Edi Rama, një model më i keq i vendimeve të Kongresit të zi të Enverit
Nga Lidhja e Prizrenit te Kongresi Përmetit, dy botë që kundërshtojnë njëra-tjetrën
Rastësia në përqasjen e 135 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor me këtë kohë fushate elektorale, nxjerr në pah një mesazh të madh para shqiptarëve. Aq më tepër që në sfondin e mavisë së Edi Ramës shkruhet fjala Rilindje që të bën të mendosh se sa tradhtisht vepron ky njeri pa din, pa fe, pa iman, siç thotë populli. Nëse rilindasit e vërtetë patën një mision të madh të Rilindjes Kombëtare që kishte brenda saj filozofinë e të parit bashkim të shqiptarëve që konfirmonte të qenurit si komb, për kryesocialistin vetëm emri Rilindje është një etiketë që kërkon të fshehë mbështetjen e Ramës tek Kongresi i Përmetit i Enver Hoxhës i atij 24 maji 1944. Është e qartë se kurrësesi nuk mund të përziesh me njëri-tjetrin Lidhjen e Prizrenit me Kongresin e Përmetit, edhe pse Abdyl Frashëri ishte kryetari i asaj Lidhjeje në Prizren dhe origjina e tij ishte nga Përmeti. Por këtë keqpërdorim të emrit Rilindje di ta shpërdorojë në mënyrën e tij më të pashembullt në kahun e ligësisë vetëm Edi Rama.
Në fakt, mes dy epokave, asaj të Rilindjes dhe asaj të Komunizmit ka një ndryshim të madh si në filozofinë udhëheqëse, ashtu edhe në pasojat që dhanë ndaj kombit. Lidhja e Prizrenit që 135 vjet më parë ishte themeli i Rilindjes Kombëtare të udhëhequr nga burrat e vërtetë, ndërsa kjo e ashtuquajtura “Rilindje” e Edi Ramës ka në themel filozofinë që udhëhiqen mashtruesit e kombit. Nëse Lidhja e Prizrenit krijoi të parë qeveri kombëtare duke përfshirë të gjitha trojet etnike shqiptare në shërbim të kombit, kjo e Edit ka si qëllim vasalitetin ndaj filozofisë komuniste të Lindjes që udhëhoqi edhe vetë Enver Hoxhën në Kongresin e Përmetit. Ishte ky palo Kongres që hodhi poshtë Lidhjen e Prizrenit dhe shkeli me këmbë burrat e vërtetë dhe pinjollët më të devotshëm të rilindasve i përzuri nga vatani.
Këtë konkluzion e nxjerr nga vendimet që mori Kongresi i Përmetit dhe nga fryma që ka kapur Edi Ramën si një pasues i Enverit dhe si kopja më e keqe që risjell në kujtesën e shqiptarëve nënshtrimin siç bëri edhe ndaj Enverit. Që nga Lidhja e Prezrenit deri te Kongresi Përmetit, janë dy botë që kundërshtojnë njera-tjetrën dhe Edi Rama i ka marrë emrin njërës dhe filozofinë udhëheqëse tjetrës. Ky pinjoll tipik i bindur vjedh emrin Rilindje dhe me të kërkon të mbulojë fëlliqësinë e vendimeve të Kongresit të Përmetit që na është rikthyer në kohë dhe në hapësirë si modeli i një qeverisjeje që na rikthen tek e kaluara diktatoriale me vendime antikombëtare.
Pse e them këtë. Do të doja të risjell në kujtesë të lexuesve faktin se Kongresi i Përmetit ishte as më pak e as më shumë një komplot kundër shtetit shqiptar legjitim të kohës. Me monitorimin e plotë të serbëve dhe grekëve që rrethonin Enver Hoxhën, ai kongres i zi bëri të njëjtën gjë që bëri edhe fashizmi që nuk njohu qeverisjen e Mbretërisë Shqiptare të ligjshme. Ndërkohë, gjithashtu ky Kongres famëkeq doli edhe kundër Kartës së Atlantikut që sanksiononte të drejtën e kombeve për vetëvendosje të shteteve antifashiste pas Luftës II Botërore. Enver Hoxha, me mbështetjen e të huajve brenda stafit të tij, nuk e përkrahu Kartën e Atlantikut sepse ishte pro filozofisë internacionaliste dhe njëherazi mbronte interesat e aleatëve të tyre serbo-grekë.
Kongresi i Përmetit fshiu, përmbysi, shkatërroi, nuk njohu asgjë nga trashëgimia e shtetit shqiptar të kohës, duke i vënë damkën e tradhtisë dhe duke poshtëruar personalitetet e mëdha të kombit që sot i kujtojmë dhe i nderojmë denjësisht. Dhe çfarë bëri më pas Enveri që prishi e shkatërroi, që nuk njohu shtet? Ai ndërtoi shtetin e padrejtësisë të konvertuar në diktaturë duke e nisur me vjedhjen e floririt me shprehjen se do hamë me lugë floriri (ai vetë hëngu) dhe përfundoi me shprehjen e kryeministrit të fundit të sistemit, që tha se kemi edhe 6 ditë bukë akoma. Të njëjtën filozofi përdor edhe Edi Rama në fjalimet e veta dke premtuar mosnjohjen përmbysje, rikthim të sistemit, shkatërrim të vlerave, po aq sa edhe një model që vetëm ai e di se çfarë do u punojë shqiptarëve me eksperimentet që do u bëjë atyre, nëse mendohet ndonjëherë se mund të vijë në pushtet.
Teoria dhe praktika e Kongresit të Përmetit, të veshur me mavinë e fjalës Rilindje, është gjella që po gatuan Edi Rama me gjithë suitën e tij, si një e keqe që djeg e përvëlon, si një dogmë që brenda saj ka helmin e zi, tamam si Enveri në vaktin e tij. Gjuha e përdorur nga kryesocialisti nuk është as ajo e rilindasve, ngaqë ai flet me një përbuzje për vendin e tij dhe pushtetarët e këtij vendi, si të ishin armiq të betuar të kombit, tamam siç bëri Emveri.
Pale të pretendosh që Kongresi i tij i Përmetit të bëhet zbatues i filozofisë mbarëkombëtare që bënë Frashëllinjtë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nëse në atë kongres famëkeq Shqipëria sanksionoi izolimin e plotë nga bota dhe e gjithë filozofia e Enverit ishte kthimi i kokës nga Lindja dhe lidhja pazgjidhshmërisht me komunizmin e dështuar, filozofia që udhëheq sot Edi Ramën është anti-NATO dhe anti BE. Shprehjet tashmë të dëgjuara në media dhe të thëna live nga Edi Rama NATO = nata dhe BE=beee me nota tërësisht tallëse, janë tipike për një përfaqësues trashëgimtar të Kongresit të Përmetit, ashtu si edhe për Konferencën e Pezës, ndërkohë që burrat e Lidhjes së Prizrenit kokën e kthyen nga dielli që “lind andej nga perëndon”, si një buzëqeshje për të rikapur zhvillimin me vendet e zhvilluara.
Nuk mund të mos motivohesh për të thënë disa të vërteta, kur dëgjon broçkullat që u nanuris shqiptarëve kryesocialisti me marritë e tij si një i lig që kërkon të ligësojë një popull e një vend të tërë vetëm e vetëm se në filozofinë e tij janë skenarët e mbetur pa u zbatuar nga Enveri të vendimeve të Kongresit të Përmetit dhe mohimin e plotë të asaj Lidhjeje të Prizrenit që u bë porta e artë e qenies së shqiptarëve si komb me një territor etnik. Ka ardhur koha që të mos zërë më vend shprehja se “i miri rron sa don i ligu e mjerë ai që nuk qëndron” e cila do të duhet të zëvendësohet me shprehjen se puna e mirë në shërbim të shqiptarëve meriton të rrojë e të jetë qëndrestare në jetën e këtij kombi për të ecur përpara.