë të tjerë. Sot, janë në ndërtim e sipër apo janë ndërtuar rreth 50 HEC-e, por kemi firmosur kontrata për koncesion për 360 HEC-e. Ju do të jeni dëshmitarë se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i veprës energjetike më të madhe në Evropë, kaskadës së Devollit, investim prej rreth 1 miliard dollarë, i cili do të punësojë 4 deri në 5 mijë punëtorë, por janë me dhjetëra HEC-e të tjera. 3 muaj më parë, unë isha në Lapaj, në luginën e Drinit, ku inauguruam një HEC 15 megavat. Sipërmarrësi më tha se për atë HEC, kishin punuar 2500 punëtorë dhe mbi këtë HEC ishin 5 të tjera që po ndërtoheshin mbi shpatet e vargmaleve midis Kukësit dhe Peshkopisë. Ne hoqëm TVSH-në e hekurit për ndërtimin e HEC, si lëndë kryesore. Pra, ne llogarisim që gjatë 4 viteve që vijnë në ndërtimin e HEC-ve të punësohen jo 15 mijë, por së paku 30 mijë qytetarë shqiptarë dhe që janë në zonat, nga më të thellat malore. Ne jemi konkretë, jemi realë. Ne vijmë tek ju mbi bazën e shifrave tërësisht realiste dhe aspak të fryra. Nga 2007 deri më sot, ne kemi subvencionuar 222 mijë familje fermash në fshat. Shkoni në fshatin shqiptar dhe shihni, në qoftë se ne kemi subvencionuar 1, fermerët vetë kanë investuar së paku 3 deri 4 herë më shumë. Isha në komunat e Fierit. Kryetari i komunës së Krujanit më tha se – kemi 300 mijë rrënjë ullinj, nga të cilat 70 për qind janë të reja, 230 mijë janë të reja, vetëm 70 mijë janë të vjetra Nuk i kemi subvencionuar ne, të gjitha ato. Ne kemi subvencionuar vetëm disa prej tyre, pjesën dërrmuese e kanë subvencionuar vetë fermerët dhe kanë krijuar fermat e tyre. Pra në 4 vite në sektorin bujqësor dhe agrobiznes janë krijuar mbi 100 mijë vende pune. Këtu unë ju siguroj se 4 vitet që vijnë, ne do të dyfishojmë grantet, kreditë, për sektorin bujqësor të vendit. Unë nuk them se do të krijohen 200 mijë vende pune me këto,por ju garantoj se do të krijohen së paku 130 mijë vende pune të reja dhe kjo përbën një përgjigje të mirë ndaj papunësisë. Pesë vite më parë, punësimin në teknologjinë e lartë të informacionit nuk ekzistonte, ndërsa sot janë 13300 punëtorë, teknikë e inxhinierë që paguhen në këtë fushë. Asnjë vend nuk ka ecur sa Shqipëria dhe ne kemi hedhura baza të fuqishme që 4 vitet që vijnë, Shqipëria të ngjitet në nivelet më të larta të teknologjisë së informacionit dhe ju garantoj ju se 4 vitet e ardhshme në këtë sektor do të krijohen së paku edhe 50 mijë vende pune të reja. Unë u ndala këtu, në këto sektorë ku besoj do përmbushin plotësisht besimin tonë realisht për 250 mijë vende pune. Por ne, nga ana tjetër do të bëjmë gjithçka për tregun e punës, do të bëjmë gjithçka për kualifikimin dhe formimin e qytetarëve shqiptarë sipas profesioneve dhe këtu jemi në fillimet. Gjatë viteve që vijnë ne do të përcaktojmë një kuadër shumë të favorshëm ligjor, për sipërmarrësin, për kualifikimin e punonjësve të tij, aty në sektorin ku punojnë apo ku të duan ata, aty ku mendon se e gjen më mirë njeriu veten apo shfaq talentin e tij. Ne do të bëjmë gjithçka që të krijojmë punë, bazuar se në parimin se çdo punë është më e mirë se ndihma shtetërore, e cila ve në gjumë dhe topit njeriun dhe familjen”, vijoi ai, ndërsa bëri një ekspoze të rritjes ekonomike të Shqipërisë falë reformave gjatë qeverisjes së tij.
“Sot, në shumë se 320 mijë familje shqiptare kanë më shumë se 1 banesë. Asnjërën prej tyre nuk ua ka ndërtuar shteti, por i kanë ndërtuar vetë me mundin dhe djersën, por kanë qenë rregullat, të cilat ia u kanë bërë të mundur këto. Në kulmin e krizës bizneset u rritën me 30 për qind, pikërisht në periudhën 2009-2012. Eksportet në këtë periudhë u dyfishuan dhe këto janë realitete. Pra, ne kemi një Shqipëri reale, kjo që është, me sukseset e saj, me dhimbjet e saj, por një Shqipëri që zhvillohet, jo një Shqipëri e gënjeshtërt”. Kryeministri renditi një sërë masash, të cilat janë zbatuar me shumë efikasitet në ndihmë të biznesit, si dhe garantoi se qeveria do të mbështesë fuqishëm investitorët, me synim rritjen e numrit të të punësuarve në mbarë vendin.
Investimi 2 milion euro
Fabrika e ndërtuar sipas teknologjisë më moderne të kësaj fushe, me vlerë investimi prej 2 milion eurosh, shtrihet në një sipërfaqe 4500 m2 dhe ka disa linja përpunimi bimësh, duke realizuar gjithashtu edhe grumbullimin dhe kompostimin e mbetjeve të bimëve për plehra organike. Në fabrikë janë të punësuar 40 punëtorë me kohë të plotë dhe 1000 të tjerë sezonalë. Xherdo ofron mbledhjen dhe përpunimin e bimëve të tilla si: Sherebelë, Rigon, Dafinë, Boronicë, Trumzë, Dëllinjë e Zezë, Dëllinjë e kuqe, Trëndafil i Egër, Bar Blete, Rozmarinë e shumë të tjera. Ajo ka një kapacitet eksporti prej 1 200 000 euro.
Kryeministri vizitoi mjediset e brendshme të fabrikës ku u takua me drejtues e punonjës të saj, të cilët e njohën nga afër me proceset e realizuara aty. Duke përgëzuar investitorët për sukseset e arritura dhe vizionin e qartë për të ardhmen, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ky sektor, i cili ofron potenciale të rëndësishme punësimi po shfrytëzohet me interes dhe eficencë nga shumë kompani shqiptare.
“Vende të reja pune dhe rritje ekonomike, objektivat e 4 viteve të ardhshme”
Kryeministri Sali Berisha s’ka dyshime në deklaratat e tij kur thotë se krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja ekonomike, janë objektivat e qeverisë gjatë katër viteve të ardhshme. Shefi i ekzekutivit e bazon këtë në reformat e ndërmarra nga qeveria, ulja e taksave me synim gjallërimin e biznesit dhe investimet në infrastrukturë.
“Krijimi i vendeve të punës, rritja e shpejtë ekonomike do të jenë objektivat madhore të 4 viteve që vijnë. Shqipëria me reforma të thella ia doli që të mos bjerë në recension dhe ju jeni dëshmitarë të gjallërisë së biznesit dhe të jetës ekonomike në të katër anët e vendit. Kudo po ndërtohet sot, si në një asnjë vend tjetër përreth. Kudo ndërtohen rrugë, autostrada dhe vepra të tjera publike. Kudo po investohet. Në një hark kohor të shkurtër, vetëm në fushën e agrobiznesit ne kemi inauguruar 4-5 fabrika të rëndësishme në të katër anët e vendit. Ne do bëjmë gjithçka që kjo klimë për biznesin të njohë përmirësime të mëdha, do të bëjmë gjithçka që punëtorët, inxhinierët, teknikët, të shpërblehen me rroga më të mëdha. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale prej 10për qind, duke krijuar një shpërblim më të mirë për punën nga fonde të cilat ishin parashikuar të vinin në buxhetin e shtetit dhe këtu përfitojnë mbi 200 mijë punëtorë ose më shumë”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se çdo vendim i qeverisë do ketë funksion lehtësues dhe inkurajues për investimet. “Ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar, për të inkurajuar investimet. Xhaviti të gjitha këto i ka marrë me TVSH. Çdo investim që do të bëjë tani e tutje do të jetë pa asnjë tarifë, doganore, pas asnjë taksë të vlerës së shtuar. Me vendimin që morëm, ne mund të jemi ndofta i vetmi, ose ndër më të paktat vende në planet që kemi hequr çdo lloj takse mbi kapitalin. Ne nuk kemi pasur taksë mbi kapitalin financiar, por kemi pasur TVSH dhe tarifa doganore mbi të gjithë kapitale të tjera. Ato nuk do të ekzistojnë më, sapo në dy javët e ardhshme të votohet në parlament projektligji që ne dërguam”, tha kryeministri. Një vendim lehtësues i qeverisë për rritjen e punësimi të shqiptarëve, është padyshim heqja e detyrimeve fiskale për çdo të ri të punësuar.
Kryeministri ka një premtim për të rinjtë e këtij vendi; “Ne po bëjmë gjithçka për punësimin, kemi hequr çdo detyrim fiskal për çdo të ri të punësuar. Ne e bëjmë këtë sepse ne jemi një komb i ri, kemi një moshë mesatare shumë të re, krahasuar me kombe të tjera në Evrope, pra kemi një numër të madh të rinjsh dhe duhet të bëjmë gjithçka që t’i sistemojmë në punë, në mënyrë që energjitë e tyre të shpalosen në punë, në interesin më të mirë të familjeve të tyre dhe të vendit. Këto janë masa që ne po miratojmë tani, por ne nuk do të reshtim kurrë së përpjekuri për klimën më të shkëlqyer të biznesit në Shqipëri”, deklaroi kryeministri Berisha.