Edi Rama s’heq dorë nga politika antiperëndimore, regjistron precedentin e konsiderimit të kabllogrameve të Wikileaks-it

Një nga 10 kushtet e liderit të PS Edi Rama, që i ka vënë mazhorancës për të ashtuquajturën “platformë të Integrimit”, është dhe apeli që të dy palët duhet t’i bëjnë Prokurorisë në mënyrë që të hetojë kabllogramet e Wikileaks që kanë lidhje me përfoljen e disa zyrtarëve shqiptarë apo personazheve publikë.
Kërkesa nuk është vetëm qesharake, por është edhe absurde. Në radhë të parë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes presidentit Barack Obama janë shprehur se publikimet e Wikileaks i konsiderojnë të paligjshme dhe si të tilla ato s’mund të përbëjnë provë.
Një gjë të tillë e pohoi vetë pak kohë më parë në Tiranë vetë ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili tha se kush do t’i besojë kabllogrameve le t’i besojë, por SHBA-të i konsiderojnë jo thjesht të paligjshëm, por edhe të dëmshëm.
“Çdo gjë që lidhet me Wikileaks, gjithçka që përfshin publikimin e gjërave të pa autorizuara është fatkeqësi dhe e dëmshme. Të gjitha këto çështje që kanë dalë janë të debatueshme dhe në SHBA ato janë të ndëshkueshme me ligj sepse janë çështje të tilla si botimi i paautorizuar i dokumenteve dhe çështjeve të supozueshme”, deklaroi pak ditë më parë ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.
Në një kohë që SHBA-të i konsiderojnë kabllogramet e Wikileaks jo vetëm të paligjshme, por edhe të dëmshme Edi Rama insiston që prokuroria t’i përfshijë në hetime, duke i hedhur këto deklarata në kosh.
“I drejtohem prokurorit të përgjithshëm me një letër të firmosur me kryetarët e të gjitha partive parlamentare dhe nga të gjithë deputetët për të gjithë personat me imunitetit parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier me epokën e krimit apo të korrupsionit nën dritën e publikimit të kabllogrameve të diplomacisë më të fuqishme të botës”, tha Rama dy ditë më parë.
Problemi nuk qëndron në faktin nëse do t’i marrë ajo prokuroria shqiptare këto apele. Problemi qëndron diku tjetër. Çfarë do të ndodhte nëse një pjesë e madhe e liderëve botërorë, udhëheqësi shtetesh, apo liderë opozite në vende të ndryshme, do t’i kërkonin drejtësisë së vendeve të tyre të njëjtën gjë që po i kërkon Edi Rama prokurorisë shqiptare? Në çfarë raporti do të vihej SHBA me këtë mori liderësh botërorë që njëherë kërkojnë hetimin e kabllogrameve të Wikileaks, kabllograme të cilat SHBA-të i konsiderojnë të paligjshëm dhe të dëmshëm?
Përgjigja është fare e qartë.
Teorikisht ky është një precedent i rrezikshëm për Washingtonin, por deri më tani kjo gjë s’ka ndodhur pasi asnjë lider botëror nuk është çmendur dhe asnjë prokuror në botë gjithashtu. Kërkesa e Edi Ramës është thjesht një skaner që i jep mundësi SHBA-ve të lexojë idetë dhe mendimet e liderit të opozitës, që kërkon nesër të bëhet kryeministër.