Tatuazhi serp i mollot mbi krye
Aty nga fundi i viteve ’80 të shekullit të kaluar, gazeta e madhe franceze “LE MONDE”, m’u në faqen e parë, pati publikuar një karikaturë të famshme: bash mbi kryet tullace të Mihail Gorbaçov, paksa në anën e djathtë mbi ballë, në vend të blanës së kuqe mbi lëkurë që në lindje, ishte vizatuar simboli Serp i Mollot (Drapër e Çekan). Sekretari i Përgjithshëm më i fundit i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pati marrë Çmimin Nobel dhe mbeti në histori, me tri vendime të mëdha: Ai shpalli Perestrojka-n (Ristrukturimi) dhe Gllasnost- in (Hapja), shpërbëu Bashkimin Sovjetik dhe tërhoq ushtrinë e madhe nga Gjermania Lindore, për të mos penguar bashkimin e Gjermanisë. Por, simboli Drapër e Çekan mbi shenjën e kuqe mbi kryet pa flokë të liderit, ishte një tatuazh artistik me domethënie të plotë se, komunizmit po kalonte në kujtime dhe, Mihail Gorbaçov përmbyllte dështimin e sistemit gati njëshekullor.
Ndër gjithë simbolet që e kanë shoqëruar njerëzimit në 2000 vitet e fundit, Kryqi i Krishtërimit përbën veçorinë e fuqisë ekzistenciale; ky simbol, në përngjasim me qënien njerëzore - trupi i drejtpërpjetë dhe dy krahët hapur përanash - mbijetoi e u përhap në popuj e kontinente. Ndërsa dy ideologjitë më agresive të shekullit të kaluar - Komunizmi dhe Nazizmi, i shpallën simbolet e tyre në përngjasim të kryqit. Revolucioni Bolshevik i Tetorit, më 1917 përshtati simbolin Serp i Mollot (Drapër e Çekan) dhe, më 1922 e vendosi zyrtarisht m’u në qendër të flamurit të Perandorisë Sovjetike. Ajo shenjë, një kryqëzim i çekanit të punëtorëve me drapërin e fshatarëve dhe vet komunizmi si ideologji, u shndërruan në gjithëfe, që përjashtonte fetë e njëmendta prej kohërash të hershme të njerëzimit.
Komunizmi shqiptar e rrëmbeu atë simbol, për të zbatuar socializmin sovjetik në vend dhe për t’u bërë ndjekës fanatik i Moskës. Pas prishjes me Bashkimit Sovjetik, Tirana mësyu t’ia kalojë edhe vetë Kremlinit: Ajo, me Drapër e Çekan dhe kushtetutë, nxori jashtë ligjit të gjitha besimet fetare dhe fe të vetme shpalli marksizëm - leninizmin, kurse Diktatorin e njohu për profet të komunizmit në Shqipëri. Pak nga pak, për të vënë në pah socializmin që ndërtohej me sukses edhe në një vend të vogël, përkrah simbolit të ideologjisë komuniste sovjetike e botërore, u shpall simboli i komunizmit shqiptar, që, gjithashtu, ishte një përfytyrim kryqi: Kazma dhe Pushka, domethënë puna dhe mbrojtja. Pushka rrinte drejtë dhe përkryq vinte kazma e mbërthyer në bishtin e saj të drunjtë bërë njësh me pushkën. Komunizmi shqiptar i përdorte të dy simbolet - kur flitej për marksizëm-leninizmin pamjet shoqëroheshin me Drapër e Çekan, kur spikatej socializmi shqiptar që ndërtohej vetëm me forcat e veta, ngrihej lart e tundeshin Kazma e Pushka kryqëzuar, po ashtu siç rrinin përkryq Drapëri e Çekani.
Me shembjen e sistemit komunist dhe kalimin e tij në histori, karikatura e simbolit Drapër e Çekan mbi kryet e Gorbaçovit si një tatuazh, ka qenë shënjimi i fundit të sistemit komunist. Disa vende si Lituania, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Çekia, duke dashur të ndëshkojnë dhe përcjellin në harresë komunizmin, bënë thirrje për ta ndaluar shfaqjen e atij simboli, njëlloj si Kryqin e Thyer të nazizmit. Por, ai, nuk u braktis gjithandej dhe ja, Partia Komuniste e Francës, që e ka ruajtur deri më tash, ditën e diel, më 10 shkurt 2013, kur përfundoi kongresin e vet të 36-të, vendosi ta braktisë simbolin sovjetik Drapër e Çekan të komunizmit. Sekretari i partisë për Parisin, Emmanuel Dang Tran tha që, “Të gjithë në parti janë të tronditur” nga kjo braktisje. Por, sekretari i përgjithshëm i partisë Pierre Lauren doli kundër, duke thënë se, “Ne duam të shohim nga e ardhmja” dhe që, Drapër e Çekan “Është një simbol i rëndë dhe i adhuruar që vijon të përdoret në të gjitha demostratat tona, por nuk ilustron realitetin e asaj që ne jemi sot. Nuk është kaq i rëndësishëm për një gjeneratë të tërë komunistësh”. Shfaqja më groteske vërehet ndër ne: në pragzgjedhjesh, nostalgjikë të komunizmit, të moçëm e të lodhur, shfaqen drojshëm netëve me njerëz të shpërblyer, që damkosin muret me Serp i Mollot (Drapër e Çekan) me bojë të kuqe. Është e kotë, sepse duhet kujtuar që, karikatura e simbolit komunist mbi kryet e Mihail Gorbaçov, liderit të fundit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, ishte edhe kumt i përbotshëm për fundin e Perandorisë Drapër e Çekan, si sistem dhe si pushtet. Të tjerët më pas, janë veç nostalgjikë të simbolit të palavdishëm.