Edi Rama s’e ka idenë sesi rritet biznesi dhe si krijohen vendet e reja të punës
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi u përgjigjet sulmeve të opozitës për rrugët
"Deklarata jashtë realitetit" i cilëson ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi sulmet e Edi Ramës mbi rrugët e ndërtuara në Shqipëri. Olldashi thotë se Rama as që e ka idenë sesi rritet punësimi dhe zhvillohet biznesi, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, ndërsa sjell në vëmendje se gjatë këtyre viteve janë shtruar mbi 10 mijë km rrugë. “Sulmi i z. Rama mbi rrugët tregon se ai nuk e ka absolutisht idenë se si rritet biznesi dhe si krijohen vendet e reja të punës. Ndërtimi dhe përmirësimi i rrugëve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në punësim. Kjo është arsyeja pse ne kemi shtruar 10 mijë km rrugë, dhe qytetarët mund t’i shohin vetë rezultatet. Teksa ndërtoheshin këto rrugë të reja, 45 mijë shqiptarë u punësuan, çdo vit, në këtë proces. Kur rrugët u ndërtuan, biznese të reja lindën, duke punësuar më shumë shqiptarë. Dhe sot, këto rrugë shfrytëzohen për të dërguar produktet në tregje dhe, edhe më shumë shqiptarë janë të punësuar në këtë cikël, duke transportuar produktet në portet dhe në kufijtë e vendit, për t’i shituar në tregun botëror”, shprehet Olldashi. Kreu i Transporteve e cilëson programin e Ramës për punësimin si fantazi të sajuar në dhomën e ndenjes. “Ky është një tjetër shembull se plani i zotit Rama për punësim është një fantazi e sajuar në dhomën e tij të ndenjes”, thotë ai.
...