E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri antimafia, erë e re në luftën kundër krimit të organizuar



Projektligji i paraqitur sot me kthimin në ligj do të kthehet në një nga mjetet më të forta në duart e Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese në luftë kundër krimit të organizuar dhe mafies. Ky projektligj është pjesë e një ere të re në luftën kundër mafies dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Një etapë e re, e cila ka nisur me vullnetin e programit të ri qeveritar të Kryeministrit Berisha, që vazhdon me objektivin strategjik “Shqipëria, vendi më armiqësor ndaj krimit të organizuar”. Në kuadër të kësaj strategjie në katër vitet e kaluara u goditën mbi 230 banda e celula të krimit të organizuar në Shqipëri e vende tjera ku operonin. Qindra individë u vendosën para drejtësisë dhe ndodhen ose në përfundim të proceseve, ose pas hekurave.

Të nderuar kolegë, banda dhe anëtarët e tyre janë vetëm ushtarë. Ata janë ushtarë të mafies ekonomike. Në burg ata mbeten ushtarë për sa kohë që mekanizmi që i rekrutoi vazhdon të paguajë për ta dhe familjarët e tyre përmes shfrytëzimit të pasurive të paligjshme të vëna nga mafia ekonomike. Prandaj është e një rëndësie të veçantë që Shqipëria t’iu bashkëngjitet atyre vendeve të BE-së, që me miratimin e një ligji të tillë ose të ngjashëm po ngushtojnë hapësirën e mafies në territoret e tyre dhe në hapësirën evropiane. Kjo ishte tema kryesore e diskutuar me partnerët tanë, si me ministrin e Brendshëm, Maroni, vendi i të cilit po e zbaton me sukses këtë ligj, apo me drejtorin e Europolit, i cili e konsideroi kalimin e ligjit si lajm të mirë dhe e konsideroi Shqipërinë si model për vendet e rajonit për të ndjekur të njëjtën përvojë.

Padyshim kalimi i ligjit përmbush një kriter teknik për liberalizmin e vizave. Pa dashur të përsëris ata që thanë kolegët e tjerë, ju kërkoj vëmendjen për t’u ndalur në domethëniet politike të kalimit të ligjit. Është moment kyç politik. Të nderuar deputetë, prej tre muajsh jemi dëshmitarë të një lufte të pakauzë dhe pakuptimtë të Edi Ramës. Pa kauzë, pasi sot s’ka shqiptar të madh e të vogël që mos ta dijë se institucionet ndërkombëtare i certifikuan zgjedhjet jo vetëm si më të mirat, por si zgjedhje që përmbushën kriteret kryesore të Shqipërisë, angazhimet e saj kryesore para partnerëve atlantikë dhe OSBE-së.

Të tillë i konsideruan zgjedhjet Uashingtoni dhe Brukseli, Londra dhe Parisi, Roma dhe Berlini. S’ka shqiptar sot të madh e të vogël që mos ta dijë se partnerët tanë ndërkombëtarë në format dypalëshe e shumëpalëshe nga gjithë kryeqytetet euroatlantike dhe së fundi nga selia e Parlamentit Evropian, i kanë thënë jo bojkotit të PS dhe i kanë kërkuar të kthehet në Parlament. Nuk ka shqiptar, që mos ta dijë se vullneti i tyre, i shprehur me votë të lirë, i respektuar maksimalisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të thotë se jo vetëm kjo mazhorancë e rendit kushtetues shqiptar, por të gjitha parimet kryesore mbi të cilat qëndron identiteti euroatlantik, e bëjnë të pamundur hapjen e kutive. Këtë mesazh vetëm i kanë transmetuar partnerët tanë ndërkombëtarë edhe Edi Ramës. Edi Rama s’ka kauzë politike. Ky ligj është pjesë e kauzës së re, por edhe të vjetër të Edi Ramës. E vetmja kauzë e tij është kauza mafioze, kauza e 500 mijë metrave katrorë, dokumentet e të cilës i paraqiti dje Kryeministri Berisha para opinionin publik. 500 mijë metra katrorë, 1 miliard euro, kjo është mafia e vërtetë. Kjo është kauza e vërtetë e Edi Ramës.

Një fraksion të këtyre miliona eurove i ka marrë për fushatë, duke i premtuar pushtetin mafies. Sot s’e ka pushtetin, pasi paratë e mafies s’e blenë dot votën e lirë të shqiptarëve. Por nuk është vetëm e kaluara, por është edhe kjo që e pret mafien, ajo që e ka kthyer Edi Ramën në një skizofren frenetik, në një avokat të përditshëm të destabilitetit vetëm në interes të mafies. Opozita nuk është mafia, opozita s’mund të jetë e barabartë me mafien.

Por sot kolegët tanë janë peng i një njeriu që është qartësisht mashë e mafies. Nëse me kërcënime drejtpërdrejt apo tërthorta për integritetin e tyre fizik, apo jetën e tyre apo pronën, apo të fshehtat e jetës së tyre, pak rëndësi ka, mafia 1 miliard euro, të cilat përbëjnë vetëm majën e ajsbergut që u zbulua dje përmes mashës së saj, përmes Edi Ramës, e mban opozitën jashtë Parlamentit.

Le ta miratojmë këtë ligj sot dhe të kuptojmë peshën e këtij ligji jo vetëm në luftën kundër krimit, por edhe në stabilitetin e këtij vendi, por edhe në rrugëtimin tonë drejt destinacionit përfundimtar, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›