E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodranët kanë në dorë mandatin e diamantë të 23 qershorit

11-06-2013 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë ka ftuar qytetarët e Velipojës të votojnë Partinë Demokratike, si alternativa më serioze, që e ka faktuar përgjegjshmërinë e saj me vepra


“Keni në dorë të firmosni mandatin e diamant për qarkun e Shkodrës, për Gjok Uldedajn, dhe ju garantoj se me të çdo projekt që sjell punësim dhe zhvillim në Velipojë dhe Shkodër do e bëjmë realitet katër vitet që vijnë”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës Baks-Rrioll në komunën Velipojë të Shkodrës.  Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se kjo rrugë do të bëjë të mundur dyfishimin e numrit të turistëve që do të vizitojnë Velipojën. “Ky segment prej 8 km ndryshon Velipojën sepse kjo rrugë dyfishon potencialin turistik të Velipojës e cila bëhet dyfish më e famshme për bukurinë e saj. Rruga që ne ndërtojmë sot është vetëm pjesa e parë dhe fjala ime e nderit është se do të nisë rruga Rrioll - Shëngjin dhe nuk do të ndodhë më që vizitori të jetë i detyruar të kap veshin prapa kokës për të ardhur në velipojë por do të vijë nga Lezha në Shëngjin e më pas në Velipojë” - tha Berisha. Ndërsa u kërkoi qytetarëve të votojnë PD-në si alternativë më e mirë për zhvillimin e vendit, kryeministri Berisha akuzoi Ramën se kërkon të nxijë çdo arritje të qeverisë. “Ne nuk flasim me fjalë boshe, ne flasim me vepra, me ujësjellësa, me kanalizime, me shkolla të reja, me infrastrukturën moderne. Kurse alternativa tjetër është e tëra fabrikim i autobusit mavi. Bazohet në mohimin e gjithçkaje që ne kemi arritur. Shoferi i autobusit shkon në Shkodër dhe thotë ku është kryetari i bashkisë që e lë Shkodrën pa rrugë. Shkodra i jep ujë në bisht të lugës atij, se ka ujë 24 orë. Rrugët s’i sheh dot se i ka xhamat të zinj. Shkon në Vlorë dhe u thotë që jetojnë në izolim, mendon se Vlora jeton në autobusin mavi. Vlora jeton në djersën dhe mundin e vlonjatëve, në mbështetjen që i ka dhënë kjo qeveri. Përpjekja e tij për të nxirë Shqipërinë në çdo gjë që është arritur, për të shpallur se Shqipëria është gënjeshtër është përpjekja e një njeriu të papërgjegjshëm, për të mos thënë më keq. Përçmoni çdo mohim që i bëhet djersës suaj” - tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›