Rama ndan paratë dhe pushtetin politik me mafien
Gjatë këtyre muajve ne kemi miratuar shumë ligje, pa praninë e opozitës, por pothuajse gjithmonë, kryetari i Partisë Socialiste, i cili ka një urrejtje gati gjenetike për Parlamentin, nuk ka denjuar t’i komentojë apo qoftë edhe t’u bëjë oponencë në distancë atyre. Sot ne jemi gati për të miratuar ligjin antimafia dhe e kemi detyrim t’u tregojmë shqiptarëve se ai është kontestuar fort nga Edi Rama. Ky i fundit nuk ka përtuar dhe ngurruar të nxjerrë njerëzit e tij për ta kundërshtuar, ndërkohë që për kryeligjin e buxhetit të shtetit është kujtuar vetëm ditën e fundit, kur po miratohej nen për nen, për të thënë ca fraza shkarazi.
Në prag të miratimit të këtij ligji ne shtrojmë pyetjen se si ka mundësi që kryetari i partisë më të madhe të opozitës ka pothuajse zero interes për shpërndarjen e parave të taksapaguesve shqiptarë, për pasurinë e tyre publike, por është shumë i ndjeshëm për pasuritë dhe pronat e mafies, saqë nuk e mban dot veten. Dhe përgjigja është e hidhur, por e thjeshtë. Sepse ai është më i interesuar për buxhetin e mafies sesa për buxhetin e shtetit. Dhe ky është një lajm i kobshëm për secilin prej nesh.
Ky ligj që ne do të miratojmë sot ka dy dimensione fondamentale, mbi të cilat mbështetet.
Në radhë të parë, ai është i mirëpritur nga partnerët tanë euroatlantikë dhe ka një rol të rëndësishëm në liberalizimin e vizave, një proces ky jetik për çdo shqiptar, i cili fatmirësisht po ecën në rrugë të mbarë, falë reformave dhe vendosmërisë së kësaj mazhorance. Dhe ndërsa ky draft e ka marrë të plotë mbështetjen ndërkombëtare, tashmë dihet botërisht se të gjitha aksionet e fundit politike të Edi Ramës janë përqendruar në cenimin dhe dëmtimin e proceseve integruese të vendit. Ne të gjithë i dimë orvatjet e dëshpëruara të ambasadorëve të tij në Bruksel, në Tiranë dhe gjetkë për të sabotuar lëvizjen e lirë të çdo qytetari shqiptar, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Një mision ky i dështuar, i cili ka marrë përgjigjen më të merituar dhe më dinjitoze brenda dhe jashtë vendit.
Por, pavarësisht vlerës që ka ky dimension, ky nuk është aspekti i tij më i rëndësishëm në ligjin antimafia. Mbi të gjitha, ai shpreh vullnetin e palëkundur të kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance për ta goditur malavitën aty ku i dhemb më shumë, në zemrën e saj, tek pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme.
Në fakt, ky është edhe thelbi i lindjes dhe i ekzistencës së mafies, në një histori të gjatë gati njëshekullore. Por, nga ana tjetër, pasuritë e paligjshme janë ndërkohë edhe burimi i mbijetesës apo i riprodhimit të organizatave kriminale, sepse dihet që arrestimi apo qoftë edhe dënimi me vdekje i një mafiozi nuk e ndërpret aktivitetin e paligjshëm të miqve dhe të afërmve të tij, në rast se pasuritë e vëna përmes dhunës, vrasjeve, drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit nuk do të preken.
Dhe ky ligj ka pikërisht këtë funksion, parandalues dhe çmilitarizues. Të dekurajojë zhvillimin e çdo aktiviteti mafioz në Shqipëri, sepse vetëdija se një ditë pasuritë e paligjshme do të sekuestrohen, e demotivon krimin dhe nga ana tjetër, të çaktivizojë burimet e mëdha financiare, që mbajnë në këmbë organizatat kriminale.
Në prag të miratimit të këtij ligji ne kemi të gjithë të drejtën e botës të shtrojmë pyetjen: Pasuritë e kujt mendon Edi Rama dhe liritë e kujt ka parasysh ai se preken kur e kundërshton ligjin antimafia dhe e konsideron atë antikushtetues? Le të shpresojmë se nuk e ka fjalën për Aldo Baren dhe bosët e tjerë të krimit të organizuar, që janë goditur pa mëshirë nga forca e ligjit prej vullnetit të kësaj qeverie në 4 vitet e fundit. Por kjo është e vështirë për t’u besuar, po të kemi parasysh mijëra faqe me transkriptime përgjimesh të kriminelëve më të rrezikshëm në Shqipëri, ku del fare qartë emri i Edi Ramës.
Por nuk është vetëm ky problemi. Përfytyrimi i mafies me vrasës të maskuar të hipur në motorë apo si bosë të drogës që shkëmbejnë mallin me valixhet e parave në gërmadhat e uzinave të dikurshme, nuk është shumë realist. Duhet të kemi parasysh faktin që organizatat më të mëdha të mafies italiane në Amerikë e kanë mposhtur për vite me radhë tundimin për t’u përfshirë në trafikun e drogës dhe të mishit të bardhë. Sepse, kanë preferuar biznese më pak të rrezikshme se ato. Të mos harrojmë se kudo në botë, mafia nuk ka kërkuar që të marrë drejtpërdrejt pushtetin, por ka synuar në të gjitha rastet që ta përdorë atë mizorisht. Pikërisht, këtu qëndron edhe kërcënimi më i madh i saj.
Për fat të keq, në Shqipëri në disa raste e ke vështirë të dallosh se ku ndahet vrasësi dhe trafikanti i dhunshëm, me biznesmenin e njohur, që për shkak të lidhjeve të tij të pista politike, i shkojnë mbroth të gjitha punët. Për shumë vite me radhë Edi Rama ka ushqyer pa u lodhur me para dhe me pasuri publike disa tipa, të cilët sigurisht që do të vihen në vështirësi pas zbatimit të këtij ligji.
Ajo dosje e paraqitur dje nga Kryeministri i vendit është vetëm maja e ajsbergut e atyre “dhuratave” që shefi i kësaj sipërmarrjeje të madhe mafioze ka shpërndarë për miqtë dhe klientët e vet. Ndaj dhe Edi Rama po qahet dhe ankohet sot në emër të tyre.
Nuk është rastësi që gati gjysma e grupit parlamentar të Edi Ramës janë milionerë. Ne jemi partie e djathtë dhe nuk kemi asgjë me milionerët, të cilët jetojnë, zhvillohen dhe pasurohen me punën dhe iniciativën e tyre, duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit. Përkundrazi, e konsiderojmë biznesin si një partner të rëndësishëm të qeverisë, me një rol të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Por fatkeqësisht, shumë prej tyre janë thjesht dhe vetëm sipërmarrës politikë, paratë e të cilëve bien erë të keqe korrupsioni, përvetësimi pasurish publike, zhvatje trojesh dhe abuzimesh të rënda me pushtetin.
Shumë prej tyre dhe disa të tjerë jodeputetë, në shumë raste më të rëndësishëm se të parët, janë ortakë, sekserë dhe klientë të privilegjuar të Edi Ramës në shpërndarjen e llokmave të mëdha, kryesisht në territorin që administron Bashkia e Tiranës.
Ata sot janë të lënduar e të prekur, ndaj dhe nuk e njohin rezultatin e 28 qershorit, sepse nuk u mjaftojnë vetëm trojet dhe pasuritë e Tiranës, të cilat, kështu siç e kanë nisur, do t’u vijë shpejt dita që të shterojnë dhe nuk do të ketë më gjë për të ndarë. Ata e kanë dashur shefin e klanit të tyre kryeministër, në mënyrë që të zgjasnin duart kudo ku ka një pasuri të vlefshme në këtë vend, në Sarandë, Ksamil, Vlorë, Divjakë, Golem, Shëngjin, Velipojë e gjetkë, me po atë lehtësi që rrëmbejnë tokat publike në qendër të kryeqytetit. Ndaj dhe nuk duan ta njohin vendimin e lirë të sovranit në zgjedhjet e 28 qershorit.
Është e pafalshme dhe e papranueshme për një parti të madhe që kryetari i saj të ndajë jo vetëm paratë, jo vetëm tenderat e korrupsionit, jo vetëm lejet e paligjshme, por edhe pushtetin politik me të njëjtët njerëz. Është kërcënim i madh për vetë Partinë Socialiste, por edhe për çdo qytetar të këtij vendi, që një grusht i vogël personash të jenë, edhe pasunarë të mëdhenj me paratë e korrupsionit, edhe deputetë, edhe udhëheqës të lartë partie dhe pastaj të thuhet se disa nga këta dhe pak të tjerë, që vetëm për taktikë dhe koniunkturë nuk janë futur në listat e deputetëve, përfaqësojnë 600 mijë zemra të popullit opozitar.
Ortakët dhe klientët politiko-financiarë të Edi Ramës nuk janë dhe nuk mund të jenë përfaqësuesit realë të Partisë Socialiste. Opozita është një vlerë e padiskutueshme e një sistemi demokratik dhe ne nuk kemi ndërmend aspak ta identifikojmë atë me kupolën e një klani mafioz, i cili sot është kundër interesave madhore të shqiptarëve e për rrjedhojë edhe kundër këtij ligji.
Qëndrimi agresiv ndaj këtij ligji i Edi Ramës është një lajm i keq për çdo familje dhe për çdo qytetar të ndershëm që nuk e lidh asgjë me krimin e organizuar dhe me interesat e mafies në Shqipëri. Por ndërkohë, ai e ka një vlerë, sepse e nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe atë grusht të vogël ortakësh të tij me ankthin e tmerrshëm se një ditë duhet të përgjigjen para ligjit.
Ky ligj është një tjetër provë se në Shqipëri kanë ardhur kohëra të vështira për mafien.