E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama, mos blloko integrimin”

17-01-2013 / Gazeta 55

Peticioni, profesorë dhe doktorë shkencash. Shkon në 366 numri i personaliteteve që i kërkojnë Edi Ramës të japë votën për 3 ligjet e statusit

Një letër e dytë i drejtohet kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Kësaj radhe letra është shkruar nga Profesor Doktorë, Profesorë të Asociuar, Doktorë shkencash, pedagogë e studiues. Letra vjen nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Instituti i gjeoshkencës, energjisë, ujit dhe mjedisit.
Mes emrave bie në sy emri i Rektorit të Universitetit të Tiranës, njëherësh Kryetar i Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë, Prof. Dr. Dhori Kule, dekanë, 21 Profesor Doktorë, 14 Profesorë të Asociuar, 11
Doktorë, si dhe studiues të së drejtës, shkencëtarë të ekonomisë, inxhinierisë, bujqësisë e mjedisit. Ashtu si në letrën e parë, ata i kërkojnë z. Rama votimin e 3 ligjeve. Ka dy mënyra thonë ata; njëra, që deputetët e opozitës të tregohen të përgjegjshëm dhe të votojnë 3 ligjet dhe rruga tjetër, ajo e papërgjegjshmërisë dhe e mbajtjes peng të vendit.
Ne urojmë, thonë ata, që z. Rama të bashkohet me gjithë shqiptarët dhe të lejojë deputetët të votojnë 3 ligjet për t’iu bashkuar familjes europiane.
“Refuzimi i pakuptueshëm për votimin e projektligjeve, bëhet më i rëndë pasi, siç dihet tashmë gjerësisht nga qytetarët shqiptarë, që në tetor të vitit 2012 Komisioni Europian rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë  me një kusht të vetëm, votimin e tre ligjeve që kërkojnë të paktën tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo parakuptonte arritjen e një shumice që i kapërcente hendeqet mes përfaqësimit politik partiak, parakuptonte krijimin e një kuorumi vizionar e misionar që do të përfaqësonte qytetarin shqiptar, interesat e tij, të kaluarën e tij shpirtërore dhe të ardhmen e tij të prekshme, ëndrrën europiane që bëhet realitet. Vullneti i shumicës parlamentare le të behët edhe vullnet i pakicës, i opozitës, i deputetëve të PS që kanë refuzuar deri tani t’i votojnë ligjet ‘europiane’. Ky nuk është më vetëm vizion, as vetëm mision, tashmë është thjeshtë një detyrë që nuk kërkon asgjë të veçantë për t’u kryer, thjeshtë kurajë qytetare. Në emër të kurajës qytetare i bëjmë thirrje deputetëve të partisë socialiste të nderojnë qytetarët që përfaqësojnë e të votojnë tre ligjet që ndajnë Shqipërinë nga Europa”, thuhet në letrën e  shkruar nga Profesor Doktorë, Profesorë të Asociuar, Doktorë shkencash, pedagogë e studiues, drejtuar kreut të PS, Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›