Bashkia, ultimatum tregtarëve e lokaleve: Lironi hapësirat publike deri më 1 tetor
Bashkia e Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, u ka kërkuar tregtarëve ambulantë dhe pronarëve të lokaleve të lirojnë hapësirat publike, duke u lënë si afat të fundit datën 1 tetor.
Bashkia e Tiranës u kërkon tregtarëve, ambulantëve, të licencuar ose jo, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në trotuaret e qytetit, të fillojnë lirimin e hapësirave publike që ata kanë zënë, deri më datë 1 tetor të këtij viti, tha zëdhënësja e bashkisë, Anila Bisha.
Bisha u shpreh se e gjithë kjo është në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit dhe krijimi të lehtësirave për ta, ndaj Bashkia kërkon mirëkuptimin e subjekteve në fjalë dhe është e vendosur të zbatojë ligjin.