E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e kanë humbur mandatin 64 deputetë të Kuvendit?



1. Kushtetuta

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 71 pika 2, ka bërë përcaktimin e fakteve, vërtetimi i të cilave passjell mbarimin ose qenien të pavlefshëm të mandatit të deputetit. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

2. Ligji

Ligji nr. 10019, dt. 28.12.2009, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 164, pika 1, përcakton se mandati i deputetit i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

3. Rregulla kushtetuese dhe ligjore

Në kuptim dhe për zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë, neni 71, pika 2, germa “a”, si dhe Ligjit nr. 10019, dt. 28.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 164, pika 1, mosbërja e betimit nga deputeti i zgjedhur, passjell mbarimin e mandatit. Mbajtësi i një mandati zgjedhor deputeti, i caktuar nominalisht nga KQZ-ja, në bazë të nenit 163, pika 5 të Kodit Zgjedhor, duhet të bëjë betimin si anëtarë i Kuvendit të Shqipërisë. Cilido, që nuk bën betimin e deputetit, bie në kushtet kushtetuese dhe ligjore të mbarimit të mandatit. Mandati mbaron me ndërprerje, me pasojë zëvendësimin. Në kuptimin kushtetues dhe ligjor, deputeti me mandat zgjedhor nominal të ndërprerë, nuk mund të jetë anëtarë i Kuvendit të Shqipërisë.

Argument 1

Paragrafi 2 i nenit 71 të Kushtetutës përmban përkufizimin e rregullit me fuqi detyruese të përgjithshme: mandati i deputetit mbaron… Ndërsa nënparagrafi “a”, përmban kushtin:… kur ai nuk bën betimin. Kushti kushtetues është shprehur qartë, drejtpërdrejt dhe me deklarim autoritativ. Nuk përmban kualifikime ose alternative. As shumëkuptimësi. Nuk është i vendosur në asnjë rrethanë ndërvarësie, plotësuese ose sqaruese, në të cilat do të mund të vihej në praktikë. Është parësor në renditjen krahasuese me rastet e tjera. Rregulli i përgjithshëm kushtetues është dhënë në mënyrë negativiste: deputeti me mandatë zgjedhor nominal duhet të bëjë betimin, përndryshe mandati i tij mbaron. Dispozita është e kthjellët, ajo e orienton subjektin, të cilit i drejtohet që të organizojë sjelljen e tij politike me maturi, duke ia bërë të qartë pasojën.

Argument 2

Në bazë të Kushtetutës, neni 72, para fillimit të ushtrimit të mandatit, deputetët bëjnë betimin në Kuvend. Betimi i deputetit është përcaktim kushtetues me fuqi të përgjithshme, që nuk parasheh situata të veçanta apo përjashtime. Betimi i deputetit është një akt publik dhe solemn. Nëse, betimi i deputetit është detyrim kushtetues, refuzimi për të bërë betimin ose shmangia nga betimi është shkelje e një detyrimi kushtetues.

Argument 3

Në bazë të Kushtetutës, neni 75, pika 2, Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve. Në bazë Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 3, pika 1, Kuvendi i ri, në mbledhjen e tij të parë zgjedh Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin. Që do të thotë, se betimi i deputetit është i lidhur drejtpërdrejt me mbledhjen e parë të legjislaturës së Kuvendit të ri. Parashoqëron fillimin e organizimit të brendshëm politik të Kuvendit të ri. Procedura e betimit drejtohet dhe administrohet nga Sekretaria e Përkohshme e Kuvendit të ri në organizim.

Argument 4

Akti i betimit ka në përmbajtje marrjen dhe pranimin e detyrës si anëtar i Kuvendit, nga deputeti i zgjedhur. Një mandat zgjedhor nominal deputeti në dorë do të thotë një e drejtë për të qenë anëtar i Kuvendit. Zgjedhjet politike dhe procesi zgjedhor janë burimi kushtetues e ligjor, se si fitohet e drejta për të qenë anëtar i Kuvendit. Pjesëmarrja në Kuvend dhe betimi janë pohime të pranimit të detyrës së anëtarit të Kuvendit. Mosparaqitja dhe shmangia nga betimi i deputetit, do të thotë mospranim i detyrës së anëtarit të Kuvendit. Pa bërë betimin, asnjë deputet me mandat zgjedhur nominal nuk quhet anëtar i Kuvendit dhe, as mund të ushtrojë veprimtari si i tillë. Detyra e anëtarit të Kuvendit fillohet vetëm pasi bëhet betimi i deputetit. Vetëm si anëtar i Kuvendit mandati zgjedhor i deputetit materializohet, merr fuqi juridike. Vetëm si anëtar i Kuvendit fitohet statusi politiko-juridik i deputetit. Vetëm si anëtar i Kuvendit deputeti përfaqëson popullin dhe nuk lidhet me asnjë mandat detyrues.

Argument 5

Mandati i deputetit në parim është mandat politik. Për rrjedhojë, betimi është dhe një akt politik. Në kuptimin kushtetues dhe ligjor, mosbërja e betimit të deputetit ose shmangia nga betimi ka përmbajtje vetëm politike. Në kuptimin kushtetues dhe ligjor, kush refuzon ose shmanget nga bërja e betimit të deputetit, si mjet a formë e protestës politike, në mënyrë individuale apo grupore, e humb mandatin. Kushtetuta përmban rregullin, pa kushte për veprimin e tij. Thelbi i rregullit të sjelljes së vendosur është betimi pa kushte nga subjekti kushtetues, deputeti.

Argument 6

Kushtetuta, nuk e ka kualifikuar mosbërjen e betimit të deputetit, qoftë dhe nga grupe politike, si prodhues krize qeverisëse për vendin, sa kohë që deputetët, të cilët bëjnë betimin si anëtarë të Kuvendit, formojnë numrat e mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re. Në bazë të Kushtetutës, neni 96, pika 4, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin, vetëm kur ai nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri.

Argument 7

Mosbërja e betimit të deputetit, si qëndrim politik grupor, cenon organizimin e brendshëm dhe funksionalitetin e veprimtarisë të organit më të lartë politik në shtet, Kuvendit. Organizimi i brendshëm dhe veprimtaria institucionale e Kuvendit bazohet në një kornizë të përgjithshme përcaktimesh kushtetuese. Kuvendi riorganizohet si institucion politik, vetëm pasi deputetët me mandat zgjedhor kryejnë betimin si anëtarë të Kuvendit. Veprimtaria parlamentare, që ushtrohet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, fillon vetëm pasi deputetët bëjnë betimin si anëtarë të Kuvendit. E gjithë struktura e brendshme organizative e Kuvendit përfaqëson përbërjen politike, që rezulton nga zgjedhjet politike. Deputetët organizohen në grupe parlamentare, sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. Deputetët e ushtrojnë veprimtarinë të organizuar si anëtarë në komisionet e përhershme të Kuvendit, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Mungesa e deputetëve, për shkak mosbërje betimi, thyen funksionalitetin e punës së Kuvendit, të përcaktuar në Rregullore, nenet 26-31, zhvillimin e mbledhjeve të Komisioneve të Përhershme, nenet 32-40. Po kështu, cenohet rëndë vendimmarrja, në rastet kur në Kushtetutë parashikohet shumicë e cilësuar për miratimin e ligjeve të rëndësishme në shtet. Cenohet procedura dhe veprimtaria funksionale ligjvënëse. Cenohet autoriteti kontrollues i Kuvendit, që ushtrohet nëpërmjet pyetjeve, interpelancave ose mocioneve. Pengohet ushtrimi i autoritetit të Kuvendit, në raport me institucionet kushtetuese e ligjore në shtet. Nuk funksionon kontrolli, verifikueshmëria, përfaqësimi, zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, ose dhënia e pëlqimit. Vihet në diskutim, interpretimi e ndryshimi i rregullores apo heqja e imunitetit. Është ky shkaku, që Kushtetuta e përkufizon betimin e deputetit si anëtar i Kuvendit, si urdhërim kushtetues. Refuzimi politik ose shmangia nga betimi, individual ose grupor, kapërcehet nga Kushtetuta dhe ligji me mbarim mandati nominal, me pasojë zëvendësimin.

Argument 8

Betimi i deputetit nuk është i shtrirë në kohë, por është i lidhur me fillimin e legjislaturës nga Kuvendi i ri. Mungesa në seancën e betimit dhe përdorimi i mungesës si shmangie nga betimi janë raste situatash të ndryshme njëra nga tjetra, që nuk kanë përmbajtje të njëjtë, as të përafërt. Mosparaqitja në seancën e betimit, si akt politik protestues, individual ose grupor, nuk është mungesë. Në bazë të Kushtetutës, neni 71, pika 2, germa “d”, mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Në kuptimin kushtetues dhe ligjor, mosparaqitja në seancën e betimit, duke iu shmangur betimit dhe mungesa prej 6 muajsh rresht në Kuvend, janë situata të ndara, që nuk plotësojnë, as kushtëzojnë njëra tjetrën. Secila është e vetëmjaftueshme dhe vetëvepruese në çdo rast vërtetimi. Duke iu referuar rastit në shqyrtim, në qoftë se deputetët me mandat zgjedhor nominal nuk paraqiten për 6 muaj rresht në Kuvend, nuk mund të thuhet se ata e humbin mandatin, sepse nuk kanë bërë betimin si anëtarë të Kuvendit, duke munguar 6 muaj.

Argument 9

Qëndrimi politik (ndoshta dhe opinioni ligjor që e rrethon) duket se strehohet në një spirale arsyetimi përligjëse e justifikuese, referuar dy situatave të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren e Kuvendit.

Së pari: Në bazë të nenit 164, pika 1, paragrafi i tretë, të Kodit Zgjedhor, në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Të lexojmë faktin: 64 të zgjedhur deputetë, në mënyrë publike, të përsëritur dhe vazhduese kanë deklaruar dhe deklarojnë mosparaqitjen në Kuvendin e ri. Mosparaqitja grupore në Kuvend nuk është mungesë nga një shkak i ligjshëm, por një qëndrim politik. Në kuptimin kushtetues e ligjor, betimi i deputetit nuk shpreh deklarimin e opinioneve politike, që ai përfaqëson ose mbështetet. Betimi i deputetit, si kategori kushtetuese dhe ligjore, ka në përmbajtje deklarimin e vullnetit individual për pranimin e detyrës si anëtar i Kuvendit dhe angazhimin për ta përmbushur atë në bazë të betimit. Nën këtë kuptim, akti i betimit është publik dhe solemn. Deputeti betohet individualisht, jo në grup.

Së dyti: Në bazë të nenit 4, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë. Mungesa në seancën e betimit, në kuptimin e parashikuar nga neni 4, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, është supozimi i pamundësisë së pjesëmarrjes nga një shkak i ligjshëm, sëmundje, ngjarje familjare, vendndodhje, etj. Mungesa nën shkakun e ligjshëm, nuk barazohet, as njëjtësohet me mosparaqitjen në seancën e betimit (dhe më pas në Kuvend), si qëndrim grupor me frymëzim politik.

Argument 10

Deputeti, mandati i të cilit është fituar nga zgjedhjet e përgjithshme politike, duhet të bëjë betimin në seancën e parë të thirrur për mbledhjen e Kuvendit të ri. Mbledhja e Kuvendit të porsazgjedhur, në bazë të nenit 67, pika 1 të Kushtetutës, thirret nga Presidenti i Republikës. Është seancë publike dhe solemne. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e mandateve të deputetëve verifikohet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, që ngrihet vetëm për këtë qëllim. Në mbështetje të këtij përcaktimi vjen dhe Rregullorja e Kuvendit.

Në bazë të nenit 13 të Rregullores, në Kuvend krijohet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Këshilli ka në bazë përfaqësimin e barabartë të shumicës dhe opozitës parlamentare. Detyrat funksionale të këtij organizimi janë shumë të rëndësishme: në bazë të pikës 4, këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit; në bazë të pikës 5, këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Duke iu referuar rastit në shqyrtim, në çdo kohë që 64 deputetët “mungues” do të paraqiteshin në Kuvend, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në bazë të Rregullores dhe fakteve ligjore që do i paraqiten, nuk mund të shqyrtojë, as verifikojë mandatet e tyre zgjedhore. Së pari, Këshilli duhet të pasqyrojë si trup kuvendore, përfaqësim të barabartë të shumicës dhe opozitës parlamentare. (Vendet e opozitës në këtë komision janë bosh). Së dyti, Këshilli ka në kompetencë të shqyrtojë dhe verifikojë vetëm mandatet e deputetit ose deputetëve që zgjidhen gjatë legjislaturës, jo të deputetëve të zgjedhur nga zgjedhje që e kanë filluar legjislaturën. Janë dy gjendje ligjore jo të barasvlershme, që nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën.

Argument 11

Mosparaqitja në Kuvend, duke shmangur betimin e deputetit si anëtar i Kuvendit, si përmbushje e rastit kushtetues dhe ligjor, që passjell mbarimin e mandatit nominal, nuk mund të mbulohet me nenin 164, pika 1, paragrafi i tretë, të Kodit Zgjedhor dhe nenin 4, pika 4, të Rregullores së Kuvendit. Të dy këto mbulime janë nivele të ulëta të normës juridike në shtet. Teoria normativiste, mbi bazën e të cilit ngrihet sistemi ligjor i shtetit, bazohet në raportin e mbivendosjes dhe nënvendosjes të normave juridike. Normat juridike në shtet kanë nivele të ndryshme vlefshmërie. Niveli i vlefshmërisë përcakton edhe fuqinë juridike të secilës normë. Fuqia e normave juridike në shtet është përcaktim kushtetues. Në bazë të nenit 4, pika 2, të Kushtetutës, Kushtetuta është ligji më i lartë në shtet. Në bazë të nenit 4, pika 3, dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërdrejt, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në disa gjykime ka përsëritur se, kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht në Kushtetutë, rregulli detyrimisht do të zbatohet drejtpërdrejt. Përmbajtja e dispozitës kushtetuese për rastin në shqyrtim, nuk mund të mënjanohet ose të kapërcehet, duke i dhënë përparësi akteve ligjore, që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, si p.sh. nenit 4, pika 4 e Rregullores së Kuvendit. Epërsia e veprimit të normës kushtetuese mbi ligjet e tjera nuk është diskutim.

3. Ftesë për veprim institucional

Kuvendi i Shqipërisë është në shkelje të Kushtetutës, neni 71, pika 2, germa “a”, Ligjit nr. 10019, dt. 28.12.2009 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 164, pika 1 dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 3 e 4, pika 5. Referuar rastit në shqyrtim, Kuvendi duhet të njoftojë menjëherë KQZ-në për krijimin e vakancës prej 64 vendeve në Kuvend. KQZ-ja, mbi bazën e këtij njoftimi, në zbatim të nenit 164, pika 2 të Kodit Zgjedhor, vendos dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të Kodit Zgjedhor. Në bazë të nenit 164, pika 1, paragrafi i fundit, mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas të njëjtës procedurë. Është detyrë institucionale e Kuvendit të Shqipërisë, të ndjek me përpikmëri zbatimin e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit, në veprimtarinë parlamentare.

4. Parimi i kushtetutshmërisë

Në një shoqëri demokratike dhe shoqëri të shtetit të së drejtës, të gjitha veprimtaritë i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Kushtetuta është ligji më i lartë në vend. Parimit të kushtetutshmërisë i nënshtrohen pa kundërshti veprimtaritë e të gjitha subjekteve ligjore në shtet, pavarësisht nga statusi: organ shtetëror, parti politike, organizatë shoqërore, individ apo grup individësh. Edhe ligjbërja e Kuvendit, si organi përfaqësues i vetë popullit, i nënshtrohet kontrollit gjyqësor të kushtetutshmërisë. Parimi i kushtetutshmërisë në shtet ka dhe përmbajtje politike. Kushtetuta ka në përbërje edhe tërësinë e rregullave themelore, në bazë të të cilave organizohet sistemi politik në vend, ushtrohet veprimi politik, kufizohet veprimi politik dhe kontrollohet veprimi politik. Në bazë të nenit 131, pika “d” të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese shqyrton dhe vendos edhe në lidhje me kushtetutshmërinë e partive dhe organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të Kushtetutës. Në rastin në shqyrtim, është në provë kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe siguria juridike në shtet.

5. Rruga e vetme - Gjykimi kushtetues

Në zbatim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, të zgjedhurit deputetë, të cilët me mosparaqitje në Kuvend, i janë shmangur betimit si anëtarë të Kuvendit, duhen zëvendësuar. Procedura ligjore e zëvendësimit të tyre duhet të fillojë. Ata kanë të drejtë të kundërshtojnë vendimin e Kuvendit dhe të KQZ-së për ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin në Gjykatën Kushtetuese. Shndërrimi i situatës në gjykim kushtetues është rruga e vetme që, situata në shqyrtim, të marrë zgjidhje institucionale dhe kushtetuese dhe jo të zvarritet në spirale qëndrimesh dhe interpretimesh politike-mediatike. Nevoja dhe domosdoshmëria për t’iu drejtuar gjykimit kushtetues bazohet në parimin, sipas të cilit, asnjë subjekt nuk ka të drejtë të gjykojë çështjen e tij. Pretendimi se partitë kanë të drejtë të përcaktojnë vetë ligjshmërinë e një akti a veprimi politik është cenim i parimit të kushtetutshmërisë së veprimtarisë politike në shtet. Gjykimi kushtetues i rastit në shqyrtim, mbi të gjitha do të ketë qëllim rregullimor të situatës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›