E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët myslimanë falën Fiter Bajramin

31-08-2011 / Gazeta 55

Ceremoni festive dje nga besimtarët Myslimanë në Shqipëri, me rastin e përfundimit të Muajit të Ramazanit


Besimtarët myslimanë në Shqipëri, falën dje namazin për festën e Bajramit të Madh, apo siç njihet ndryshe Fiter Bajramin. Mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë festuan dje Fitër Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Ata morën pjesë në ceremonitë e veçanta të kësaj feste, duke uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe miqësi. Në Tiranë, besimtarët myslimanë ashtu si dhe një vit më parë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të kryer faljen e namazit. Për shkak të punimeve në sheshin “Skënderbej”, falja nuk u krye në sheshin para xhamisë së ”Et’hem Beut”, por në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Besimtarë të shumtë u mblodhën dje edhe në sheshin përpara Xhamisë së madhe Ebu Bekër, në qendër të qytetit të Shkodrës, ku myftiu Muhamed Sytari uroj për më shumë begati e paqe. Po dje, përfaqësues të besimeve të tjera fetare, uruan Myftininë e Shkodrës, duke vlerësuar harmoninë ndërfetare në ketë qytet. Falja e Namazit u  zhvillua edhe në qytetin e Durrësit. Për shkak të numrit të madh të besimtarëve, një pjesë e tyre i  kryen ritet e faljes jashtë xhamisë. Myftiu Redi Quku  drejtoi  ceremoninë, ndërsa pas përfundimit të saj, besimtarët uruan  njëri-tjetrin dhe  zhvilluar vizita për të uruar festen dhe përfundimin e muajit te Ramazanit. Rreth 100 mijë besimtarë në tërë qarkun e Elbasanit përfunduan agjërimin për muajin e madhërueshëm të Ramazanit, dhe mëngjesin e së martës shumë prej tyre u bënë pjesë e ceremonisë festive në qendër të qytetit. Me mijëra besimtarë myslimanë që agjëruan në  të shtatë qytetet e kësaj prefekture, mëngjesin e të martës dolën jashtë për të festuar së bashku, duke përcjellë urimet  për një vit më të mirë e më të begatë. Myftiu i Elbasanit,  Agim Duka, uroi të gjithë besimtarët  që agjëruam për muajin e Ramazanit. Po ashtu ai përcolli urime edhe për festën e Fiter Bajramit. Duke marrë parasysh edhe temperaturat e larta që shoqëruan pothuajse gjithë ditët e agjërimit ai shtoi se “ky ishte një muaj i nxehtë, por Allahu i madhëruar ua bëri muslimanëve të lehtë agjërimin. Fiter Bajrami është festuar dje edhe në Kavajë, ku besimtarë të shumtë morën pjesë në  ceremoninë e festimit të kësaj dite. Falja e Namazit u zhvillua  në sheshin para xhamisë së qytetit. Myftiu Besnik Leçini tha  para besimtarëve të shumtë se Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Festa vjen pas muajit të Ramazanit dhe njihet si një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtaret agjërojnë, duke treguar më shumë devotshmëri, solidaritet dhe përkushtim ndaj Zotit. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët shkëmbyen vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet ndryshe ndarja e zekatit, për të varfrit dhe familjet në nevojë. Në kuadër të organizimit festiv, Komuniteti Mysliman mirëpriti drejtuesit e lartë të shtetit të cilët do të përcjellin urimet e rastit. Fjala “agjërim” do të thotë të abstenosh apo të heqësh dorë nga diçka. Në kontekstin e muajit të Ramazanit nënkuptohet abstenim ndaj të ngrënit dhe te pirit si dhe të kryerjes së marrëdhënieve intime bashkëshortore nga agimi deri në perëndim të diellit. Gjatë festimeve, myslimanët ofrojnë lutje dhe mirënjohje ndaj Zotit dhe kërkojnë paqe dhe bekime për njerëzit në mbarë botën. Dita e Bajramit shëmbëllen në dite paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala “Bajram” do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare’.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›