Edi Rama, një rast jopolitik
Do të ishte i pamjaftueshëm deklarimi herë pas here i Ramës se ai nuk është politikan, për të vërtetuar se kryetari i Partisë Socialiste nuk ka shumë lidhje me politikën dhe me ushtrimin e saj të përditshëm, përkundër postit të rëndësishëm që mban. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për mungesë pasioni për politikën apo për përfshirje aktive të përditshme në këtë “punishte”, por për mungesë vizioni, veprimi dhe mendimi politik.
Edi Rama ka qenë ndër publicistët e mirë në mediat shqiptare të viteve ‘90 e veçmas atyre të majta përgjatë viteve ‘92-‘96. Shkrimet e tij ishin patetike, por gjithsesi i shmangeshin rrëmujës së fjalëve. Herë pas here përfshihej në aksione gjysmë sociale e gjysmë politike të llojit “quo vadis Albania” dhe më pas u bë një kritik i ashpër i Presidentit të atëhershëm, Berisha. Kjo gjendje i siguroi atij një vend të respektuar tek opozita, ashtu siç ka ndodhur edhe me gazetarë apo publicistë të tjerë të asaj periudhe, si Ben Blushi, Preç Zogaj, Spartak Ngjela, Musa Ulqini, Ardian Klosi dhe të gjithë për të njëjtën arsye, kritikë të ashpër, pa kurrfarë kompromisi me mazhorancën e atëhershme. Pas ardhjes në pushtet të së majtës, të gjithë këta u përfshinë në administratë e mes tyre edhe Edi Rama. I ftuar nga Fatos Nano, ai u bë ministër Kulture në vitin 1998, ku spikati për diversitetet e tij me jetën gri të zyrtarëve. Ai e leu Ministrinë e Kulturës dhe nëpërmjet projektit të “kthimit në identitet”, mjaft të diskutuar për korrupsion në mediat e atyre viteve, u hodhi një bojë të këndshme edhe grupit të ministrive të qendrës së Tiranës. Kur u bë kryetar bashkie në Tiranë implementoi një projekt tjetër sërish me bazë bojën dhe leu fasadat e pallateve në rrugët kryesore të Tiranës. Pasioni i tij për të ndryshuar pamjet e Tiranës do të konsumohej tërësisht pas përfundimit të konstruksionit të Lanës dhe ndërrimit të pllakave në bulevardin kryesor, duke mos bërë asgjë për këtë qytet në të paktën gjashtë vjet të qeverisjes.
As në 2000, përballë Mustafajt, as në 2003 përballë Ngjelës dhe as në 2007 përballë Olldashit, ai nuk vuri në lojë kurrfarë sentence elektorale apo politike, por me gjeste sportistësh dhe përpunim imazhi ia doli të mbante rreth vetes një numër votuesish të mjaftueshëm për të marrë fitoren në sajë edhe të mekanizmave të tjetërsimit të votës.
Megjithatë, ai fitoi dhe askujt prej vëzhguesve të politikës në Shqipëri nuk i ra në sy ngjitja e një administratori vetëm në imazh dhe një politikani pa alternativë, i cili në marshin e tij dhe përgjegjësitë e tij kishte mundësi të thante menaxhimin e një Bashkie të madhe si e Tiranës dhe të shteronte alternativat e një partie të madhe si e Partisë Socialiste.
Pikërisht për shkak të këtij menaxhimi, na mbetet që ende të krenohemi me vepra teknike nën dhe’ si rrjeti i ujësjellësit dhe i energjisë të kryeqytetit që kreu Sali Kelmendi nga viti ‘92 deri në ‘96, pa qenë në gjendje të identifikojmë një krijim qytetas nga Edi Rama për dhjetë vite rresht. Pra, kemi humbur Tiranën e vjetër, kemi humbur lagjet e vilave siç ishin ato te “Rruga e Dibrës”, rruga “Fortuzi”, ish-blloku, “Rruga e Elbasanit”, kemi humbur rrugët e gjelbëruara për të përfituar një plan klientelist të qendrës së Tiranës, i cili është sajuar për të dhuruar ndere për nëntë biznesmenë dhe për të prishur punë për 900 mijë banorët e kryeqytetit, duke mbetur i vetmi kryeqytet pa simbole të reja, veç ato të identitetit dhe me mijëra probleme urbanistike dhe të zhvillimit.
Vetëm një mendje shterpë politikisht dhe e paaftë nga këndvështrimi i menaxhimit mund të shkatërronte një kryeqytet deri në atë masë sa tani duket i pakorrigjueshëm për çfarëdo kryetari dhe që mund të korrigjohet veçse me ndonjë përvojë ish-sovjetike apo latine, të ndërrimit të kryeqytetit apo ndërtimit të tij nga fillimi.
Edi Rama politikan, në krye të bashkisë, do të duhej të kishte evidentuar problemet dhe do të duhej të kishte ndërtuar dalje prej problemeve. Kishte kohë të mjaftueshme, por askush në asnjë rast nuk ka dëgjuar prej kryetarit të bashkisë të fokusohet mbi një problem të Tiranës, të thotë se ky është problemi dhe se këtë problem do ta zgjidhë me këtë skemë. Për të nuk ka probleme dhe natyrisht as skema, çfarë duhet besuar, se ai nuk ka skema prandaj nuk shprehet për probleme.
Edi Rama po drejton prej vitesh PS-në. Që në ditët e para në krye të saj ai nisi zëvendësimet në struktura dhe forume, njëfarë lyerje të PS-së me bojë të re. Zëra të rinj të PS-së, disa prej tyre mjaft të zotë e disa vetëm se ishin miq të kafes, u sollën në PS. Në kundërshtim me veprimin e tij të parë, rinovimin e PS-së, (Rama vetëm veprimin e parë e ka logjik), ai shpalli sloganin e tij “përtej të majtës e të djathtës” të cilin e artikulonte vetëm në fshatra e dobësonte të majtën, ndërkaq kufizoi dhe izoloi grupin parlamentar të PS-së dhe tërë mundësitë e tij për të shpalosur një opozitë të shëndetshme. Sërish pa skema dhe pa skenarë paraprakë për të drejtuar partinë, pa identifikuar probleme dhe pa ndërtuar strategji daljeje për problemet, ai largoi një pjesë të mirë të aktorëve të majtë dhe goditi “core competency” të PS-së, kolegjialitetin, diversitetin dhe demokracinë e brendshme, ndryshe nxori peshqit në rërë.
Vetë socialistët dhe PS-ja, një model partie e plakur dhe më shumë se kaq me kompleksin e të vjetrit, iu veshën sytë nga lloji i zyrtarit spektakël (S) dhe i sertë (S) siç ishte Rama (SS). Ai i vesh me pak energji pensionistët e sallave dhe kënaq militantët me retorikën e tij anti-Berishë. E mjaftueshme që përditë pa garë elektorale të drejtosh një grup idealistësh, bile edhe një grup pa ideale, bile-bile edhe një numër qytetarësh që nuk janë fare grup. Të paktën tridhjetë ditët e fundit të fushatës elektorale në zgjedhjet e qershorit të 2009, ai nuk u dëgjua të artikulonte njëherë për qeverisjen e pritshme të tij, nuk përmendi asnjëherë shtatë shtyllat e programit të PS-së dhe nuk i shpjegoi ato në asnjë takim elektoral apo media. Më 28 qershor, askush në Shqipëri nuk e dinte se si do të drejtonte Edi Rama vendin nëse do të fitonte zgjedhjet. Me siguri nuk e dinte as Edi Rama vetë dhe se ky nuk ishte as problemi i tij. Edhe sot që është mbërthyer në krizën e bojkotit, ka vënë një kusht të cilit as nuk është i zoti t’i shkojë deri në fund, dhe as nuk është i zoti të çlirohet prej tij. Nuk është i zoti të shkojë deri në fund se nëse i hap rrugë politikisht Sali Berisha dhe deklaron se edhe ai kërkon hapjen e kutive dhe rinumërimin votave, Rama ka përballë Kolegjin Zgjedhor dhe një vendim gjykate i cili në asnjë rast nuk mund të rrëzohet me vendime apo aksione politike, me vendime apo aksione revolucionare. Edhe paraardhësi i Edi Ramës kur la burgun në mars të ’97 nuk u kthye më aty, por duke qenë Kryeministër i vendit hapi një gjyq ku kërkoi pafajësinë që të mos kthehej sërish në burg.
Nuk është i zoti të dalë, sepse ka kërkuar një gjë të panegociueshme dhe është në kurthin e kushtit të tij. Ai ka atakuar një vendim gjykate dhe as Berisha nuk mund të përfshihet dhe as të negociojë për një vendim gjykate. Pra, është një rrotullim rreth vetes që nuk ka fund dhe nuk të çon askund, njëfarë lloj rrotullimi që të gjithë ata që merren me politikë përpiqen ta shmangin. Edi Rama as e ka shmangur, as e ka menduar si të tillë, por e ka kërkuar si pjesë të anatomisë së tij, jopolitike, të spektaklit (S) dhe të sertësisë (S).