E Diel, 1 Nëntor 2026

Durim Hushi: Do të rrisim punësimin dhe gjelbërimin

06-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, takohet me banorët e Elbasanit

Kandidati për Kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin”, Durim Hushi, ka inspektuar mesditën e djeshme lagjen “Visarion Xhuvani” të qytetit të Elbasanit, duke u njohur nga afër me problemet që shqetësojnë banorët e kësaj zone.
Duke ju drejtuar këtyre të fundit, Hushi ka deklaruar se “në këtë lagje kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime dhe e njoh fare mirë këtë zonë”.
Ndërsa i është rikthyer kujtimeve të tij, ai shtoi se dikur  kjo zonë njihej me emrin “Lagia e Vilave” dhe se ishte një prej zonave me gjelbërim më të madh në qytet. Në këtë kontekst, Hushi i ka premtuar banorëve se pas ardhjes së tij në krye të Bashkisë së Elbasanit, do të vazhdoje të ruhet raporti ndërtesa- gjelbërim, duke mos lejuar ndërhyrje arbitrare.
“Kjo zonë prej shumë kohësh ka qenë një prej zonave me raport më të drejtë mes ndërtesave dhe gjelbërimit. Unë ju premtoj ju se ky raport do të vazhdoje të ruhet edhe gjatë qëndrimit tim në krye të Bashkisë së Elbasanit, por mund t’ju them që do bëj përpjekjet maksimale për të rritur hapësirat e gjelbra në këtë zonë”, u shpreh ai.
Gjatë inspektimit në këtë zonë, Hushi pati dhe kontakte të shumta me banoret, të cilët i shprehën atij problemet e shumta që ka kjo zonë, që lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore, faturat e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike si dhe me punën e dobët te kryer deri tani nga ana e kreut aktual të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Gjithashtu një prej problemeve kryesore që i shqetësonte ata ishte dhe papunësia e madhe e të rinjve. Hushi në lidhje me këto shqetësime i ka premtuar banorëve se menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Elbasanit, të gjitha këto probleme do të gjenin rrugën e zgjidhjes.
“Unë ju premtoj se pas marrjes së mandatit si kryetar i Bashkisë do të shtroj rrugën, e cila siç të gjithë po e shohim është tejet e amortizuar. Për sa i përket problemit të faturave të ujit të pijshëm, ju bëjë me dije se Ujësjellësi do t’i kaloje në administrim Bashkisë, në mënyrë që të evitojmë të gjithë pakënaqësitë te qytetarët”.
Ndërsa në lidhje me punësimin, Hushi u ka premtuar banorëve se do të marre të gjitha masat për të mos lejuar punësimin e shumë pjesëtarëve të një familje në një institucion, pasi në këtë mënyrë u hiqet e drejta për punësim një numri të madh qytetarësh.
Me një begraund të pasur në fushën e inxhinierisë si edhe në politikë, Durim Hushi, kandidati për kryetar bashkie në Elbasan është mirëpritur mjaft mirë nga qytetarët elbasanas, intelektualë, etj.

Cili është Durim Hushi
Durim Hushi ka lindur në Elbasan në vitin 1953.
Pasi mbaroi studimet e larta në vitin 1975 e deri 1997 punoi si inxhinier në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan dhe që nga viti 1984 deri 1990 Drejtor në Uzinën Energjitike në Elbasan.
Nga viti 1997-2001 ka qenë Prefekt i Qarkut të Elbasanit dhe nga vitet 2005 -2009 deputet i Elbasanit në dy mandate. Në vitin 1999 Durim Hushi është dekoruar “ Mjeshtër i Madh i Punës” nga Presidenti i Republikës dhe pas një shkëputje gati tre vjeçare në politikë, i rikthehet kësaj të fundit me një ambicie mjaft serioze, për postin e kreut të bashkisë i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”.
Ai është përjashtuar nga PS rreth tre vjet më parë pasi ishte një ndër deputetët e PS që votoi pro zgjedhjes se presidentit të vendit. Ai e cilëson këtë si një veprim të përgjegjshëm në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Disa herë e ka deklaruar se “gjykoj se i dhamë Shqipërisë një stabilitet institucional dhe politik që hapi rrugë për mjaft zhvillime pozitive. Ndërsa kandidimin e tij për kryetar bashkie i zgjedhur nga LSI, Hushi deklaron se “unë bëj pjesë në një forcë të majtë, e cila është në bashkëqeverisje me te djathtën”.
Kandidatura e Durim Hushit është mirëpritur edhe nga PD si edhe koalicioni “Aleanca për qytetarin”, të cilët të gjithë bashkë po kryejnë një fushatë elektorale për qytetarin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›