E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama s’ka dorëzuar asnjë kërkesë për leje mjedisore

Ministria e Mjedisit hedh poshtë pretendimet e Bashkisë

Ministria e Mjedisit hedh poshtë pretendimet e Bashkisë së Tiranës se është pajisur me lejen mjedisore, për të vazhduar punimet në sheshin “Skënderbej”. Në rrugë zyrtare, Ministria e Mjedisit deklaron se bashkia e kryeqytetit nuk ka paraqitur asnjë kërkesë institucionale, por edhe nëse do të ishte bërë një gjë e tillë, siç pretendojnë drejtuesit e bashkisë që në mars të 2009-ës, sërish do të kishte një përgjigje zyrtare, për miratim ose jo nga Ministria e Mjedisit, gjë që deri më tani, nuk ka ndodhur.
Këshilltari i ministrit Mediu, Aleksandër Garuli shprehet se Bashkia e Tiranës po shkel në mënyrë flagrante ligjin dhe ajo që kërkon Ministria e Mjedisit është respektimi i ligjit dhe vendosja në rend e tij.
“Kemi të bëjmë me një shkelje ligjore dhe ministria e Mjedisit s’kërkon tjetër vetëm vendosjen e ligjit. Për sa i përket pretendimeve të bashkisë së Tiranës se kanë një leje mjedisi ato nuk qëndrojnë për asnjë arsye. Së pari, nuk figuron realisht një kërkesë e protokolluar nga bashkia e Tiranës pranë ministrisë së Mjedisit për leje mjedisi në mars të 2009. Gjithsesi edhe nëse do ishte një kërkesë e tillë e regjistruar pranë Ministrisë së Mjedisit ligji mbi miratimin në heshtje ka hyrë në fuqi në tetor të 2009. Pra ligji për miratimin në heshtje nuk e përfshin këtë kërkesë të bashkisë së Tiranës”, deklaroi Garuli.
Ministria e Mjedisit urdhëroi javën e kaluar, pezullimin e punimeve në sheshin “Skënderbej”, me arsyetimin se bashkia e Tiranës, po kryen punimet në shkelje flagrante me ligjin, porsa kohë nuk është pajisur me lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Ndërkohë nga ana tjetër, bashkia e Tiranës ka mbyllur çdo kontakt për mediat, lidhur me çështjen në fjalë. Sigurisht, është e justifikueshme heshtja e zyrtarëve të bashkisë, porsa kohë, Ditzi Bushati në një komunikim me mediat të shtunën e kaluar përcolli një mal me gënjeshtra porsa i takon mbarëvajtjes ligjore të punës së bashkisë.
Me papërgjegjshmëri të theksuar dhe njëherazi me një qëndrim të turpshëm ndaj institucioneve shtetërore, bashkia e Tiranës vazhdon punimet në sheshin “Skënderbej”, duke dhunuar haptazi detyrimet ligjore dhe më tej akoma, transparencën e këtyre punimeve përballë qytetarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›