E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 25 vjetorin e burgosjes së Pjetër Ivezajt

27-01-2012 / Nga Pjetër Jaku

Orfeu që sakrifikoi parajsën
 
Pjetër Ivezaj , malësori i edukuar me dashurinë për vendin ku ka lindur ai dhe të parët e tij, bash para 25 vjetësh iu drejtua ferrit me deshirë, si Orfeu mitologjik. Në kohën kur gjithë të afërmit e këshillonin të mos i drejtohesh atij ferri, Pjetri vendos të shkoi në Malësi në verën e vitit 1986. Pasi kërkon vizë nga konsulli i Chikagos dhe nuk merr, detyrohet të shkoi si nënshtetas  amerikan, pa marrë vizë për ta vizituar vendlindjen e  tij. Që në moshë të re, Pjetri kishte marrë pjesë aktivisht në demostrata antijugosllave, për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera, që ishin nën Jugosllavi. Si duket, puna e konsullatës dhe sigurimit jugosllav ishte t’i evdientonte këta malësorë dhe t’ua paraqiste shtetit Jugosllav si të rrezikshëm, duke ndaluar sa të jetë e mundur e më shumë udhëtimin e  tyre  për në vendlindje, me kërcenimin e vetëm të organizmit në ushtri të atyre qe nuk e kishin kryer shërbimin ushtarak, si dhe burgosjes e keqtrajtimit, ose nënshtrimit për të bashkëpunuar me shërbimin jugosllav, në këmbim të lirisë së udhëtimit. Kur kryeministri grek i viteve 1920 e thonte botërisht rrezikun që i kishte ardhur nga “Vatra” dhe Diaspora Shqiptare në Amerikë, si mos ta parashikonin këtë rrezik komunsitët jugosllav, të cilët nuk kursenin asgjë për ta mbajtur diasporen të izoluar dhe të përkulur para “parajsës” së tyre ideologjike. Tashmë, historia e burgosjes së Pjetër Ivezaj dihet, të paktën në Diasporen Shqiptare të Amerikës. Çeshta e tij u institucionalizua deri në krye të shtetit amerikan, duke u klasifikuar si një rast i veçantë i prekjes së dinjitetit amerikan në  ruajtjen e lirisë së njeriut. Pjetër Ivezaj nuk kishte shkelur asnjë ligj në ish Jugosllvinë e asaj kohe, gjithashtu nuk kishte shklelur asnjë ligj të Amerikës, pse kishte demostruar në Amerikë për lirinë dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve të Kosovës…
     Thyerja e miteve/Pjetër Ivezaj theu mitet e pathyeshme të forcës federative të Jugosllavisë komuniste, atëherë  vendi më i favorizuar edhe nga Amerika, kur Beogradi po ushqehej nga e gjithë bota me teorinë e “mosinkuadrimit” në asnjërën prej  sistemeve të atyre viteve. Pjetër Ivezaj mund edhe të mos shkonte në Malësi, pasi njerëzit e  tij më të afërt i kishte të gjithë në Amerikë. Vendimi për të shkuar familjarisht ia shtonte vështirësinë këtij udhëtimi të vështirë. Me zbritjen në  Beograd , detyrohet të paiset me vizë për të shkuar në Mal të Zi, përkatesisht në vendlindjen e tij Grudë. Pas mbërritjes në Malësi, e kërkojnë në organet e sigurimit, ku më pas i sekuestrojnë pasaporten dhe e detyrojnë të paraqitej   në polici, sa herë të thirrej. Pjetri kishte shkuar në vendlindje nga malli që kishte, e jo të kufizohej për ta lajmëruar çdo levizje, sido që lëvizjet e tij nuk paraqisnin asnjë rrezik për Jugosllavinë. Shteti jugosllav nuk burgosi vetëm Pjetër Ivezaj, por lirinë dhe të drejtat e një shtetasi amerikan! Të gjitha këto e të tjera janë shpjeguar me detaje në shkrimet e disa gazetave dhe emisionet e disa televizioneve amerikane dhe shqiptare dhe, sidomos  në bisedën  e botuar në Gusht të vitit 2001, në  Revistën “ Kuvendi”, ku i kushtohen plot 95 faqe. Poashtu, vitet e fundit, vëllai i tij Dr. Fran Ivezaj shkruan një libër dhe e boton në vitin 2006, me titullin “Klithma e një shqiponje”. Në afro 300 faqe, Frani përshkruan me detaje çeshtjen e  vëllait të tij, pasi ishte në kontakt me ngjarjen, kur Pjetri vuante ferrin dantesk të  shtetit multietnik jugosllav.
Me shkuarjen në Mal të Zi, theu mitin e trumbetuar aq shumë ndër shqiptarët e këtyre viseve nga propaganda jugosllave, me mjetet e saj, siç ishte ambasada dhe konsullatat, sigurimi i njohur i UDB-se, se nuk mund të shkohet në Jugosllavi. Mosmundësia e shkuarjes në jugosllavi u thye. Pjetri ishte një ndër ata që shkeli mbi mina dhe shpëtoi i gjallë, sepse nuk i kishte bërë keq askujt. Miti i dytë, çka është dhe më i rëndësishmi: mundesh edhe të mos bashkëpunosh me sigurimin jugosllav, e të mos realizohen kërcënimet monstruoze  për pamundësinë e vizitës së vendlindjes. Ishin pikërisht shqiptarë të Malësisë ata që i kishin dërguar të dhënat për arrestimin e Pjetrit, të detyruar nga këto forma, që Pjetri kishte pasë guximin të mos i pranoi.
Ç’mund të bëjë shteti për një qytetar?/Qytetari amerikan mund të jetë i vetmi në botë që ndjehet i mbrojtur në çdo kënd të  globit. Duke menduar këtë, i edukuar me kulturen amerikane, Pjetër Ivezaj nuk do kishte frikë përbindshin e asaj kohe Jugosllavinë, biles do ta sfidonte atë vetëm në sajë të qytetarisë amerikane, të pasaportës së vetme që e mbron me vendosmërinë  legjitime  vetëm Amerika,  demokracia dhe forca e së cilës do t’i imponohej çdo shteti në botë, duke bërë të pamundurën në mbrojtje të cilitdo nënshtetas të saj, pa marrë parasysh racën as ngjyrën, besimin as prejardhjen. Për Ameriken çdo amerikan është i njëllojtë para detyrimeve që ka ndaj tij! Kushtetuta është një dhe e vetmja, në përmbajtje të së cilës, nuk leviz asnjë gur! A duhej që dikush të bëhëj shkaku i një qëndrimi të tillë, siç qe ai që mbajti Amerika kundër Jugosllavisë me rastin Ivezaj?! Gjithësesi dikush duhej të vuante, ndoshta edhe t’i shkonte koka, që të tjerët të ishin të lirë, ashtu edhe  si ndodhi me Pjetër Ivezajn. Ai sakrifikoi që Amerika ta njihte më mirë Jugosllavinë hipokrite dhe diktaturën që ushtrohej mbi shqiptarët e Kosovës dhe të Malësisë. Ai sakrifikoi, sepse guxoi, duke bërë realitet një thënie të Uinston Çurçillit:“Guximi nderohet, me të drejtë, si e para nga cilësitë njerëzore, sepse është cilësia që garanton gjithë të tjerat”. Ishte pikërisht kjo cilësi, që e tronditen seriozisht Jugosllavinë e asaj kohe, deri atëherë të patundshme. Ishte pikërisht kjo cilësi, që hap mas hapi solli Pavarësinë e Kosovës, çka për Pjetrin dhe mijëra si Pjetri ishte e pabesueshme. Me lirimin e Pjeter Ivezajt nga kthetrat  jugosllave, u çimentua mendimi se liria e njeriut dhe e mendimit është neni i parë i Kushtetutes Aemrikane, se për këtë Amerika nuk toleron askënd dhe asnjëherë! A nuk ishin strehuar në këtë vend të lirë, pikërisht për këto liri, shumë disident të njohur nga mbarë bota. Le të kujtojmë Hygoin e pavdekshëm dhe disidentët e njohur rus. Kush iu drejtua Amerikës dhe nuk gjeti strehim në garantim të lirisë së fjalës dhe të jetës? Në pritjen e Pjetër Ivezaj, kur u kthye në Amerikë pas burgut, gazetarët do të shkruanin; “Shkoi si vizitor dhe u kthye si hero”. Në ditët që Pjetri  “…përjetonte mundimet e Shën Pjetrit”, siç do të shkruante ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, Gjekë Gjonlekaj, shtypi dhe mediat amerikane e çuan zërin e tij në organizmat më të larta të Shtetit Amerikan, duke realizuar dhjetra shkrime e më shumë se 100 orë transmetime, në mediat më të njohura të këtij gjigandi. Edhe vetëm kaq ishte një arritje e  mrekullueshme për shqiptarët, kur kish kongresmenë në detyrë, që sot trumbetojnë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, që as nuk denjuan t’i kthejne përgjigje kërkesës së Dr. Fran Ivezajt për të ndihmuar çeshtjen. Kjo pra është Amerika, që për një shtetas të saj tronditi marrëdheniet me një nga shtetet më të favorizuara të asaj kohe, duke e detyruar që, edhe pse e kishte dënuar me 7 vjet burgim, ta lironte brenda 48 orëve! Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut “Amnesty International” e ka proklamuar Pjetër Ivezajn si të vetmin të dwnuar të ndërgjegjes në botë për vitin 1986, “Prisoner of Conscience of the year”.
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›