“Edi Ramën do ta hetojë një prokuror tjetër”

Edi Paloka, deputet i PD-së
Nënkryetari i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka u shpreh dje gjatë diskutimeve në Kuvend, lidhur me ngjarjen e 21 janarit të vitit të kaluar, se Edi Rama do të hetohet si organizator dhe skenarist i dhunës kundër institucioneve, por jo nga Ina Rama.
Sipas deputetit demokrat, lidershipi socialist do hetohet dhe do japë llogari edhe për vrasjen në bulevard, por këtë do ta bëjë përpara një Prokurori tjetër.
“Përgjegjësi i vetëm i vrasjeve në bulevard është lideri i opozitës Rama. 21 janari erdhi në vëmendjen e publikut nga Ina Rama, duke krijuar idetë që hetimi gjithëpërfshirës ishte përmbushur. Për çfarë iu desh 1 vit Ina Ramës? Për të përcaktuar listën me Edi Ramën nga garda dhe opozita? Edi Rama është përgjegjës për vdekjet. Meqë Rama ka qejf të hetohet të presë kur t’i vijë koha, të presë ta hetojë një prokuror tjetër”, u shpreh Paloka. Ai shtoi më tej se “dy personazhe të tjerë prisnin rrëzimin e Berishës, Kryeprokurorja dhe Presidenti, me qëllim që të fitonin edhe një mandat tjetër nga Rama”.