E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama nuk njeh Kolegjin Zgjedhor

Edi Ramës i janë dashur rreth 19 orë nga shpallja e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos suprizuar, por edhe për të përsëritur qëndrimin e tij kundër këtij vendimi.

Në shembullin e sulmit ndaj komisionerëve që mbikëqyrin votat e tij, Edi Rama ka akuzuar edhe 5 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të Apelit, të zgjedhur në atë detyrë me short dhe pëlqimin e plotë të forcës së tij politike, se i kanë vjedhur atij votat.

Edi Rama mbetet kontradiktor në lojën që bën, kur pasi deklaron se nuk njeh Kolegjin Zgjedhor, sërish tek dera e tij do të trokasë.

Sipas Edi Ramës, ekspertiza ndërkombëtare është e nevojshme, por ashtu si dhe përgjatë këtyre viteve, ai sërish nuk guxon t’i drejtohet mekanizmave që vënë në lëvizjen Komisionin e Venecias, Gjykatën Kushtetuese apo sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, madje barrën për të provuar se ai ka të drejte ua lë drejtuesve të lartë te Bashkimit Europian, që ta ndiqnin të interesuarit e politikës shqiptare.

Dhe përveçse nuk njeh sistemin e drejtësisë në Shqipëri, Edi Rama vijon të flasë për rezistencë për kushedi të satën herë nën udhëheqjen e tij vetëm opozitare, që kur erdhi në krye të selisë rozë.

Ashtu siç nuk pranoi humbjen në 2009, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve 7 me 0 nga KQZ, për të mos u larguar nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste, tani që ka humbur bashkinë dhe referendumin popullor për të cilin bëri fushatë, sulmon komisionerët e tij dhe Kolegjin Zgjedhor si të korruptuar sepse nuk i dhanë atij një fitore me dhjete vota, kur votat e gjithë qytetarëve të Tiranës ende nuk ishin numëruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›