Edi Rama publikon denoncimet që i vijnë për Shpëtim Gjikën, e quajnë shkatërrimtar e të pamëshirshëm
Intensifikohet agresioni i kryeministrit në ardhje ndaj çifligarëve partiakë në provincat bregdetare, të cilët e pengojnë të ngrejë rrjetën e tij të biznesit privat, bazuar mbi sistemin e përqindjes
Fotot që qytetarë anonimë dërgojnë në adresë të Edi Ramës janë aktakuza të rënda për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Janë gjithsej 47 foto që gozhdojnë kryebashkiakun e Vlorës të cilit Edi Rama i ka thënë stop rrënimit të mëtejshëm. Një qytetar nga Vlora i bën me dije Edi Ramës se “në rrugën e Ujit të ftohtë, 800m ose1 km sa fillon vija bregdetare ekziston një karburant ka qenë ndërtuar shumë kohë më parë në zonë banimi rreth 15 metra nga pallatet. Pas gati 4 vjetësh mos funksionimi zoti Shpëtim Hajdut Gjika jep lejen për spostimin e tij dhe tashmë ai ndodhet 8 metra nga pallatet. Karburanti pranë bllokut të pallateve në rrugë kryesore dhe përbën rrezik”. Kështu nis përshkrimi i fotos së parë që ka publikuar Edi Rama në faqen e tij zyrtare për kësisoj punësh, Stoprrënimit.com. Një foto tjetër po në Vlorë është një lokal pa leje, më saktë me leje të heshtur të Bashkisë Vlorë. Ndërsa në një foto tjetër në adresë të Edi Ramës është për një ndërtim pranë, “Pranë stadiumit Vlorë. Poshtë saj është varrosur një pjesë e historisë së qytetit, Dogana në kohën e Otomanëve. Shkatërrimtar Shpëtim Gjika”. Ndërsa një qytetar tjetër vlonjat i çon një tjetër foto Edi Ramës ku akuzohet kryebashkiaku Gjika. Sipas përshkrimit të qytetarit “Moli” i Plazhit të Ujit të Ftohte Vlorë. Për gjithçka në Vlorë, fajin e ka i pamëshirshmi Shpëtim Gjika dhe "sejmenët" e tij menaxherë, që bëjnë sekserët”. Në këtë mënyrë Edi Rama po përpiqet të shtojë presionin ndaj Shpëtim Gjikës deri në paralajmërime për futje në burg. Shpëtim Gjika gjendet përballë dy zjarreve të fuqishme, nga njëra anë të pronarëve të pallateve dhe hoteleve në zonën e Vlorës që i janë gjendur pranë tij dhe në anën tjetër të Edi Ramës që kërkon të t’u marrë kompetencat kryebashkiave të bregdetit me ngritjen e një Agjencie për Zhvillimin e Bregdetit pranë kryeministrisë. Po ashtu në uebsajtin e Edi Ramës ka ardhur edhe fotot të lokaleve pa leje të ndërtuar në Durrës, Golem, Sarandë dhe Ksamil. Tendenca e qytetarëve që kanë denoncuar përmes fotove ndërtimet abuzive janë qytetet bregdetare, aty ku kryesocialisti ka lajmëruar nisjen e një aksioni frontal për të prishur ndërtimet “pa” leje të gjithë vijën e bregdetit të Jugut, por dhe ndërtimet e bëra në anë të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, që prishin peizazhin e rivierës shqiptare. Sido që të jetë, Edi Rama ka nisur një sulm mediatik të mirëorganizuar që po dirigjohet këto ditë kundër drejtuesve socialistë në Bashkitë e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Pakënaqësitë e shprehura nga Vangjush Dako, Shpëtim Gjika dhe Stefan Çipa se s’përfituan ato që iu ishin premtuar në fushatën elektorale, pasi pakti i Ramës me ta ka qenë, “hidhni lekët të blejmë votat dhe njerëzit tuaj do jenë ministra e drejtorë të rëndësishëm”, po iu kthehet në dhunë dhe kërcënime verbale. Ky është një mobilizim total i oborrit mediatik pranë PS, të urdhëruar nga Edi Rama, kundër atyre që kanë shfaqur pakënaqësi me emrat e qeverisë së re. Përballë justifikimit se kjo fushatë është inskenim, qëndrojnë shenjat e shpronësimit politik të bashkiakëve, për t’i çelur rrugën bizneseve personale të Edi Ramës.