E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria përfiton nga liberalizimi i vizave brenda vitit

Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së jashtme Gazmend Turdiu ka deklaruar se vendimi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë ka filluar të merret nga Parlamenti Europian dhe tashmë është çështje kohe. Turdiu theksoi se para fundit të vitit shqiptarët do të lëvizin pa viza në zonën “Schengen”.
Sipas tij, Shqipëria është në procesin normal të dialogut për liberalizimin e vizave dhe se shpreson që KE-ja të arrijë në konkluzionin që Shqipëria i ka përmbushur kërkesat.
Ndërkohë Turdiu ka shpjeguar edhe procesin e liberalizimit të vizave duke theksuar se ky proces është që shqiptarët të mos paraqiten në ambasada për të marrë viza të tipit c por të udhëtojnë nëpër hapësirën “Schengen” pa pasur nevojë për vizë.
Por Turdiu theksoi edhe njëherë se shqiptarët nuk mund të rrinë më tepër se 6 muaj në një vend “Shengen” dhe nuk kanë të drejtë të punojnë. Sipas tij, nëse konstatohen këto shkelje atëherë shqiptarëve nuk do t’u lejohet të hyjnë në hapësirën “Schengen”, për 5 vjet.
Ndërkaq, në të njëjtën linjë mendimi është shprehu edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, gjatë një vizite zyrtare në Paris me ftesë të Departamentit të Komunikimit të Ministrisë së Jashtme franceze. Gjoni zhvilloi dhe një konferencë për shtyp me gazetarët në Qendrën e Medias së Huaj (Centre d’Accueil de la Presse Etrangère CAPE) në Paris, nga ku ofroi një ekspoze të hapave të bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit në kuadër të integrimit të saj evropian si dhe informoi mediat e pranishme rreth përmbushjes së kritereve nga Qeveria shqiptare për liberalizimin e vizave.
Gjithashtu ai foli rreth angazhimit në kuadër të operacioneve të NATO-s, rolit të Shqipërisë në rajon si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Ralf Gjoni theksoi rëndësinë e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, dhe vuri në dukje se “çështja e heqjes se vizave, është së pari një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë, të cilët meritojnë të udhëtojnë të lirë si gjithë bashkëqytetarët evropianë”.
Më tej, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, shprehu vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme që Franca ka dhënë për integrimin evropian dhe liberalizimin e vizave duke përmendur vizitat e fundit të Kryeministrit Berisha në Paris si dhe atë të Sekretarit të Shtetit Pierre Lellouche në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›