E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti që ndaj të keqes na ka bërë imun

25-09-2011 / Nga Bardh Frangu (Express)

Historia e parlamentarizmit në vendet me demokraci funksionale dëshmon se imuniteti nuk ekziston shkaku i anëtarëve të parlamentit dhe interesave të tyre, por për të mirën e përgjithshme. Po çka kanë dëshmuar të zgjedhurit tanë dhe cili është angazhimi i tyre për të mirën publike? Nuk ka dyshim se të deleguarit tanë vullnetin tonë e kanë përdorur kryekëput për interesa të tyre, duke u angazhuar maksimalisht që nëpërmjet ndërtimit të legjislacionit t’i krijojnë vetes privilegje sa më të mëdha. Tash kur kushtetuesja ka vendosur t’i lë pa imunitet jashtë veprimit të shtëpisë së tyre, të zgjedhurit tanë dhe zyrtarët e lartë këtë gjë e vlerësojnë si ndëshkim, si cenim të privilegjeve të tyre e jo si një mundësi për të funksionalizuar sistemin e drejtësisë të korruptuar deri në palcë. Vërtet kjo gjë del të jetë dëshpëruese dhe shumë fyese për ne zgjedhësit. Tash kur formalisht, ama vetëm formalisht, kushtetuesja ua heq imunitetin deputetëve tanë dhe në një mënyrë formalisht i barazon me ne, bartësit e vullnetit tonë nuk mund ta fshehin tymin që u del nga flaka që ua ka djegur këtë copë të vogël privilegje. Për më keq, të ashtuquajturit analistë politikë, të mbështetur në paragjykime dhe spekulime, provojnë ta eklipsojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’i mbrojnë keqpërdorimet, abuzimet dhe korrupsionin që zhvillojnë individët dhe grupet e ndryshme të interesit me ndikim të fuqishëm në institucionet e shtetit. Përse deputetët dhe zyrtarët tanë të lartë nuk e kuptojnë një fakt të thjeshtë se ka kohë që në botën demokratike imuniteti politik vlerësohet si diçka shumë anakronike, sepse bie ndeshë me themelet dhe parimet e rendit modern kushtetues. Përvojat nga vendet e ndryshme kanë dëshmuar se imuniteti është mburoja më e mirë për zhvillimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo gjë më së miri shihet në vendin tonë, ku shkalla e korrupsionit dhe krimit të organizuar është në nivel alarmant. Madje Prokuroria e Shtetit raporton për rritjen e kriminalitetit për 40 për qind vetëm brenda këtij gjashtëmujori. Kjo dhe shumëçka tjetër do të duhej të bënte që ne t’i gëzoheshim shumë këtij vendimi të kushtetueses. Edhe në vende tjera ka ndodhur që imuniteti të jetë një mburojë e fuqishme edhe për kriminelët, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë nëpërmjet politikës, të cilën e kanë korruptuar në shkallën që t’i krijojnë vetes strehë brenda institucioneve të veshura me imunitet. Tek ne kjo gjë bëhet edhe më e dukshme.
Imuniteti i deputetit nga ndjekja penale duhet të garantohet vetëm në atë që i deleguari ynë mund të flas lirshëm dhe pa frikë në institucionin ligjvënës, përkatësisht në parlament. Kjo gjë tashmë u është e garantuar të deleguarve tanë dhe mbase është krejt e pamundur që ata të kenë pasoja për fjalën dhe qëndrimet e tyre, për më tepër tash në këtë kohë kur e drejta dhe liria e shprehjes janë të mbrojtura me ligj. Prandaj edhe në këtë rast do të duhej të përfillnim shembujt më të mirë të vendeve me demokraci funksionale dhe liberale. Kjo edhe për faktin se nuk duhet harruar që çështja e imunitetit politik nuk është vetëm çështje thjesht e brendshme e një vendi, por edhe çështje e jashtme, përkatësisht diçka që kapërcen kufijtë e një vendi, ndërsa zyrtarët tanë me imunitet politik mund të jenë të implikuar në tregti të ndryshme me gjëra të ndaluara si dhe me mundësi bartje të pasurisë në vende tjera. Në këtë rast ndoshta më së miri është të shërbehemi me shembullin e Holandës, ku sasia e imunitetit të zyrtarëve të lartë politikë është shumë e vogël. Ky vend i tulipanëve që nga viti 1884, kur është në pyetje ndjekja penale dhe veprat tjera që bien ndeshë me ligjin, i ka barazuar të zgjedhurit me zgjedhësit. Kështu anëtarët e parlamentit holandez janë të mbrojtur vetëm kur është fjala për votimin dhe deklarimin, të cilin e bëjnë gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Parlamenti holandez nuk ka asnjë rol në heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Që para 150 vjetëve këtë gjë e bën Gjykata Supreme.
Përvojat nga vendet e ndryshme kanë dëshmuar se vendosja e standardeve për çështje imuniteti kanë të bëjnë me nismat për luftën antikorrupsion në nivel nacional, gjë kjo e cila tek ne do të duhej të përshëndetej nga të gjithë, ndërsa kaq ashpër po përballemi me këtë fenomen. Shmangia nga imuniteti i tepërt dhe keqpërdorimi i tij, ndikon dukshëm në rritjen e besimit në institucionet demokratike, gjë për të cilën ne kemi nevojë tepër shumë. Heqja e imunitetit do të ndikonte në ngritjen e vullnetit për kultivimin e përgjegjësive publike. Vetë fakti se shumica e zyrtarëve të lartë janë kundër heqjes së imunitetit dëshmon se politikanët tanë nuk njohin përgjegjësi, por vetëm privilegje. Madje në gjendjen çfarë e kemi ne, do të ishte e moralshme që vetë këta zyrtarë të lartë të hiqnin dorë vullnetarisht nga imuniteti i tyre, qoftë edhe për faktin se i gjithë funksionimi i sistemit të drejtësisë në këtë vend bie mbi kurrizin e qytetarëve të pafuqishëm politikisht dhe materialisht. Është shumë e vërtetë se imuniteti politik, nëpërmjet keqpërdorimit të tij na ka bërë imun ndaj të keqes edhe vetë neve që i kemi zgjedhur këta politikanë. E frika se me heqjen e imunitetit individë dhe grupe mund të hakmerren kundër njëri-tjetrit nuk është më shumë se një spekulim, sepse historia ka dëshmuar se ata që kanë bërë ligje dhe burgje për t’i ndëshkuar kundërshtarët e tyre vetë e kanë pësuar më keq.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›