E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edit Mihali: Agron Aliaj iku, nuk la pasardhës në balet

TIRANE - Ne harrojmë se njerëzit janë të përkohshëm. Agroni iku, po kush do ta zëvendësojë? Ai nuk la pasardhës! Kush do t'i vërë në skenë tani e tutje veprat? Asnjë nuk e arrin nivelin e tij". Kështu e nis rrëfimin për koreografin Agron Aliaj, sopranoja Edit Mihali. Ka ndarë me të vite pune, dhe ka një mal kujtimesh, plot episode të qeshura, e batuta të gëzueshme, por sot kur ai do përcillet, gati e trembur ajo sheh se profesori nuk la pas një njeri si veten. Homazhet e mbajtura dje në hollin kryesor të Teatrit të Operas dhe Baletit u shoqëruan nga muzika e baleteve që ai vuri në skenë. Një ekran i madh qëndronte pas arkëmortit dhe përcillte minutat e fundit të maestros në opera, para se të përcillej për në banesën e fundit në Sharrë. Profesori u nda nga jeta të enjten në mëngjes pas dy muajsh lufte me vdekjen në spitale. Ai i kaloi ditët e fundit të jetës së tij në reanimacionin e QSUT-së, pas aksidentit tragjik që pësoi më 7 mars të këtij viti teksa dilte nga opera. Sopranoja Edit Mihali, na rrëfen kujtimet me të dhe pengjet, ndërsa vlerëson se maestro Aliaj ka qenë mësuesi dhe babai i gjithë balerinëve të mirë shqiptarë. Ai ka pasur adhurim për të afërt, i respektonte e bashkëpunonte.
Kur e keni njohur?
Agroni më ka bërë përshtypje gjithnjë, një njeri i zgjuar, me kulturë dhe shumë gazmor. Ka pasur një batutë kur unë u njoha me bashkëshortin tim, sepse Agroni thoshte, Kopi i hodhi kësaj trutë e gomarit. Ai ishte i njohur dhe i respektuar kur unë erdha në Teatrin e Operës e për të thoshin Agroni i madh. E kam adhuruar për atë që ka bërë. Kam një peng që nuk vajta ta shikoja në spital. Por nuk mundesha ta shkoja, sepse nuk e shihja dot në krevat të shtrirë. Isha mësuar ta shihja aktiv. Ai mendonte gjithë kohës për materialet, muzikën, detajet, kishte energji të pashtershme dhe mendonte për të ardhmen, punët, baletet. Çdo gjë ta thoshte troç kur donte të ta thoshte.
Çfarë e bëri kaq të veçantë atë?
E bëri unik fakti që qe një balerin të madh. S'kam arritur ta shoh si balerin, po vetëm si koreograf, por duke pasur miqësi me brezin e tij, më kanë thënë se si ka kërcyer ai, s'ka kërcyer njeri tjetër. Atë që ai e merrte në dorë e shndërronte në yll të baletit. Unë mbaj mend se për herë të parë e kam parë në një trune jashtë, por s'mbaj mend kohën e saktë. Kur u bëra më e vetëdijshme atëherë e kuptova vlerën e tij.
Mes koreografit e balerinit, ku qëndronte ai më lart?
Mendoj se duke qenë balerin i shkëlqyer Agroni u bë edhe koreograf i shkëlqyer, sepse kërkonte mrekullinë edhe tek balerinët e tjerë. Mrekullishëm kërceu vetë dhe këtë kërkoi edhe tek të tjerët. Ai ka pasur bagazh të madh, pikturonte dhe i binte pianos, ishte i plotësuar. Të magjepste kur ulej në piano. Ai nuk u shpreh në të gjitha, por aty ku mendoi se do të vlerësohej.
Është folur për përfaqësimin e Shqipërisë jashtë. Një student i Balshoit...
Qe një moment kur Shqipëria kishte nevojë për njerëz profesionistë. Agroni studioi dhe solli në Shqipëri më të mirën e mundshme. Atje bëhej balet, atje kishte traditë dhe Agroni e mori atë që duhej për ta sjellë këtu. Ishte i vetëdijshëm për atë që ishte dhe për vlerat që kishte. Kishte nivel intelektual, por jo çdokush mund ta bënte.
Çfarë e ka bërë të vuajë në këtë teatër?
Ai vuante kur shihte trupën e baletit që vinte në teatër, bëhej shumë e mirë dhe ikte, vinin prapë bëheshin të mirë dhe iknin. Sa balerinë të mirë kanë ikur... ai e ndjente këtë shumë. I qanim hallet disa herë. Dikur trupa e baletit ishte 70 veta e tani duhej të punonte me 30, që si kishte të gjithë njerëzit që i duheshin, nuk i plotësoheshin të gjitha kërkesat.
Cila shfaqje e plotësoi atë?
"Liqeni i mjelmave" qe një mrekulli, por edhe tek "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", por edhe balete të tjera shqiptare kanë qenë suksese të mëdha.
Për çfarë iu vjen keq më së shumti sot?
Më duket një boshllëk i jashtëzakonshëm... Unë tani kam frikë, kush do merret me baletin? Kush do i bëjë baletet?
A ka lënë pasardhës?
Mua s'më duket! Ne harrojmë se njerëzit s'janë të përhershëm. Duhet të dimë jo vetëm të përfitojmë, por atë që dinte ai ta bënim të trashëgueshme. Nuk e di! Për mua Agroni nuk ka zëvendësim. Nuk vjen as truri, as profesionalizmi, as pasioni as dashuria, ai qe piktor e muzikant, ishte çdo gjë!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›