E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovenia: Do jemi në rreshtin e vendeve të para që do votojmë “pro” statusit, që në dhjetor

30-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri slloven Janez Jansa afirmojnë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve
 
Kryeministri slloven Janez Jansa deklaroi dje në Tiranë se vendi i tij është mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE dhe se do votojë “pro” marrjes së statusit të kandidatit në mbledhjen e 10 dhjetorit, pasi kushtet e kërkuara mbeten të tilla edhe për vendet që e kanë marrë prej kohësh këtë vlerësim

“Sllovenia do të mbështesë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe integrimin në Bashkimin Evropian”.
Kështu u shpreh dje kryeministri slloven, Janez Jansa në takimin që pati me homologun shqiptar Sali Berisha. Kreu i qeverisë sllovene vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë që sipas tij, e bëjnë të merituar marrjen e statusit kandidat.
“Sllovenia është një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë, gjatë rrugëtimit të saj në Bashkimin Evropian. Ashtu siç keni pasur mbështetjen tonë në liberalizimin e vizave në vitin 2010, ashtu edhe në anëtarësimin në NATO, edhe në të ardhmen Sllovenia do të mbështesë fuqishëm aspiratat e qeverisë dhe kombit shqiptar, për t’u bashkëngjitur si anëtare e barabartë në Bashkimin Evropian. Ky pikësynim nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe në interesin e Bashkimit Evropian e të paqes në rajon. Lidhur me këtë, dua të veçoj rolin e fuqishëm që Shqipëria që ka pasur në paqen në rajon, po ashtu në atë të zhvillimit ekonomik. Sllovenia mbështet fuqishëm qeverinë e Shqipërisë, për të plotësuar kushtet që kërkohen nga Bashkimi Evropian, që edhe rrugëtimi i saj të bëhet sa më shpejt e sa më lehtë. Ne dëshirojmë qasjen e praktikave të mira që i shfrytëzon Shqipëria edhe vende të tjera në rajon të ndjekin hapin e saj. Vlerësimi ynë është se Shqipëria ka treguar një pjekuri të jashtëzakonshme politike vitin e kaluar e po ashtu, edhe në këtë vit ka ecur fuqishëm drejt reformave të realizuara. Këto janë sinjale shumë të qarta, të rëndësishme gjatë rrugëtimit të saj e aspiratave të vendit. Bashkimi Evropian është një hapësirë e prosperitetit, shanseve dhe të drejtave të barabarta. Nga kjo pikëpamje është marrja e normave të Bashkimit Evropian, në një interes reciprok të dy vendeve. Jam shumë i kënaqur se me hapat që Shqipëria ka marrë këtë vit i ka treguar Bashkimit Evropian e më gjerë se është një partner kredibël. Republika e Shqipërisë ka mbështetjen e plotë të Republikës së Sllovenisë gjatë rrugëtimit të saj në Bashkimin Evropian dhe çdo mbështetje që nevojitet e ka gjithmonë të hapur”, u shpreh kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa.
Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha vlerësoi mbështetjen sllovene, në proceset e integrimit evropian. Ndërsa vizitën e homologut Jansa në 100 vjetorin e pavarësisë, kryeministri Berisha e cilësoi si historike për Shqipërinë.
“Natyrisht, duke shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që qeveria sllovene dhe vendi mik i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO, në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kërkova edhe mbështetjen e Kryeministrit, por dhe bashkëpunim të ngushtë në këtë fushë, në të cilën Sllovenia ka një eksperiencë të shkëlqyer. Ishte një rast i veçantë për mua të theksoj se çdo vizitë e një kryeministri slloven është një ngjarje shumë e rëndësishme, në marrëdhëniet mes dy vendeve e kombeve tona, por kjo vizitë që vjen në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është një vizitë vërtet historike. Ndaj unë dua t’i shpreh mikut tim e të kombit shqiptar, Kryeministrit Janez Jansa, mirënjohjen më të thellë për vizitën e tij në Tiranë”, tha ai.
Në përfundim të bisedimeve, dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe afirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomik. Gjithashtu Berisha ka përgëzuar kryeministrin slloven, për reformat e ndërmarra pas ardhjes në pushtet, duke ulur taksat, si një garanci për të kapërcyer pasojat e krizës së euros. “Diskutuam gjerësisht mbi rrugët e zgjerimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike, potencialet e mëdha që ekzistojnë në këtë fushë dhe ramë dakord të bëjmë çdo gjë për të inkurajuar nëpërmjet forumeve të biznesit, klubit të biznesit slloveno-shqiptar dhe rrugëve të tjera, investimet reciproke. Shfrytëzova rastin për t’i përcjellë Kryeministrit Jansa, urimet më të përzemërta për reformat e thella që ka ndërmarrë sapo erdhi në pushtet, duke ndryshuar me dhjetëra e dhjetëra ligje dhe vendimin tij kurajoz, duke ulur taksën e korporatave dhe taksa të tjera, çka përbën në radhë të parë një guxim, por edhe një garanci të sigurt, për të kapërcyer pasojat e krizës së euros. Me kryeministrin diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin multilateral, mbështetjen reciproke të kandidaturave të vendeve tona në Këshillin e Sigurimit, në Ecosoc. Unë gjithashtu dua të shpreh vlerësimin tim më të madh për iniciativën e Kryeministrit Jansa, për një ndryshim thelbësor në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Unë e konsideroj këtë një iniciativë shumë të rëndësishme, në funksion të një rendi që çdo ditë e më shuam vjen duke u bazuar në liritë e të drejtat e qytetarëve”, theksoi kryeministri Berisha.
Bashkëpunimi rajonal ishte një tjetër çështje në diskutimet mes dy kryeministrave, si dhe përpjekjet e përbashkëta në inkurajimin e këtij bashkëpunimi.
Më pas, kryeministrat Berisha dhe Jansa i përgjigjen interesit të medias

Pyetje për Kryeministrin Jansa. Kur në dhjetor të jetë samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, me çfarë arsyeje nuk do t’ia jepni Shqipërisë, statusin e vendit kandidat?
Kemi biseduar me kryetarin e qeverisë zotin Berisha edhe lidhur me mbledhjen e Këshillit të Evropës. Sipas axhendës që kemi, në samitin që do të mbahet tani do të diskutohet për zgjerimin. Kjo do të thotë se do të hapet mundësia të bisedohet edhe për dhënien e statusit Republikës së Shqipërisë dhe këtë pikë të debatit do ta shfrytëzoj në mbështetje të Shqipërisë. Shumë e vështirë të paramendoj rezultatin e këtij debati, po ashtu nuk mund të di që tani se çfarë qëndrimi do të mbajë edhe Komisioni Evropian që do të bëjë propozimin adekuat. Unë mund të them qëndrimin e Republikës së Sllovenisë dhe qëndrimin tim si përfaqësues i një vendi të Bashkimit Evropian. Sllovenia do të mbështesë në dhjetor Shqipërinë që të marrë kandidaturën. Ne mendojmë se me këto masa që ka ndërmarrë Shqipëria këtë vit, këtë rezultat absolutisht e meriton.

Pyetje për Kryeministrin Berisha. A e ndjetë mungesën e Greqisë në festimet e 100 vjetorit? Së dyti, kur flisni për bashkim kombëtar, keni parasysh bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Francezët kanë një përgjigje: Miqtë shkëlqejnë gjithnjë, me mungesën e tyre. 
Lidhur me pyetjen e dytë, motoja e shpallur është: Të bashkohemi me njëri tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë mendoj që kjo moto është e drejtë e për të cilën çdo shqiptar duhet të punojë. Ne duhet të punojmë kudo ku jemi në projektin europian, por duhet të punojmë kudo ku jemi për të kapërcyer qindra e qindra ndarje e pengesa që janë vendosur gjatë një shekulli midis shqiptarëve. Njohja e mëtejshme dhe konsolidimi  i pavarësisë së Kosovës, i rolit të saj rajonal e ndërkombëtar mbetet interesi kombëtar i shqiptarëve. Së dyti, Kryeministri nuk ka të bëjë me axhendën e Presidentit. Presidenti është kryetari i shtetit dhe natyrisht, në natyrën e tij duhet të konsiderojë të gjitha ndjeshmëritë. E vërteta është se me ligj është ashtu, por Kryeministri është njëkohësisht kryetar i një partie dhe ka një program të asaj partie, të cilit i përmbahet. 

Pyetje për Kryeministrin Jansa. Ju thatë se Sllovenia do të jetë në mbështetje të statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor, pavarësisht debatit që do të zhvillohet atje. A mendoni se do të jeni nga të paktët që do të keni votën pro, meqenëse është kushtëzuar statusi me miratimin e tre ligjeve me votë të cilësuar, nga parlamenti shqiptar?
Në familjen evropiane nuk është vetëm Sllovenia mbështetëse e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe për të ndihmuar rrugëtimin e saj. Para dhjetë viteve ka qenë Sllovenia pothuaj në një situatë të ngjashme, duke filluar negociata me partnerë të ndryshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne thjeshtë duam të kemi një masë për të gjithë, të barabartë e të njëjtë. Kjo do të thotë se ne nuk mund të kërkojmë nga një vend kandidat që të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara para se të fillojnë negociatat. Kur të fillojë Shqipëria negociata të mëtejshme do të hapen 35 kapituj të tjerë, të cilat duhet të plotësohen, nga ekonomia, kultura, arsimi, shkenca e kështu me radhë. Çdo kapitull duhet të hapet, të shqyrtohet e të mbyllet. Pastaj do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm se sa i ka plotësuar një shtet i caktuar, standardet e kërkuara prej saj. Sipas meje, tani për tani është e panevojshme të kushtëzohet dikush që të bëjë ndryshime në ligje, në akte ligjore e nënligjore, ende para se të fillojnë negociatat. Është një kërkim i panevojshëm, i paarsyeshëm. Ligjet, kushtet që ishin përcaktuar më parë që duhej të plotësonte Shqipëria si votimi i ligjit për imunitetin etj., të gjitha këto Shqipëria i ka plotësuar. Patjetër që rol të rëndësishme ka edhe Komisioni Evropian që do të japë mendimin tij, që patjetër do të merret në konsideratë. Propozimi i tyre do të merret me seriozitet, kurse ekziston një kufi i caktuar, ku duhet fuqishëm të mbrojmë të drejta të barabarta, kritere e kushte të barabarta që kërkohen nga vendet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›