E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama urdhëron mediat e kontrolluara prej tij, të censurojnë aktivitetet e mazhorancës

06-04-2011 / Gazeta 55

Denoncon Partia Demokratike

Partia Demokratike denoncoi dje, Edi Ramën, i cili sipas saj, urdhëroi censurën e plotë dhe totale të lajmeve për qeverinë dhe mazhorancën.
Nëpërmjet një deklaratë për shtyp, selia e PD-së bëri të ditur se, “Edi Rama sot urdhëroi kanalin televiziv privat kombëtar ‘Top Channel’ të bllokojë transmetimin e të gjitha veprimtarive të Kryeministrit të vendit dhe mazhorancës politike në Shqipëri. Ai censuroi gjatë edicionit informativ në këtë media, transmetimin e inaugurimit të ndërtesës së re të korpusit kryesor të Universitetit të Kamzës, një investim ky prej 300 milion lekësh. U censurua tërësisht fjala dhe pjesëmarrja e Kryeministrit të Shqipërisë në aktivitetin e firmosjes së një marrëveshjeje historike midis Universitetit të Tiranës dhe ETC Global”, thuhet në deklaratën për mediat.
Sipas PD-së, Rama ndaloi tërësisht imazhin e takimit të Kryetarit të PD-së në strukturat e saj në Elbasan ndërsa shpreh keqardhjen e saj për keqpërdorimin dhe keqshfrytëzimin e medias kombëtare nga kreu i Partisë Socialiste.
Partia Demokratike i bën thirrje dhe e fton televizionin “Top Channel”, t’i përmbahet me rigorozitet ligjit dhe të mos ndikohet nga urdhrat politikë, por të respektojë standardet e mediave të lira dhe të pavarura. “Partia Demokratike duke mos ndërhyrë aspak në politikat redaksionale, beson se censurimi i lajmeve dhe informacioneve, dëmton rëndë vetëm ata që i praktikojnë këto lloj censurash”, përfundon deklarata për shtyp e selisë së PD-së”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›