Edi Rama u shmanget sërish kamerave

Edhe në ditën e madhërishme të Filter Bajramit kreu i opozitës Edi Rama i është shmangur sërish kamerave.
Në këtë festë të madhe të komunitetit mysliman dhe të të gjithë besimtarëve mysliman tashmë kreut të PS-së i kanë mbaruar edhe fjalët.
Ndërkohë kur të gjithë politikanët dhe drejtuesit kryesorë të vendit kanë shprehur urimet e tyre drejtuar të gjithë qytetarëve mysliman, kryetari i socialistëve është mjaftuar vetëm më një urim të shpejtë “Gëzuar Bajramin të gjithëve”.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, kryesocialisti Rama menjëherë sa po ka dalë nga selia e komunitetit mysliman ka nguruar t’i drejtohet mediave, duke vërtetuar në këtë mënyrë edhe atë çka ka deklaruar pak ditë më parë edhe sekretarja e shanseve të barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, një prej figurave që ka demonstruar hapur mendimin e saj për të cilin është shprehur se kreu i PS-së “Rama është i dobët si intelektualisht ashtu edhe moralisht”.
Këto kohët e fundit që pas humbjes së Bashkisë së Tiranës, lideri i socialistëve i ka munguar ekraneve televizive duke u rikthyer te profesioni i tij i vjetër “editorialet” të cilat gjatë muajit gusht nuk i ka kursyer aspak, të botuara këto të fundit nëpër gazetat që janë në mbikëqyrjen e tij. Mesa duket kreu i PS-së ka zgjedhur të bëjë pushime jo vetëm duke mos ndërmarrë asnjë nismë brenda partisë së tij por duke pritur me ankth muajin nëntor, muaj në të cilin mbahet edhe kongresi i Partisë Socialiste.
Sipas zërave të shumtë në selinë rozë thuhet se ky kongres ka shumë mundësi të mbahet sërish me dyer të mbyllura ashtu siç janë zhvilluar deri më tani edhe asambletë e mëparshme të PS drejtuar nga Rama. Ky qëndrim i tij vërteton më së shumti frikën dhe ankthin e Edi Ramës nga kamerat dhe kjo fobi e tij është shtuar së fundmi me humbjen e tij të radhës, që pësoi pas ikjes nga Bashkia e Tiranës.
Edi Rama ka zgjedhur të bëjë rolin “e pasivit” në PS gjatë gjithë kësaj periudhe të muajve të verës duke na kujtuar, se ai nuk di të bëjë gjë tjetër, në mënyrën e tij të të bërit opozitë, veçse të ndërmarrë sërish protesta të mundshme, të dhunshme siç ishte ajo e 21 janarit.
Me mbajtjen e kongresit të Partisë Socialiste në 5 nëntor do të ketë edhe një sërë ndryshimesh që do të pësojë kjo parti. Gjithsesi gjithçka mbetet për t’u parë...