E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama shkoi te Partia e Punës - të përkrahim pa rezerva kandidatin e koalicionit, Durim Hushi”

06-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha në Elbasan kërkon mbështetjen e kandidaturës së koalicionit “Aleanca për Qytetarin”

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Demokratike në  Elbasan, i cili u fokusua në zgjedhjet lokale të 8 majit të këtij viti. Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen dhe vlerësimin e tij për kandidatin e koalicionit “Aleancës për qytetarin” në bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, i cili, theksoi Kryeministri, e ka dëshmuar vetën se para se të ishte partiak, ishte shqiptar dhe vuri veten në interesin e Shqipërisë.
 “Unë kam besim të plotë te ju, te anëtarët, militantët, mbështetësit tanë se do ta shndërrojmë këtë periudhë në periudhën e punës më intensive, por edhe më të bukur që qyteti i Elbasanit ka njohur, në mënyrë që në datën 8 maj, ne të shkojmë të sigurt në fitoren që e meritojmë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se koalicioni qeverisës vjen në këto zgjedhje me një bilanc të qartë arritjesh ndër më të mëdhatë për qytetarët shqiptarë.
“Çdo demokrate e çdo demokrat, tha Kryeministri, duhet ta ketë të qartë si kristali se PD-ja është sot shumicë në këtë vend, se PD-ja ia doli sot të heqë vizat për shqiptarët, se PD-ja ia doli të prokurojë dhe të nisë së shpejti tunelin Tiranë-Elbasan, se PD-ja ia doli të ndërmarrë qindra e qindra projekte të tjera vetëm e vetëm sepse ka një shumicë në parlament, të cilën e realizon në koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim”.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se koalicioni “Aleanca për qytetarin” hyn në këtë fushatë e sigurt në fitore, sepse ka një vizion të kristaltë për qytetarin.
“I pari është qytetari, të parët jeni ju, u drejtohemi ne qytetarëve. Përzgjedhja është e shkëlqyer. Ngado që ta vështrojmë këtë moto, është motoja më e goditur që duhet të na motivojë. Ne hyjmë në këtë fushatë të vendosur për të shpalosur fushatën më qytetare që kemi bërë ndonjëherë. Në qoftë se themi ju jeni të parët, së pari janë vlerat e qytetarit. Ndaj të pandikuar aspak nga fushata e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve e akuzave të krahut tjetër, ne vazhdojmë të shpalosim vlerat qytetare, vlerat pozitive, vazhdojmë të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të diskutojmë çdo problem që ka qyteti apo komuna. Ne kemi faktuar se ne jemi qeveria e mundësive të mëdha. Besoj se këtë ia kemi bërë të qartë çdo shqiptari. Ne kemi ndërmarrë projektet më të mëdha të të gjitha kohërave. Unë ju garantoj se ne jemi të aftë të realizojmë çdo projekt, sepse ne performojmë”, u shpreh Kryeministri.
Vizioni ynë, tha më tej  Kryeministri, është i qartë për të gjithë vendin dhe mbështetet në një performancë shumë të mirë ekonomike.
“Ne kemi një performancë shumë të mirë nga pikëpamja ekonomike, kemi një mori projektesh, kemi një vizion shumë të qartë për të gjithë vendin, siç e kemi për Elbasanin, e kemi për Gramshin, për Vithkuqin, për Dukagjinin,  e kemi kudo. Kurrë ndonjëherë nuk kemi qenë më të qartë për hapat që duhet të ndërmarrim për të ndryshuar Shqipërinë kudo. Ndaj premtojmë dhe mbajmë premtimet”.
Po ashtu, Kryeministri e mbështeti besimin në fitore edhe sepse mazhoranca shkon në këto zgjedhje me koalicionin më të gjerë dhe me një filozofi të thjeshtë: ne realizojmë premtimet.
“Në të gjitha rekordet elektorale, ky koalicion ka 55 për qind të votave të të gjithë shqiptarëve. Ne e ke kemi të thjeshtë filozofinë. Ne e bazojmë fitoren në dy shtylla kryesore: premtimet i realizojmë dhe koalicion i gjerë. Zoti Rama u përpoq të na imitojë me koalicionin dhe shkoi me Partinë e Punës. Por bëhet koalicion me Partinë e Punës? Vetëm ai e bën. Përpara kishte alergji, tani mori ca emra dhe shkoi e ra tek Partia e Punës së Shqipërisë. Ta mbajë me shëndet. Koalicioni i së shkuarës”, tha Kryeministri.
Duke u ndalur në procesin zgjedhor, Kryeministri theksoi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, zbatimi me rigorozitet i ligjit, është synimi më kryesor. 
 “Në këto zgjedhje duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha që të jenë zgjedhjet model. Por dua t’u them se përgjegjësia për zgjedhjet është kryesisht e jona, e qeverisë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Ne kemi përgjegjësi për zbatimin më rigoroz të ligjit. Ndaj ju lutem shumë, secili nga ne duhet të qartësojë dispozitat e Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me veprimtarinë tonë dhe duhet të jemi model në zbatimin e ligjit. Zgjedhjet bëhen të lira e të ndershme, kur zbatohet ligji, ky është kushti themelor i tyre. Ndaj ta shndërrojmë këtë në fushatën më të bukur, ku të zbatojmë plotësisht ligjin, në një fushatë ku ta ketë të qartë çdo qytetar i Elbasanit që vota e tij do të numërohet me ndershmëri, që vota e tij do të jetë e barabartë me votën e gjithsecilit. Ky është synimi ynë më kryesor, zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Kryeministri.
Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh se, “kam besim të madh se në datën 9 maj do të festojmë fitoren në Elbasan, Tiranë, Durrës e mbarë Shqipërinë, kam besim të madh se me kryetrarin e bashkisë së Tiranës dhe të Elbasanit do të presim para zgjedhjeve të 2013, shiritin e autostradës Tiranë-Elbasan”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›