E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhet fetare të jepen në shqip, të luftohen celulat ekstremiste

Presidenti i Republikës dekoron krerët e katër komuniteteve kryesore fetare në vend me urdhrin “Gjergj Kastriori-Skënderbeu”

Për kontributin dhe veprimtarinë në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare, presidenti Bamir Topi nderoi dje udhëheqësit më të lartë shpirtërorë të bashkësive fetare në vend. Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i është dorëzuar kryetarit të komunitetit mysliman, Hafiz Selim Muça, kryetarin e komunitetit katolik, arkipeshkvi i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Rrok Mirdita, kreun e komunitetit bektashi, Haxhi Dede Reshat Bardhi, si dhe Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Katër klerikët u dekoruan nga Kreu i Shtetit me motivacionin, “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.
Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Brigadave dhe në të morën pjesë krerë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të selive diplomatike në Tiranë. “Harmonia fetare është me rëndësi. Jam krenar për bashkëjetesën fetare”, ka deklaruar presidenti Topi në fjalën e tij të rastit. Presidenti vlerësoi rolin e katër klerikëve ndërsa nënvizoi se është detyrim kushtetues që ta ushqejmë dhe ta përsosim këtë harmonizim fetar por theksoi se “është e papranueshme përdorimi i fesë për politikë. Kur kjo tendencë e veprimeve fetare me prapavijë politike shfaqet, atëherë ne duhet të veprojmë me forcë për ta ndalur fenomenin që në nisje”, u shpreh Topi.
Kreu i shtetit theksoi se bashkësitë fetare kanë punuar gjithmonë në favor të kësaj vlere dhe gjatë krizave dhe traumave shoqërore në etapa të ndryshme të tranzicionit, përfaqësuesit e këtyre bashkësive janë shndërruar në kolona të paqes sociale. “Diktatura synoi me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke persekutuar klerin dhe mbyllur objektet e kultit, fakt ky që në vitin 1967 pati kulmin e vet tragjik. Në vitin 1990-të, me rrëzimin e komunizmit do të dukeshin edhe e pasojat e këtij ndryshimi në jetën e bashkësive fetare”, tha Presidenti Topi. Në këtë ceremoni vlerësimi, kreu i shtetit kujtoi amanetin e klerikut At Zef Pllumi, se lutja e Zotit duhet të përcohet në gjuhën amtare dhe se feja do të respektojë traditat amtare dhe të ndihmojë në ruajtjen e vlerave të popullit shqiptar. “Një nga simbolet më sipërore të besimit, të qendresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, At Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve”, u shpreh Topi.
Të katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare i shprehën Kryetarit të shtetit falënderimin dhe mirënjohjen e tyre të veçantë për vlerësimin që u bëri dhe shtuan se “do çojnë përpara tolerancën fetare”, deklaroi kreu i komunitetit mysliman, Selim Muça. “Bashkëjetesa fetare është pasuri kombëtare- vlerësoi Imzot Rrok Mirdita
Presidenti Topi siguroi ndihmën e tij në mbrojtje të kulteve fetare si emblema të identitetit dhe pasurisë kombëtare

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›