Philip Reeker: Të votohen 3 ligjet e integrimit në BE

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit i konsideron zgjedhjet e vitit 2013, të rëndësishme për Shqipërinë
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker deklaron nga Brukseli se, Shqipëria ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Zyrtari i lartë amerikan vlerëson progresin në reforma, por insiston që klasa politike të votojë ligjet për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë progresin reformator të Shqipërisë dhe presin nga klasa politike, miratimin e 3 ligjeve të integrimit në BE”.
Kështu ka deklaruar dje nga Brukseli, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker duke vënë theksin tek sfidat e këtij viti, veçanërisht zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për zyrtarin e lartë amerikan, zgjedhjet e qershorit janë të një rëndësie të veçantë dhe duhet të jenë të lira dhe të ndershme jo vetëm për Komunitetin Ndërkombëtar, por së pari për popullin shqiptar.
“Mendoj se edhe më e rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë, madje edhe më thelbësore për vetë të ardhmen e Shqipërisë e të popullit të saj, është që këto zgjedhje të jenë të mira dhe duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Ato duhen parë si zgjedhje të lira e të ndershme jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por nga vetë populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë, për të cilët organizohen këto zgjedhje. Ata kanë nevojë që të kenë besim tek liderët e tyre e ky do të jetë një sinjal i rëndësishëm për të garantuar se zgjedhjet janë organizuar mirë, janë të lira e të ndershme dhe me standardet që pret çdokush në këtë moment të historisë së Shqipërisë. Zgjedhjet shqiptare në qershor janë një shans i rëndësishëm për të dëshmuar se Shqipëria ka arritur një nivel tjetër, pasi zgjedhjet nuk kanë qenë një prej pikave të forta në historinë e vendit. Siç vërejtët, fushata zgjedhore ka nisur mirë, gjë që unë munda ta shoh edhe gjatë vizitës së fundit në Tiranë në muajin shtator”, u shpreh Reeker.
Ai iu referua fjalimit të sekretares Klinton në Tiranë, për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën dhe sfidat e saj të integrimit.
“Fjalimi i sekretares Clinton në Parlamentin e Tiranës, që u dha me të vërtetë para gjithë popullit shqiptar, ishte një mesazh mbështetjeje, solidariteti, në emër të marrëdhënieve tona të gjata pozitive me Shqipërinë”, tha ai.
Sekretari i zyrës për çështjet e Europës dhe Euroazisë në Bashkimin Europian ka thënë se “Shqipëria ka bërë shumë progres gjatë këtyre viteve”.
Duke kërkuar që ky progres të konsolidohet, Reeker u ka bërë thirrje forcave politike në vend që të votojnë ligjet për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian.
“Është e një rëndësie jetike, jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, siç u nënvizua edhe në konkluzionet e Këshillit dhe në raportin e progresit të Komisionit Europian, që Shqipëria të vijojë punën në një numër fushash dhe reformash për të konsoliduar demokracinë. Ishte zhgënjyese që nuk qenë të aftë të miratonin disa ligje dhe të ndërmerrnin disa veprime që ishin përcaktuar për të marrë formalisht statusin kandidat”, deklaroi Reeker.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker ndodhej në Bruksel në vizitën e radhës në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave të SHBA me BE-në, për vendet e rajonit të Ballkanit.